Monday, October 4, 2010

"Gomone"

Gomone, mjet motorrik për udhëtime në det, i përbërë nga dy jastëqe ajri dhe një kallum vetrorezine, (lëndë plastike). Shpejtësia? Sipas qejfit. Destinacioni? Turizëm ose trafik klandestin (tek ne).

Ky është mjeti që na identifikon dhe do të na identifikojë për shumë vite ne shqiptarët. U rrëzuan mitet e heronjve tanë. Skënderbeu, Ismail Qemali, Zogu, Enveri, Ramizi, Saliu, Fatosi, Zani, kaq. Nuk kujtohet më kush për ta. Tani vetëm gomonia na ka ngel të na bëhet mbiemër. Si gjithmonë na e zgjedhin të tjerët. Na e përmendim sa herë kanë qejf. Edhe tani kur kemi ndër duar pasaportat (biometrike), të shpresave tona. Të hyjmë një herë nëpër ato kolibe kontrollesh në aeroporte pa treguar asgjëkafshë, pa le të bëhej nami. Mos të na hedhë askush nga policët sytë me përcmim sikur të na ketë paguar biletën e udhëtimit. Mos të na lërë kush në cep të pistës, në anë të ledhit, pa le të bëhet qameti. Ah ne. S’na u gjend kurrë karari. S’i dhamë një herë dum një muhabeti. Sa bëhemi gati të krekosemi na përdhosin. Madje na "shajnë": Keni femra të bukura. Po vërtet jemi ca komb i bukur. Pse ta mohojmë. Fabula dhelpra dhe rrushi? Ah kjo s’na shkon aspak për shtat, vecse. Ne dorëzohemi që aty lart, ndanë pjergullës. Më pas rrëzohemi, të na hanë të tjerët. Më saktë na rrëzojnë "ata" që kemi sipër. Pushteti. Po prapë ne ngelemi të bukur dhe interesantë. Jo më kot muhabeti vërtitet përherë rreth nesh. Mos mendoni se e kam fjalën për batutën e Berlusconit? Milanezi është më pikant se sallami milanez, ju siguroj për këtë. Pak kohë më parë tentoi t’i "fuste duart" Michele Obamës, zonjës që dirigjon orkestrën frymore të burrave më me peshë në botë. Edhe të ndonjë gruaje mes tyre. Sarkozi-së i tha ta kam pasur dashnore, gruan. Sharlatani i madh, ai burri i vogël, lombard. Ka përherë "humor kinez". Këtë bëri edhe këtë herë me bukurinë e shqipeve. Edhe pse e di që zemërimi i këtij populli është i paparë. Por na mbajnë urtë, ja këta që zgërdhihen me batutat plot kripë të Silvios. 

Nejse nuk është ky thelbi. I kthehemi sërish gomones, atij mjeti të shpejtë që can detet me kufomat e dinjitetit tonë kombëtar. U nisën shqiptarët dhe morrën rrugët. Mdje canë edhe detet. Lundërtarët! Sot, kush më shumë e kush më pak, me apo pa histori gomonesh janë atje, në Europë. Ndanë shatërvanit, poshtë urës, në stacion të metrosë, campagna, mal, kudo. Dhe fëmijët e tyre po rriten. Madje thanë për herë të parë fjalën "mamma" në gjuhën e Silvios. Edhe nipërit e Silvios po ashtu. Do rriten dhe do të shkojnë në të njëjtën shkollë. Do hanë në një mensë. Do të shkojnë në të njëjtën WC. Do jemi realitet. Së shpejti në ato vende që jetojne do te integrohen. Do votojnë dhe do u tregojnë dhëmbët kujtdo: Silvios, Sarkos, Angelës. Sipas rradhës. Ata sikur do ta zgjidhin problemin e ofezës. Ne këtu kujt do t’ja përplasim? Kujt do t’i ankohemi. S’e kam fjalën për vete. Kurrë në sy s’më ka parë një polic-kontrolli pasaporte. Kokën lartë e kam mbajtur dhe kurrë nuk jam jargavitur në cdo vend të botës. Edhe pak ditë më parë. Në jug të Italisë. As që më pyeti polici nga ishe, ku shkove, ca do bëhesh kur të rritesh? E kam fjalën për ata shumë shqiptarë që indinjohen me fjalët e Silvios dhe trishtohen me të qeshurat e "tanëve". Fundja pse duhet të indinjohemi me Silvion dhe jo me fatet tona që nuk na i zgjidhi kush në 20 vite tranzicion. I gjatë dreqi e morri. Aq i gjatë sa edhe Silvio që ha dru cdo vit qesh me fatin tonë. 

Gomone. Një mjet i shpejtë që can detet. Një mjet detar pasword dhe në memorien kolektive të europianëve si ID jonë. Por në fakt shpresa është gjallë. E thashë edhe më lart. Ata, fëmijët e gomoneve do të bëhen një ditë qytetarët e Europës mbarë. Ndonjë prej tyre e sigurt që do të kthehet. Pa do ta marrë për dore këtë komb dhe do t’i thotë: mos u mërzit o popull! Për 20 vjet mësove armiqtë e vërtetë të tu, jo shakatë e Silvios. Ato ku i gjen. Ata që të përdhunuan dhe të c’nderuan më keq sa ska ku të vejë. Ata që të sollën në këtë gjendje dhe qeshin kur duan të qajnë. Bëjnë intervista në shtëpi mondane të veshura më lux. PISA !!!

Shkruar dt. 20.03.2010

No comments:

Post a Comment