Eurobond. Është një term që kemi filluar ta dëgjojmë këto kohët e fundit. Në pamje të parë do të na pëlqente që për herë ta parë të krijohej një mjedis kuotash, bursash në tregje të gjithëfarë formati qofshin ato. Por sa peshë do të ketë kjo "prerja", apo risia “eurobond-e” për ekonominë dhe fatin tonë tragjik si borxhdashës dhe parakonsumuesish te rregullt.
Nëse do të ishim vërtet një sipërmarrje e konsoliduar dhe e mësuar me turbolencat që ndodhin në tregjet monetare botërore, sigurisht që nuk do të kishte vend për hamendësi apo paragjykime. Askush nuk do të krijonte imagjinata apo skenarë të mundshëm të shkëlqimit apo të rënies së saj. Të gjithë sot duhet të pranojnë që jemi në hall dhe për më tepër në një situatë jo të këndshme për sa i përket financave. Jemi bash si ai burri i shtëpisë që del në mëngjes në pazar dhe s’ka para as të blejë bukën, gazetën, perime apo fruta. Cdokush nga ne e pranon me keqardhje që sot është i varfër. Nuk ka më teka apo takate. S'ka më sira dhe as qoka. Sot mendohet vetëm për borxh. Këtë po mendon edhe qeveria.
Mënyra më elegante shfaqet në horizont. Bonot e Thesarit zëvendësohen me Eurobond-e. Po pse deri dje kanë funksionuar në monedhën tonë, tashmë të memorizuar në memorien dhe shubkoshincën, Lek. Mos është vallë arsyeja që ky, Leku është katandisur për një Lek? Ka shumë hamendësi në gjithë këtë lloj zallamahie për ca para më shumë, për financat e shtetit. Ajo që pranohet në heshtje është që s’jemi kompetitivë, për më saktë nuk e pranojmë që jemi të pamësuar dhe pa eksperience. Një vend ku “aksionet” personale i vendosim në skema piramidale. Një vend që duhet të kishte bursën e vet dhe publiku të ishte i lirë të investonte ku të dëshironte, sot mendoj se s’mund të ketë luksin të investojë në Eurobond. Një vend që Wall Street mendohet si rrugë e thjeshtë që ndan lagjet e një metropoli, mendoj se s’mund të ketë kurrë sukses në iniciativa të tilla. Po le të ndalemi në atë që i ndodhi fqinjit tonë, Greqisë. Borxhi i madh dhe pamundësia e kthimit po sjell masa apo propozime drastike deri në nxjerrjen jashtë nga Eurozona. Ndërkohë që në këtë zonë po bëhen gati të hyjnë disa monedha. Rumania një tjetër vend akoma më i qëndrueshëm për sa i përket financave, preferon të jetë për momentin "stand by".
E pra nuk qenka edhe aq e thjeshtë të dalësh jashtë 28.000 km2 vendit dhe të bësh para. Ato mund të ishin edhe këtu. Mund të vinin prej cfarëdo lloj rruge, insititucioni, por nuk mendoj se mund të jetë zgjidhje me anë të një instrumenti dhe dy institute bankare, solide qofshin këto edhe shumë të afirmuara. Një lajm i mirë mund të jetë ky për opozitën. Sërish ka një shkak për ta nxirrë punën e qeverisë. Financat shqiptare kërkojnë të gjejnë një zgjidhje jo shumë trasparente përmes Eurobond-eve. Natyrisht që biznesi apo ndryshe sipërmarrjet që i rezistuan krizës mbeten sërish jashtë marrjes së mendimit si dhe përfshirjes në këtë lloj iniciative si aktor. Janë këto elementë që opozita duhet të kërkojë me shumë forcë. Evidentimi i krizës ekonomike që e ka përfshirë vendin sipas këndvështrimit të kësaj të fundit nuk përbën as lajm as interes. Qeveria mund të krekoset duke thënë se jemi me shifër + për sa i përket rritjes ekonomike për vitin që lamë pas. Madje edhe duke e krahësuar edhe me vendet fqinje apo në Europë a më gjerë. Gjithë ekonomia e botës është në pit stop dhe nuk është se po e ngjet hataja edhe këtë tonën, ekonomi.
Por një qeveri që arrin të rikuperojë para nga borxhi i saj me anë të këtyre iniciativave dhe negociatave me banka prestigjioze, do të thotë një minus më shumë për opozitën. Në të kundërt një qeveri që dështon përbën vërtet rrezik për këdo aktor në vendin tonë, edhe për opozitën. Skenari mund të jetë i ngjashëm me atë grek dhe nuk është e udhës të mendojmë se kalimi i pushtetit nga e djathta në të majtë, është jo i gjetur. Financa shteti bosh dhe të tejmbushura me borxhe si realiteti i sotshëm në Greqi, janë zgjidhje afatshkurtëra për zëvendësimin e pushtetit por jo për xhepin e qytetarëve. Ndaj sot më shumë se kurdo herë tjetër duhet të pranojmë që jemi një ekonomi e brishtë dhe dritëshkurtër. Nuk prodhojmë produkte për konsum por konsumojmë debate për prodhim.
Shkruar dt. 28.04.2010
No comments:
Post a Comment