Nëse një student i ekonomisë sot në Oxford ose Harward do të kishte fatin e keq të shihte teksa t'i përplaseshin teoritë me praktikën, sigurisht që rast më të mirë se ekonomia jonë nuk ka. Busullat orientuese kanë vite që nuk funksionojnë dhe për më tepër që "nostromët", ekspertët e ekonomisë calojnë me konceptet e tyre jo-funksionale. As teoritë kejsiane, adamsiane madje edhe as të vetëquajturit Nostroadamë ngrënë supet teksa shohin që t’u djegë 1 euro sot në dorë. Një vend që nuk prodhon por konsumon. Një vend që kreditohet masivisht në monedhë të huaj dhe depoziton po në të njëjtën kohë. Një vend që nuk njeh politikë cmimesh, as ulje, ku trajton ofertat si mashtrime të rradhës. Një vend që ka për prioritet turizmin dhe vetë qytetarët e vendit shullohen në diellin aziatik. Madje denden në ushqimet plot yndyrë të selfservice të lodhur. Një vend që shumica e qytetarëve për shumë orë të ditës ngroh karriget e lokaleve dhe për pasword të zhvillimit të jetës së vet ka fjalët: "e pimë nga një kafe".
Ja ky është vendi që shumë shpejt, sipas kryeministrit të vendit do të zëvendësojë monedhën vendase me euro-n. Vendi i cili pritet që shumë shpejt të ketë bursën e tij, me mundësinë e kuotimit në tregjet ndërkombëtare. Nga Nasdaq deri tek Mib, deri sa të tronditet vetë Wall Street-i. Nuk është aludim as hamendësi, e pranoi vetë kryeministri i vendit vetëm një ditë më parë. Ca ditë më shumë edhe Ministri i ri i Ekonomisë. Ndoshta ka ardhur vërtet momenti por kush mund të jenë pengesat serioze që do ta cojnë sërish drejt mbylljes për herë të dytë këtë bursë.
Në rradhë të parë të gjithë duhet të pranojnë se klientët kryesorë të funksionimit të bursës së një vendi janë kompanitë, prodhuesit dhe investitorët e fuqishëm. Kategoria e parë ka kohë që më shumë ka preferuar të kreditohet për investime dhe të ketë më shumë kolateral se sa cash. Bankat në vend disa prej tyre i kanë quajtur edhe partnere jo të besueshëm teksa sheh që ndërrojnë shpesh numrat e telefonit. Madje edhe adresat e rezidencës, makinat e tyre madje edhe në ndonjë rast edhe "gratë" për t’u mbrojtur nga ligjet absurde. Për më tepër që shumë prej tyre raportojnë pranë zyrës së taksave se vazhdojne te jenë me humbje. Dhe këtu nis cudia e rradhës teksa Ministria e Financave me anë të një ligji që vecse ajo e di pse funksionon, i con drejt falimentimit. A mund të ketë sukses bursa e një vendi kur kompanitë kryesore i ka me humbje dhe drejt falimentit? Në vendet prej nga ne marrim doza leksionesh bursën e një vendi e përbëjnë emra prestigjiozë që kanë në dorë edhe vetë fatin e vetë qeverisë. Kryeministri grek para disa kohësh u kërkoi të falur disa prej tyre. Ai italian disi më komod teksa kontrollon shumicën e aksioneve të kompanive kryesore që kuotohen. Ndërsa sa për prodhuesit ose edhe fazonët ndihen pengesa të mëdha në të gjitha këndvështrimet. Për prodhuesit mungon tregu ndërkombëtar teksa kemi të drejtë të eksportojmë vetëm bimë medicinale dhe minerale.
Pra vetëm ato produkte që nuk përbëjnë rrezik për jetët e qytetarëve europianë, shto këtu edhe konkurencën. Në një raport të para disa ditëve vendi ynë rezultonte nja 30 vende larg nga Mali i Zi dhe nja 10 vende nga Maqedonia për konkurueshmërinë. Pra ne nuk jemi konkurentë dhe për më tepër nuk jemi kompetitivë. Për sa i përket fazonëve ata janë të vetmit heronjë që nëse do të isha vetëm një ditë president i këtij vendi do t’ua kisha mbushur gjoksin me medaljet e punës. Vijnë nga vende të ndryshme të botës, prodhojnë me material porositës. Paguajnë doganë si në hyrje dhe në dalje, rrisin numrin e të punësuarve, madje edhe statistikat që vend ynë eksporton. Paguajnë vetë gjobat, haracet, taksat, c'doganimet , qeratë, rrogat, kreditë dhe asnjë në këtë vend nuk shkoi t’u thotë qoftë edhe një fjalë të vetme: a u lodhët? Nuk po them që vijnë për bamirësi dhe nuk fitojnë asnjë dyshkë, por ama punësojnë qytetarët shqiptarë edhe pse ata i shohin me përbuzje.
Por a ka investitorë potencial vendi ynë që mund të investojnë në këtë sipërmarrje të re të lancuar nga kryeministri shqiptar si dollibash i Nasdaq-ut vetëm një ditë më parë? Koha e atyre që donin të shisnin sahatin e Tiranës, e atyre që madje shumë afër tij hapën gropa për ushtrimin e akteve seksuale, atyre që ndërtuan pallate mbi kolektorë apo valixheve me para duket se ka perënduar. Nëse Bursa e Tiranës do të ngrihet mbi eksperiencat e hidhura të këtij vendi të cilin e dimë shumë mirë se si reagon kur i preken financat, atëherë s’na mbetet gjë tjetër vecse të presin anarkinë e rradhës. Në fakt i ka ardhur dhe vafti. Nuk mund të rrimë dot pa të, një herë në 10 vjet. Sa herë që në këtë vend janë bërë deklarata sic thotë populli pa doganë dihet që mbas 1 ose 2 vitesh ndodh dicka. Kryeministri shqiptar u shpreh para disa ditësh se do të zëvendësojë monedhën lek me euro. Para e bukur kjo e uruar. Ka dhe prerje 500-she për më tepër. Por a konsultua kush me Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë? Po me bankat e nivelit të dytë, të cilat kanë kredituar në monedhën vendase e për më tepër kanë nivel të lartë depozitash në këtë monedhë. A dëgjuam prej kryeministrit tonë se po të jetë nevoja duhet të thërrasim edhe një referendum popullor? Pasojat e ndërrimit të monedhës në disa vende me ekonomi të konsoliduar ne i kemi konstatuar me kohë. Po biznesi a u pyet për këtë vendim? Blen me euro dhe shet me lek. I takon të pyetet apo jo? Edhe nëse ishte një dëshirë si gjithë dëshirat e fundit e ka dhe kjo në kosto. Nëse kryeministri dëshiron të shpejtojë procesin e hyrjes së Shqipërisë në BE me vendosjen e monedhës euro, ka elementë të tjerë që na afrojnë më shumë si p.sh. ligji për martesat e homoseksualëve, pranimin e ujgurëve, etj. Sipas sondazheve që janë zhvilluar shqiptarët e kanë vlerësuar hyrjen në BE më shumë për të marrë një vizë dhe të ikin nga sytë këmbët se sa për të blerë me euro. Pra një deklaratë e pamenduar dhe euro kërcen lart fare dhe sa do t’i hedhësh lek tani nuk del dot nga vallja. Për më tepër që nuk kemi një ekonomi me këllqe, mr. Nasdaq.
Publikuar dt. 26 Shtator 2009
No comments:
Post a Comment