Monday, October 4, 2010

"Stinë e nxehtë në Tiranë"

Nuk do ta kishim menduar kurrë më parë se mendjet tona do të ishin kaq të ngarkuara përpos temperaturave të nxehta të verës, edhe nga politika. Kaos në trafikun përbri korridoreve të parlamentit, por edhe në trafikun e gjithë c’përmban unaza e këtij metropoli që kurre nuk iu gjend ana. Nëse një psikolog, (të cilët për fatin tonë nuk na mungojnë), do të mund të analizonte gjendjen shpirtërore të gjithë secilit prej nesh, do të arrinte në një rezultat që do të na cudiste të gjithëve. Edhe njeriu më i qetë do të përballej me ndjesi të panumërta të shfaqjes së stresit. Kjo vjen nga shumë punë të lëna përgjysëm, dhe zhdukje të shfaqjes së shpresës në horizont. Në cdo rrethanë shkaktari dihet. Klasa politike edhe këtë vit e ngrysi me jo-zgjidhje të problemit. Them edhe këtë vit pasi për një ndërrmarje apo biznes jo-shtetëror, buxheti ka shanse të realizohet vetëm në saj të një starti të mirë qe në gjashtëmujorin e parë. Zgjidhje politike duket se s’ka dhe qoftë kjo ndjesi e imja, shkaku i gjetjes së zgjidhjes. Por edhe temperatura ndikon, mendoj. Për më shumë tek trafiku. Trafik i burimeve njerëzore si pasojë kaos-in, apo trafik i mosgjidhjeve të problemeve dhe si pasojë krizën? 

A janë këto problemet aktuale, që do të duhej një kohë e shkurtër për t’u zgjidhur? Që temperatura e nxehtë sjell bllokimin e qarkullimit e të gjitha aseteve të një shoqërie kjo nuk do shumë mend të kuptohet. Po dëgjoja jo më larg se dje të thuhej në media se deputetët tanë do të punojnë deri më dt. 29 korrik. Shumë nxehtë për 140 mendjet e parlamentit për të zgjidhur problemet dhe hallet që ka realisht vendi ynë. Dhe për më tepër që do të diskutohen shumë ligje për të cilat ka nevojë për konsensus. Sa i largët është konsensusi në realitete të tilla do të na duhet të presim dhe te shohim. E përsëris edhe një hërë që një ndërrmarje për të realizuar objektivat dhe rezultatet, duket që ne muajt e parë të vitit. Dhe për sa kohë kjo nuk ka ndodhur, do të thotë qe klima e nxehtë do të bëhet akoma edhe më e padurushme nga avujt e nxehtësisë së politikës.

Pritet që në vend të zbarkojnë edhe emigrantët. Shumë Qendra Tregtare (jo pak për ne), teksa stafi i tyre po "shullohet" në diell, apo nën ndonjë kondicioner të harruar ndezur, priten ta gumëzhijnë ata që zënë peshën kryesore të ekonomisë së vendit tonë. Prurjet e tyre (ose ndryshe remitancat), janë gjithmonë në rënie si pasojë e krizës që ka goditur vendet ku ata “punojnë-s’punojnë”. Dhe në rast se ata nuk do të vijnë si herët e tjera (pra me xhepa plot), që ka shumë gjasa të ndodhë, atëherë s’na mbetet të themi se përpos nxehtësisë së politikës nga jo-zgjidhjet, do t’i shtohet edhe temperatura dhe "ngjeshja" artificiale që ata do t’i ofrojnë metropolit. Sektori i ndërtimit është ai që pret akoma më shumë, nga këto ardhje pasi në shumë prej tyre sheh vetëm reklama te tipit: “skela me qera”. Pra paratë për t’i përfunduar mungojnë si pasojë e rënies së shitjes. Edhe këtu shumë nxehtë për pak km2 vend si metropoli ynë. Pak më tej investitorët e huaj duken më rrallë në aeroportin e sapozgjeruar nga "bumi" i ulje-zbritjeve në terminal. Investimet e tyre të mbyllura në valixhe duket se i kanë zëvendësuar “pushimet e detyruara” në zyrë, duke hapur profile në FB apo në Twiter. Per ta eshte vertet koha për të pritur se çdo të ndodhë. E vetmja kategori që do të sillte pak freski në këtë metropol të gumëzhitur më shumë se kurdoherë, mund të jenë turistët e huaj.

Po çdo t’i shohin ata kësaj Tirane? Lanën “e mocalisur” si përroi më i shëmtuar "i oksidentit"? Apo do të takonin personazhe si Taku që shet libra të vjetër në dy anët e urës, e nisur pedonale dhe e përfunduar "hale"? Apo do të vizitonin rrugën për tek kalaja e Tiranës, që sa herë kalojë andej habitem se si mund të quhet një shtëpi kala. Cudi! Pra edhe kjo mund të ndikojë më shumë për të rritur temperaturën në Tiranë, këtë verë të dy mijë e dhjetës. Pak më tej ca tregtarë ambulantë që hedhin gjithcka ngelet, rrugëve, rrugicave, hyrjeve të pallatave. Dhe si mos të mjaftonin këta, edhe mos-zgjidhja e këtij problemi ngelet një handicap. Vazhdojmë t’ua shpifim me qëllim të gjithë atyre njerëzve që u ka rënë apo jo halli të punojnë në vendin tonë. Gjasat për epidemi, falë këtij të nxehti si natyral ashtu edhe artificial janë të panumërta.

Pra duhet të ketë një zgjidhje për të gjitha këto probleme që përmenda më lart. Çdo ditë e më shumë po më mbushet mendja që asetet qytetare, si ambienti apo pastërtia, turizmi apo të ardhurat nuk zgjidhen nga politika, tashmë të mbetur në klasë, por nga menaxherë të suksesshëm, të cilët studiojnë jashtë apo brenda. Tashmë ka ardhur koha e tyre, pasi kjo politikë vetëm nxehtë duket se po na sjell.

Shkruar dt. 11.06.2010

No comments:

Post a Comment