Saturday, October 23, 2010

Përplasja e shijeve mediatike.


Sërish publicitet për një media tjetër televizive. Sa shumë për 3 milionë banorë. Kë duhet të shohim më parë dhe për më tepër që cilësia e atyre që janë në këmbë sa po vjen e po vihet në diskutim. Koha e dixhitalizimit dhe epoka e HD po i japin një dimension goxha të krahësueshëm instrumentit që plotëson kohën e qëndrimit në shtëpi. Dimensionet e ndryshimit janë përherë e më të pranishme, por media vizive vazhdon të jetë në një lloj aventure konkurence. Milionat e buxheteve të marketingut drejt kujt media do të hidhen. Drejt asaj të tipit online me edicione lajmesh pa fund apo drejt programacioneve sociale apo kulturore. Por përsëri kemi një handikap në mos-profilizmin e këtyre mediave të cilat sjellin jo pak pështjellim tek përzgjedhja e një programi të pranueshëm për shijet e cdo familje shqiptare. Fokusimi i thithjes së audiencës ka prishur padashur shumë raporte që duhet të ishin të qëndrueshme mes prodhuesit të minutazhit mediatik dhe konsumatorit të ulur përballë variantit më të përdorshëm plazëm si të gjithë ne në shtëpitë tona. Në një hulumtim që mund të kryesh në një ditë cfarëdo, pothuajse të gjitha mediat prej kohësh aplikojnë formatin copy-paste të ngjashëm me mediat italiane. Madje dikush guxon duke patur në krahë edhe të huaj, në rastin e një emisioni të së djelës braziliane. E vërtetë që revolucionin e show-t televiziv në Itali prej vitesh po e udhëheqin bukuroshet latine, por a jemi ne shqiptarët të përgatitur për përqasje apo ngjasi të tilla. Në vend të parave të investuara tek këto shije tranzitore më mirë do ishte ta kishim bërë vetë revolucionin mediatik, përpara se të bëheshim “ithtarë” të ndryshimit kur ende nuk e ndjejmë veten të kualifikuar apo të profilizuar. Për më tepër që ende nuk kemi një rregullator të aftë që të mos na përplasë shijet dhe rrëzojë bateritë e pulteve të komandimit nga lëvizja e kanaleve. Në Itali andej nga na pëlqen të na vijë formati i copy-paste, ka një ent apo në këshill që licencat nuk i përplasë dhe për më tej vetë shijet dhe kënaqësitë e konsumatorit. Nuk ka mundësi që cdo stacion televiziv të japë rubrikë sportive, kur vetëm dy prej tyre kanë licencë për këtë lloj shfaqje. Ka dy të djela dhe vetëm një “Porta a porta” dhe një Scherzi a parte”. Ka një “Matrix” dhe një “Le iene”. E pra vetëm një lloj formati me qëllimin e vetëm të ruajtjes me shumë rigorizitet të shijeve të familjeve taksapaguese. E pra rendja drejt krijimit të sa më shumë emisioneve apo TV-ve dhe krijimi i stafeve improvizuese, kur ende këto që janë në këmbë lënë për të dëshiruar dëmton syrin e lirshëm të cdo teleshikuesi. Gjithsesi për sa kohë do nxitojmë më shumë për të kopjuar se sa për të krijuar qoftë edhe keq, vazhdon të jetë viktimizimi dhe vetëvrasja e shijeve të gjithë publikut.    

No comments:

Post a Comment