Tuesday, October 5, 2010

Cmimi "Njeriu i Vitit"

Atë ditë si cdo mëngjes AI ishte ngritur më shpejt se herët e tjera. Në njërën dorë filaxhanin e kafesë dhe në tjetrën cigaren, shokun e tij të pandarë. Shikimin e hidhte tutje dhe dicka bluante në mendjen e vet. Natën e kishte kaluar me një ankth të paparë deri sa të vinte e nesërmja. Dhe ja zbardhi dita dhe dëshira e tij mund të realizohej. Sapo të mbaronte ritualin e cdo mëngjesi, do nxitonte të hapte sirtarët dhe të nxirrte prej andej, dëftesa, distniktiv, medalje edhe foto. C’ti vinte për mbarë. I kishte shkrepur në kokë të kandidonte për cmimin, “Njeriu i vitit”. E kishte vendosur ashtu në heshtje, si cdo mendim të mirë dhe të patrazuar gjithë këto vite jete. S’e kuptonte as vetë pse mendonte se ishte i përsosur. Perfekt. Nxitoi t’i bënte të gjitha këto, mandej t’i fuste në një zarf. Aplikimin duhet ta dorëzonte në kohë në redaksinë e gazetës. Pikërisht aty e kishte lexuar lajmin e sondazhit “Njeriun e vitit”. Si i kreu të gjitha këto, hapi kapakun e postës. I ngjeshi ashtu fort nga frika se mos dikush i nxirrte i vidhte aplikimin. Pasiguri. Më pas i lehtësuar nxitoi të merrte autobuzin. Do t'i duhej të ikte për në punën e tij të përditshme. Ajo fillonte si cdo ditë tjetër. Pa asnjë gjë të vecantë për t’u shënuar. Po ai dhe të njëjtat fytyra, personazhe. Po ajo linjë autobuzi. Po ajo abone mujore në xhep. Mbaronte ditën dhe sërish nxitonte të ngryste diellin. Ishte mjaft i qetë. Paguante rregullisht faturën e energjisë. Ujin. Telefonin. Mirëmbajtjen e pallatit. Të gjitha taksat. TV-në, edhe pse rrallë e hapte. Nuk pipëtinte asgjë në pallat nga ajo familje, edhe pse ishin goxha ngjeshur në numër. Trungu familjar. Fëmijët e tij shembull. Edukatë e përsosur. Të gjithë të mbarë. Kurrë një fjalë e ligë, e pistet. Përherë dashamirës. S'kishte menduar kurrë keq.

Sondazhi? Ah sondazhi. AI nuk e dinte që në ate garë ishte dhe politikani, artisti, piktori, intelektuali, shpikësi, madje edhe një kandidat për Nobel, si dhe një që Guiness-in e kishte bërë si shtëpinë e tij. Ai vazhdonte mendonte se do ishte ai fituesi. Sa bukur, “Njeriu i vitit”. Do ishte i intervistuar gjithandej. Do ishte ai kryefjala e cdo dite. Lajm i parë.

Konkurentet? Për artisitin mendonte se si nga hera sdo kishte shans të fitonte. Po kush po pyet në këtë realitet cakallësh për art. Po edhe fitorja e nobelistit, shpikësit apo Guiness man-in nuk është se e shqetësonte ndopak. Atij që i druhej më shumë, ishte politikani. E kishte mashtruar pa fund. Kurrë nuk ja kishte hap telefonin. Madje operatori i thoshte se ke ngatërruar numrin. I kishte rënë gabim. Po, po me gjithë mend që i kishte rënë gabim. Rruga para pallatit e pashtuar. Më shumë pa drita se sa me drita. Ujë as që bëhej fjalë. Plehra pa fund sërish. Por ai, politikani ia dilte sërish. Ia mbushte mendjen cdo katër vjet të votonte për të. Dhe gjithmonë fitonte. Ndaj i druhej. Politikani sipas tij kishte mitin e pamposhtjes. Fitmimtar si Pirro apo kushdo tjetër s'ka rëndësi. Vetëm ai po e mposhte pëpara se të mesonte se kush do ishte fituesi. Dhe ja. Në një nga këto ditë redaksia do shpallë fituesin. Sa bukur nëse do ta fitonte. AI, i ndershmi. I kulturuari. Njeriu i punës. Zot i halleve të veta. por edhe sikur mos ta fitonte do ngushellohej me dicka. Të paktën ishte AI, fituesi i gjithë ketij sondazhi. E dini pse? AI, u zgjua nga një ëndërr e bukur. Shumë e bukur.

P.S. AI, personazhi, eshte cilido nga ne. 

Publikuar dt. 12 Dhjetor 2009

No comments:

Post a Comment