Tuesday, October 5, 2010

"U lodhëm, ndaj ik të ikim. Natën, nëpër errësirë..."

Nuk isha vecse një adoleshent teksa bashkëqytetarët e mi nxitonin vrapin. I shihja teksa hidhnin duart duke notuar për të arritur atje tej, tek ato anijet e shpresës. Kundroja aty në buzë të detit këtë ikje, pa ja ditur përkthimin e saj. Europën ma kishin prezantuar si disa sheshe të mëdha ku shpërndaheshin florinj. Mjafton të mbaje rradhën. Makina dhe motorra vecse mjafton t’i kërkoje. Dhe teksa më shfaqej para syve kjo dehje-luksi, shihja arratinë nëpër det të një qyteti të tërë. Pështjellim, sakaq hezitim. Pse duhet ta ndërrmerja këtë hap? Pse duhet të flakja cantën, dijet e mia, në det me gjithë libra? Pse duhet të kacaviresha në ato litarët e asaj anije-karakatinë? Pse ëndrrën duhet ta trazoja bashke me shpresën. Shijet pse do duhej t’i përzjeja. Më dukej si pa lidhje i gjithë ky muhabet. Po vecse kurioziteti s’më linte. Madje hipa edhe në majën më të lartë të qytetit. Doja të shihja nisjen e anijeve tona drejt "Trojës". 

Do të shkonin ata, ashtu këmbëzbathur, të lagur nga deti. Do të përplasnin fatet e tyre atje tej, në Europë. Ah se harrova: Tek Europe-Rruspija! Asnjë info prej asaj Europe. Vec Sanremo ose Electric Blu. Sindroma me Platini ose Van Basten. Ndersa ai, perëndimi shfaqej i zymtë. Tamam si ajo hapësira mes Karaburunit dhe Sazanit. Shihje vetem pak, bash sa të lë ajo ngushtice, Ishull-Gadishull. Aq sa të shohësh diku larg, tramuntanën. Ja kjo ishte dera e Europës. Dhe ne prag te saj, karvani i të shpresëve që nxitonte hapin. Ashtu, pa trokitur. Pa degjuar nga brenda fjalen e te zotit te shtepise: Hyr !!!

Eh miqte e mi, s'u mendova gjate. Pra vendosa të qëndroja. M’u duk i shpifur ai, perëndimi. Zgjodha diellin. Më shpresë s’kisha ku të gjeja. Zgjodha ngrohtësinë e familjes bashke me diellin. Ku ka më ngrohtë?! Ia ktheva krahët perëndimit. S’më tundoi ai. Edhe pse dielli im vjen verdalle qe ne agim e shtrihet per t'u shplodhur. Krevat i tij, deti i gjerë... Perendimi?! Kjo përherë dashuri me shikim të parë. Pra arsye me bindëse për vetëdijen time nuk kishte. Qëllimi u rrëzua dhe llogjika duket se më mbajti peshë në këmbë. Lotët e nënave për fatin e rrugëtarit nuk duken tek ajo e imja. Vendosa të qëndroje këtu nënë. Në vendin tonë. Aty ku balta të duket më e mirë se mjalta. Në Shqipëri.

Dhe vitet kaluan ngadale. Shpejt. S'e di. Plot 20 cope. Demokracia thuhet se u hapi sytë njerëzve. Nuk ka më camcakiza në gotë me ujë, por ka shtëpi nën ujë. Nuk ka më zbukurime kanacesh nëpër bufe 12 apo 16 mijë lekëshe, por mbledhje të tyre kazan më kazan. Plehrash. Po, po, plehrash. Në kazan dhe jashtë tyre. Pisllëk i madh. Rrëmujë totale. Nuk ka më peshqeshe me një trastë ullinj apo një kile vaj. Ka tendera, hajdutëri, harbutëri. Nuk ka më qethje ballaboks, por qethje xhepash. Nuk ka më kanace për të parë Sanremon apo për të shfryrë epshin me Electric Blu. Ka dixhitalb, kartë rimbushëse, sms 0900, krediti juaj ka mbaruar, fatura me numra telefoni që nuk ekzistojnë, tarifa astronomike. Pak a shumë këto janë disa detaje të asaj Europe të munguar. Asaj Europe që unë nuk zgjodha të shkoja. Asaj Europe që nuk tundoi llogjikën dhe arsyen time. Asaj Europe që lotit i shpëtoi nëna imë. E pra kjo ishte Europa ime, ajo që zgjodha unë. Te ecësh nëpër autostradë e të të fluturojë një gjyle topi. Gërdec. Kurrë më parë se kisha dëgjuar këtë emër. Sa i famshëm është bërë. Harku. Boh. Sa herë kisha kaluar për në Shkodër kurrë s'ma kishin sytë këtë hark. Harku i Triumfit apo Harku i Përmbytjes.

Ja kjo është Europa që pata ëndërruar unë, ti, të gjithë ne. Ku i akuzuari thotë akuzoj. Hajduti me presh në dorë, thotë janë qepë, hudhra, patate, damlla. Përdhunuesi thotë më përdhunuan: Isha i virgjër! Politikani thotë i ke rënë gabim numrit të telefonit. Vëllai thotë pse më shtyve gardhin: Te vras! Qytetari të afrohet e të thotë: Mos do drogë? Travestiët thonë duam të drejtat tona. C’më mbetet të them? Europë c’pata që të ktheva shpinën? Diell pse ma genjeve shpresën? Ty arsye dhe ty llogjikë: Ju bëfsha naftën! Ik të ikim. Po natën, nëpër errësirë. Mos të na shohë njeri se jo vetëm do qeshin e do tallen me ne, por edhe do na vijnë mbrapa. A e kemi vallë te përgatitur Europen? Ka ca që thonë prit beharin. Do liberalizohen vizat. Po pra, prit behar se do na mbijë bar, thuaj më mirë. Jo, jo ik tani. "U fry Buna,u derdh Vjosa, u mbytën thuaj" - ulërimë të gjithë. Ika.

Publikuar dt. 09 Janar 2010

No comments:

Post a Comment