Wednesday, October 6, 2010

"Replikë për Dritën, me Kadarenë"

Replikë për Dritën, me Kadarenë.

Vërtet që as që e kisha menduar ndonjëherë të replikoja me Kadarene, me këtë gjigand sic thuhet, të letrave shqipe. Nuk do doja t’i jepja vetes sime as rezatimin më të vogël të replikave në distancë dikur Agolli-Kadare dhe më së fundmi ato më të klikuarat, Qose-Kadare. Të matesh me "malin" vërtet ta ka ënda ndonjëherë. Mat forcat. Mundohesh ta mposhtësh. Thërret shpresën. Gjen arsyen. Po, po, gjen arsyen. Dhe arsyeja erdhi vetvetiu. Një libër i fundit që gjeniu i letrave shqipe kërkon padyshim ta vendosë ne galerinë e trofeve, ate pra cmimin e shumpritur “NOBEL”. Subjekt më të bukur se sa disidenca nuk po ka besa. Bash si cek-u Havel apo ndonjë tjetër. Por sa vite kanë kaluar dhe sa e gjallë është kjo kauzë, kur tani po gjykohet mbyllja e syrgjyn Guantanamos dhe po festohen dekadat e rënies së mureve. E natyrshme që një shkrimtar i madh shkruan për cdo kohë. Mjeshtria e tij është ta sjellë subjektin si të ketë ndodhur para disa ditësh. Ashtu të gjallë me personazhe grishëse për interesin e lexuesit. 

Por a ka vërtet interes lexuesi shqiptar të lexojë ndodhi për të cilat nuk ja gjetëm dot fillin asnjëherë? Të gjithë ne jemi dëshmitarë të kësaj katrahure që ndodhi këto vite me këtë shtresë e cila u vesh e gjitha me cudi nga më të shumtat. Spiunët shanë ata që spiunuan. Vrasësit ata që i mësuan. Varrëmihësit ata që i urdhëruan. Vetëm ata që e pësuan nuk patën kohë të shpreheshin, te thoshin qofte edhe nje fjale. U plasën në dorë ca letra që sot nuk përdoren as në VC-te më të rëndomta të metropolit, (gjithmone nëse ka). Por ja që nuk qenka e thënë që me historitë e tyre të biem rehat. Vijnë sërish ato të gjalla. Madje këtë herë nga pena e një gjeniu që vërtet hyn tek krenaria e këtij kombi, nga Camëria deri në Kosovë. Nxituan disa komentatorë ta quanin ndodhine si rrethana krahësimi apo ta identifikonin “Të penduarën” e Kadaresë me Dritën, vajzën e Lirisë, asaj mallakastriotes së mencur që kurrë nuk e dha veten për gjëmat që i panë sytë. Në kësi rastesh formatet copy-paste i kemi merak vetë ne shqiptaret. 

Por Drita, ndjesë pastë, më e bukur se vetë drita e diellit e pat publikuar një libër të sajin, ku ka rrëfyer gjithcka që i ndodhi asaj dhe jo vetëm familjes së saj. Një histori rrënqethëse që sa herë që e lexoj s’kam nevojë të mësoj se c’ndodhi me të tjerë si ajo, aq me tepër tani që ka pafund doza zhgënjimi. Drita e pat shkruar vetë një histori dhe nuk do ishte e udhës të kishte histori të tjera të ngjashme me të. Nëse do të ishte gjallë, gjeniu i letrave shqipe gjithmonë nëse do ishte referuar Drites, të paktën duhet t’i kishte marrë leje. Bash si ato lejet që e ëma e saj kërkonte tek policët që "lexonin" romanet me dimër të madh apo të vogël. Lejen për t’i mbyllur sytë njeriut që kishte vdekur, bijes se saj, pasi shpirtin nuk ja lane t’i dilte. Ate, ja morrën. Nëse në foton e kopertinës së këtij libri do ishte një vajzë yll, në moshën më të bukur të jetës, të tërë do nxitonim të thoshim është Drita. Por jo. Në atë kopertinë libri eshte imazhi i mijëra viteve larg.E ndërsa kujtimi i Dritës është ende i gjallë dhe ka për të ngelur i tillë. Ndaj për të gjithë ata që duan ta krahësojnë apo t’i japim kuptim këtij romani me fatin e Dritës, gabojnë. Lexoni një herë librin e saj pastaj nxitoni të lexoni histori të riprodhuara si "gjellë te ftohta apo te ngrohta".

Publikuar dt. 12 Nëntor 2009

No comments:

Post a Comment