Monday, October 4, 2010

“Sikur arti… Requiem për artin shiptar.”

Eno Cacaj: “Sikur arti… Requiem për artin shiptar.”

Ky qytet po hesht. Pse ka zgjedhur heshtjen, se di. Hesht për shumë e shumë arsye. Hesht për faktin që vjen pas një vape të mërzitshme stinore. Tamam stinë për Olimp. Më kujtohet shprehja e të ndjerit Agim Qirjako tek filmi i luajtur në Korcë, “Përballimi”: “Qyteti po tret…”. Po  vërtet ky qytet po tret siparet e fundit të cdo vepre teatrore, muzikore, gjithëfarë lloji. Përshëndetjet e rastit me spektatorët. Përuljet fisnike të heronjve ndanë skenës, pas duartrokitjeve të zjarrta/të vakëta. Dhe ata, personazhet e ringjalljes shpirtërore qoftë edhe me një bautë të vetme apo me një refren, heshtin. Refreni/partitura/pamfleti më i heshtur dhe i dhimbshëm i një qyteti. Pritet të fillojë një stinë e re koncertesh, shfaqjesh në Teatrin Kombëtar, koncerte magjike, fundviti. Vetëm pritet. Për momentin kemi vendosur të gjithë në unanimitet të heshtim. Kur ndërkohë duhet pse jo të hidhnim valle në mes të bulevardit përpara se ato të shtroheshin me qilima, falje. Duhet të bucisnim fort artopalantët, përcjellësit e kulturës mbarëkombëtare përpara se të huajt që na bujtin, mos të zgjoheshin nga zëri i faljes së namazit cdo mëngjes në pikë të sabahut. Ne jemi mesuar besa me këtë avaz. Jemi më të qetë se e gjetëm zëvëndësuesin e “lojtarit-kulturë”. Kjo është ajo që zgjodhëm c’ti biem larg e larg. Mundohemi të themi se jemi komb europian dhe na pëlqen kjo plakë e pamëshirshme ndonjë herë me ne. Madje edhe njerëzit që vijnë prej andej, që parkojnë kamperat ndanë bulevardit më të madh që gjarpëron mes këtij qyteti. Po c’farë shohin ata, përpos kureshtjes se c’farë jemi ne të promovuarit si “ex-bajornistë”? Vec një ndërtesë në formën e piramidës që kushedi sa hordhi punëtorësh e kanë pushtuar për ta sjellë/mossjellë në vete. Sikur të ishte muze do kishim vënë një militant partie të priste biletat, me kusht që të mos dinte asnjë gjuhë të huaj. Të paktën do kishim ndikuar sadopak në rritjen ekonomike të këtij vendi. E pra resurse dhe burime të pashtershme ka. Kur ka prej një “mali” të lartë artificial në mes të qytetit, ashtu sic është. Madje pse mos të kishim nxjerrë edhe disa Maqo-Fotografë që t’u bënin nga një resme tironse këtyre të huajve që vijnë e na shohin, teksa shullohemi mes rrugëve pa krye. Ky është exibition-i ynë artistik. Kohët e fundit i është shtuar edhe nga një kioskë që pret biletat e parkingut buzë bulevardit. A thua parkon në Paris, Romë, Berlin apo Londër. Cfarë po sheh ti i huaj dhe mirë që s’kërkon shtëpi arti, se do të të kishin treguar kafen përballë ku unë ulem dhe ndonjëherë kapem me kamarierin. Muzikë europiane ndonjëherë edhe dance/trance dhe cfarëdo lloji. Eldorado. Por shpresa shtohet mes pankartave që lajmërojnë ringjalljen e jetës artistike të këtij qyteti. Edhe pse shkakun e heshtjes së tij nuk e gjeti askush. Edhe pse të isha qoftë edhe 1 orë diktator, e sigurt që do ta kisha futur në burg gjithëkë nga drejtorat e shtëpive artistike, ndanë piazzës së këtij qyteti të heshtur varr. Madje pse jo edhe ata që nuk menduan kurrë t’i japin jetë këtij qyteti, duke e lënë peng i diskotekave të falimentuara dhe me plot halle. Qera/personel/ndotje akustike/tatime/kredi. Boll me hallet e tyre. S’kemi vendosur të plakemi para kohe pavarësisht se të tjerë me këtë heshtje varr kanë vendosur të na tretin. E kisha fjalën tek ringjallja e jetës artistike kur pa dashur harrova kinematë e këtij qyteti. 3 në funksion dhe një ndërtim. Të paktën kështu është thënë. E vetmja gjë që më shqetëson janë oraret pa lidhje, sallat përherë bosh dhe përkthimet sipas atyre që i njohin gjuhët, në mënyrë skandaloze. Gjene mirë që s’u ka shkuar mendja t’i dublojnë. Do kishim vdekur injorantë prej paditurisë. Megjithatë ky qytet vazhdon të mos ketë një zgjidhje për atë se ku duhet të jetë pjesa më europiane e saj. Salla të amortizuara dhe drejtues të tyre që rrudhin vetullat dhe ngrënë shpatullat përpara cdo lloj inisiative. Trupa teatrore/muzikore/artistike që vazhdojnë firohen. Salla të mëdha që edhe kur mbushen duken bosh dhe të patrazuara. Ka një arsye të thjeshtë. Nuk kanë në krye të tyre menaxherë biznesi. Mendoni se arti është baraz me biznesin? Në europë atje kua duam të shkojmë dhe duam t’i ngjajmë, cdo gjë është biznes. Trupat teatrore apo muzikore janë përherë në “frontin e luftës”. “Beteja” të reja i presin dhe cdo javë ka nga një “zbarkim”. Jo si ai në Normandi, por me të njëjtën jehonë. Cfarë na mungon? Vizat, idetë apo paratë? Të gjitha bashkë. Na mungojnë menaxherët sepse i kemi zëvendëuar me partiakët dhe kështu vdesim dhe murosim injorancën, bashkë me heshtjen e dhimbshme të këtij qyteti që nuk nxjerr asnjë zë, asnjë tingull. Nuk reciton askush dhe nuk këndon askush. Në një nga orkestrat më të mira në Itali, ka fatin të punojë një njeriu im i afërt si soliste. Përherë në udhëtim, përherë në shfaqje dhe përherë famë dhe durartrokitje. Dhe madhëshitnë e kësaj orkestre kam patur fatin ta shohë nga afër. Ashtu si ushtritë e mëdha që bëjnë gati taborrët, ashtu edhe ata ngjeshnin veglat për të shtegëtuar artin e tyre në cdo kontinet. Përse dhe pse? Sepse pas tyre ishin një tabor tjetër menaxherësh, agjentësh, drejtuesish. Asnjëri prej tyre i artit. Vetëm i mekanizmit të parasë. Dhe kështu kjo orkestër nuk kishte nevojë për vajisje istrumentash nga ndryshku. Nëse nuk dimë të bëjmë këtë punë dhe kemi vendosur të jemi heshtje-varr, atëherë le t’i japim me qera këto salla. Të vëmë edhe nga një pankartë të madhe: “Tea tri/Opera Kombëtare jepen me qera”. Biznese të etura për qendra tregtare, trendy më i fundit ,ka plot. Kafe, muzikë, sandwich, parking, parje, fejesa, autobuzë free, le t’i zëvendësojmë me emrat e atyre që edhe kur kalojnë në rrugë të impnojnë respekt. Armata e artistëve që firojnë dhe zhduken, dhe ne teksa kujtohemi për ndonjë requiem. I fundit Llazi. Ndjesë pastë. Para disa kohësh m’u dha rasti të sponsorizonim një prej operave më të arrira të vëna në skenën e TOB-it, “Anna Bolena”. Kontributi ynë ishte mjaft modest për ne por shumë domethënës për suksesin e kësaj shfaqeje. E rëndësishme është që shkoi gjithcka mirë dhe jehona e saj i kaloi përmasat e parashikuara. Drejtuesit e mi më dhanë urdhër se duhet të mjaftoheshim vetëm më një falenderim, duke mos rrezikuar të katandiseshim në qesharak. E përsëris për këtë shfaqje kjo ishte pjesa më e madhe e realizimit të saj, kur e dimë se sa janë kostot e saj. Pra me kaq mjaftohet një europian atje në europë, kur është koshinet për modestinë e tij, aq më tepër për art. Mjafton një “Faleminderit” e sinqertë. Por kaq është shumë pak, pasi arti nuk duhet të kthehet në një lypsar duke sjellë më pas shpalljen e falimentit, me një heshtje të tejzgjatur të tij. Që turistët apo kushdo i huaj të mos pyesë a ka art, ka opera, ka teatër në këtë qytet? Që Teatri Kombëtar mos të jetë i fshehur pas një ndërtese ministrie, dhe i zënë ngushtë nën vërshëllimat e policëve për ndalim-kalimi. Absurde. Duhet të ishte në mes të qytetit dhe t’i thotë kujtdo: “Jam këtu!”. Këtu ku luhen tragjeditë dhe veprat më të spikatura të skenave botërore. Në këtë vend nga ku ka prejardhjen Aleksandër Moisiu, Bekim Fehmiu, James Belushi. Këtu ku ka lindur Inva Mula. Dhe mos të kujtohemi për requiem-in e rradhës, pasi ka ardhur vetë rradha jonë “të vdesim” artificialisht, bashkë me heshtjen e këtij qyteti.
Sikur arti të kishte gojë… do të ulërinte me të madhe për satusin e artistit dhe pagesat qesharake të tyre. Sikur arti të kishte veshë… do dëgjonte gjithë ulërimat dhe premtimet boshe të politikës cdo 4 vite. Sikur arti të kishte sy… do qante për fatin e tij të pafat, që lindi dhe po vdes bashkë me injorancën dhe dëshirën për pak art. Sikur arti të kishte forcë… do të thyente cdo sinor apo pronë, si etja më e rëndë që po i ndodh këtij kombi. Sikur arti ta kishte vetë veten në dorë… s’do ta katandiste fatin e tij në bileta 300 lekëshe, të sponsoriazuar nga ky apo ai. Sikur arti të kishte krahë… do të fluturonte dhe do të pushtonte mbarë botën dhe zgjuar krenarinë kombëtare, ndoshta ashtu sic ka qënë dikur para shumë vitesh. Sikur arti të lutej qoftë edhe një herë do të thoshte…: “Ndali o zot se s’dinë c’bëjnë. Kanë vendosur të më heshtin…”

Publikuar edhe nga: www.cene-alb.com



No comments:

Post a Comment