Ky vit, pra 2010 sipas statistikave shënoi vërtet një rritje të konsiderueshme të numrit të turistëve. Kjo gjë duket qartë teksa merr rrugët e vendit tonë për në pikat më atraktive të saj. Numri ndoshta u rrit edhe si pasojë e asaj që destinacionet tona turistike u futën në paketat ditore të turistëve të huaj, që zgjedhin vendet kufitare me ne për të kaluar pushimet. Kështu që një turisti anglez që viziton sot Korfuzin, s’mund të rri pa patur kureshtje për panoramën përballë ishullit, të këtij vendi të bukur dhe me burra të ashpër, sic e përshkroi Bajroni, po një “shtegtar” si ata. E njëjta gjë edhe për turistët rusë të cilët shkëputen nga Budva apo Kotorri, për të kaluar një ditë-tour nëpër rrugët e Shqipërisë, për të gjetur aty një copëz nga ajo që ka mbetur në ish-vendin e bllokut stalinist. Pra sic edhe vihet re, turistë dhe mundësi për më shumë të ardhura, përpos krizës së rëndë financiare që goditi shumë shtete, këto dy vitet e fundit duket se ka. Kanë me bollëk edhe vendet që na rrethojnë, përjashtuar Ohrin që ndjen cdo vit e më shumë krizën. Por a dimë ne shqiptarët apo më saktë a ka një strategji për të thithur sa më shumë vizitorë të huaj, ndoshta edhe turistë ditorë? Si në cdo përgjigje kur bëhet fjalë për përsosje apo edhe për gjëra normale, për ne që kemi fatin të livadhisim me viza poshtë e përpjetë, edhe për këtë mundësi mjaft fitimprurëse, duket se nuk ka. C’farë do të duhet t’i ofronim ne turistit të huaj që cdo vit e më shumë i shtrëngohet rripi? Resurset tona turistike do ta plotësonin këtë kuadër interesi më së miri. Mbi të gjitha shërbimi dhe gërshetimi i të gjitha resurseve atraktive. Ato janë të shumta, dhe jo se me një të trokitur të gjishtit mund të zgjidhen. Kemi shpenzuar vërtet shumë para në ndërtimin e rrugëve. Një djall e gjysëm po na kushton e uruara “Rrugë e Kombit”. Përfitimet janë të mëdha dhe zbritja e kosovarëve në bregdetin jonian, më parë i paeksploruar prej tyre, tregon qartë edhe këtë fenonem. Pra do të na duhet të orientiohemi drejt turizmit kombëtar të një gjuhe apo jemi më shumë të interesuar për atë ndërkombëtar? Në fakt unë do të isha më shumë për këtë të dytin, dhe kam përshtypjen që të një mendimi jemi. Jo se ata kosovarët që marrin rrugën dhe vijnë në vendin tonë janë më të ndryshëm nga skandinavët, gjermanët apo francezët.
Por më shumë bëhet fjalë për justifikim të vlerave dhe pjesës atraktive që paraqet vendi ynë. I pasur me shumë resurse arkeologjike dhe vende të bukura për t’u vizituar, vendi ynë sot kërkon rritje të “aksioneve në bursën turistike”. Mbi të gjitha shërbimi në hotele apo restorante, kur ata që përmenda më lart turisët kombëtarë, nuk shquhen për konsumatorë të mëdhenj të këtyre elementëve mjaft fitimprurës për ekonominë e një vendi, qeveria e së cilës e ka zgjedhur dhe e trumbeton me forcë turizmin si prioritet të saj. Jemi një vend i varfër si ekonomikisht por edhe në ide. Vende të tjera përreth nesh ndoshta falë edhe kulturës së hershme që kanë për turizmin si vende jo të izoluara, janë shumë agresive në marketingun turistik. Edhe pse cmimet i kanë goxha të kripura, ato bien shumë pak në përqindje për sa i përket frekuentimit nga ana e turistëve. Ndoshta kanë edhe fatin që të jenë destinacione të sugjeruara nga turistët apo të njohurit e tyre, që kanë vizituar më parë këto vende. Ndoshta edhe pse është kthyer në një traditë të bërit turizëm, apo si një ndarje e mendjes për të mos ndërruar destinacion vendi, por vetëm të ishullit apo qytetit. Nga ana tjetër ne mbetemi në klasë, për gjetjen e një mundësie për t’i dhënë qoftë vetëm një herë shkak turistëve të huaj, t’u tregojmë se cfarë kapaciteti kemi për t’i joshur ata të marrin rrugën drejt vendit tonë. Mungojnë ende shumë gjëra, mbi të gjitha kultura dhe edukata. Mos kujtoni se në vendet përreth nesh janë talente në këtë fushë dhe ne jemi ku e ku me realitetin e tyre.
Nuk mund të ketë vend si vendi ynë nga fqinjët tanë që të mos gjesh elementë kombëtarë duke degjeneruar deri në nacionalizëm të përshkallëzuar. Në kë nga hotelet, restorantet apo shtëpitë buzë rrugës që shquhen nga syri i lirë i një turisti sheh flamurin shqiptar? Në cilin nga ambjentet e shërbimeve tona të thonë, faleminderit apo të lutem në gjuhën tonë, duke treguar krenari apo imponim deri diku edhe ngërdheshje për të folur gjuhën e vendit ku turisti vjen? Shtrëngohemi pa fund të gjejmë fjalët e duhura, si pls, thank you apo welcome. Në të kundërt me ato "efkaristo-t" apo "zdravuje-t" që përdorin fqinjët tanë, ndoshta pse jo edhe me tendencë. Pra elementë nacionalizmi të theksuar primitivë, nuk ndeshim në cdo përballje qe kemi mes një turisti të huaj dhe një shqiptari, ajo që e bezdis realisht të huajin. Por përsëri ata vendosin të zgjedhin këto destinacione edhe pse niveli i kulturës nga ana e vendasve lë për të dëshiruar. Ndoshta brezi i ri i grekëve të helenizuar, të mësuar me sigurimin e jetesës nga ana e prindërve të tyre dhe kështu me rradhë brez pas brezi, nuk e sheh të udhës t’i bëj temena shumë suedezit, danezit për të mos thënë fare gjermanit. Dhe kohë e pa kohë i demonstron këtyre të fundit dhe gjithë turistëve të tjerë të huaj, se është mik në vendin e tij dhe duhet t’i përshtatet cdo zakoni që ata kanë. Ndoshta ngaqë nuk kanë konkurrencë apo mendojnë se vetëm vendi i tyre është i bekuar dhe askush tjetër si ai nuk ekziston. Por ka edhe elementë të tjerë shumë më plotësues të pjesës atraktive që këto vende posedojnë. Nuk e kam fjalën për sistemet hoteliere, restorantet apo infrastrukturën. As për pjesën joshëse dhe mbushjes së ditës me ture apo me elementë të tjerë atraktivë, duke filluar nga bicikletat, motorri, makina, për të vazhduar me skafet, motorrat e ujit, kërcimet, muzika, fluturimet, etj., pasi dihet që në vendin tonë janë vite larg këto takëme të cilat sot quhen rëndom apriori. Këto vende na “mbysin” me marketing dhe aty ku ne ngelemi mbrapa është si gjithmonë koncepti që kemi për pronën. Kultura që këto vende kanë për këtë gjë, që mban botën në këmbë dhe i jep funksionim të plotë gjithckaje. A-ja, një shoqëri e civilizuar, që edhe pse me një gjol apo rezervuar, mund të sjellë qoftë edhe një autobuz me turistë.
Kemi folur sa e sa herë për gjithcka që prezanton vendi ynë. Mundohemi t’ja veshim përherë fajin, rrugëve, sistemit, apriorive, strategjive, politikës, incidenteve, etj. kemi harruar më kryesoren: Pronën. Të kesh kulturë të lesh makinën me celës jashtë. Motorrin apo bicikletën. Kamperin apo skafin, pa patur frikën se mos dikush ta ka cënuar, ështa ajo që na ndan me të gjitha vendet e Europës që bëjnë turizëm. Nëse e zgjidhim këtë fenomen që na ka lënë për vite shumë mbrapa, e kemi fituar cdo betejë me turizmin, me konkurentët në rajon dhe me gjithcka. Pra sa pak duhet që të bëhemi kompetitivë dhe të mos rrekemi duke gjetur shkaktarët se kush na pengon të mos shkelemi prej të huajve në msaë brenda një sezoni. Dhe të mos gëzohemi se erdhën kaq apo aq turistë dhe numri po shtohet. Nëse ndodhe një vjedhje apo një prekje e pronës së një të huaji, harrojeni të kemi njerëz në këtë vendin tonë të begatë në jetë të jetëve. Nëse ende ky shqetësim është i pranishëm duhet të mos nxitohemi të gjejmë shkakun, por të dënojmë shkaktarët. Janë ata që na mbajnë peng cdo element të bukur sado të prezantuar si prioritet.
Publikuar: www.cene-alb.com
No comments:
Post a Comment