Eno Cacaj: Rock Politik Nr.1: "Investimet e huaja dhe ligji për mbrojtjen e tyre."
Të mbrosh investimet e huaja strategjike në kohën e një krize globale ekonomike të sapo lënë pas për disa shtete të europës, nuk është hap i gabuar. Madje i menduar mirë. Sikur kjo të funksionojë ashtu sic duhet të funksiononin shumë gjëra në këtë hapësirë prej 28 mijë km katrorë, për të gjithë ne shqiptarët do të ishte një rilindje e dytë. Këtë gjë kanë menduar shumë nga ekonomitë e brishta të vendeve që kërkojnë të zhvillohen. Formula të shumta si ligji i mbrojtjes së investimeve të huaja strategjike, janë mjaft të dobishme. Por sic edhe e përmenda më lart këto ligje mbeten vetëm në letër dhe në dëshirën immediate të 140 burrave dhe grave të sallës së sapo rikonstruktuar të parlamentit. Madje bëhen edhe debate për mënyrën se si do të miratohen këto ligje. “Parlament” - thoshte Celentano tek Rock Politik, - “është vetë folja parla, që i jep kuptim kësaj fjale”. Pra fol. Fol. Fol dhe vetëm fol. Ashtu si dhe zgjedhimi kësaj folje në të gjitha vetat. Pra flasim. Flasin. Flisni. Dhe për këtë ligj na takojmë të dëgjojmë ata që flasin. Ata që flasin në emër të investitorëve dhe prekjes së interesit të tyre. Kur? Që në seancën e parë. A thua dielli i nxhetë i cdo plazhi respektiv për parla-mentarët tanë, ka qenë i kthjellët për të ndricuar mendjet e tyre. Pra më në fund ka ardhur koha të mendojmë për ata që na kanë sjellë investimet e huaja, investitorët. Nga ana tjetër qëndrojnë oponentët e përhershëm të cdo iniciative apo projektligji. Pse duhet të bëjnë rezistencë për ta miratuar? Cfarë shohin opozitarët që nuk funksionon në këtë projekt-ligj? Ndoshta oponenca e rradhës. Kaq për këtë dialog të përhershëm mondan ndoshta edhe të pakuptimtë. Po kush janë vërtet interesat e investitorëve të huaj në vendin tonë? A arrijnë ato të mbrohen qoftë edhe me një ligj? A mjaftohemi vetëm duke miratuar ligje për mbrojtjen e tyre? Dhe funksionojnë ligjet apo zbatohen ato në vendin tonë? Kjo është ajo që duhet të jetë pjesa më interesante e gjithë këtij debati të saponisur.
Investimet e huaja janë ato që po furnizojnë kapilarët e ekonomisë shqiptare me rëninen e remitancave nga emigrantët dhe atyre pak të ardhurave nga turizmi dy mujor në vendin tonë. Të mendosh për investime strategjike në 28 mijë km katrorë do të thotë të shfrytëzosh cdo hapësirë si të kapacitetit mendor po ashtu edhe gjeografik. Pa patur një strategji të mirëfilltë se ku do të drejtohen këto investime s’mund të bëhemi pjesë e debateve boshe që prodhon parla-menti ynë. Do të jenë në resurset turistike apo në burimet natyrore nëntokësore apo tokësore? Do të jenë në burimet ujore apo ato naftë-gaz? Që deri në këto kohëra është bërë qameti me cdo burim apo resurs në investime strategjike nga ana e të huajve, këtë nuk e luan as topi. Kemi vetëm pak lumenj dhe kemi me qindra licenca për ndërtimin e hidrocentraleve kur vetëm para viteve ’90 i numëronim me gishta ato. Madje një investim supergjigand e lamë edhe pa e ndërtuar. Kemi shumë pak miniera dhe licenca pa fund për ndërtimin e tyre. Kemi hapësira pa fund tokash për bujqësi, blegtori e gjithë farë lloji dhe katandisemi të shitemi me 1 euro. Kemi një vijë bregdetare të pakrahësueshme dhe degjenerojmë në turizëm kombëtar me saze dhe shërbim mesjetar. Pra këto janë burimet fizike të një hapësire me emrin Shqipëri ku është rasti unikal në botë që toka nuk dihet ca pronari ka. Imagjinoni të na jepte zoti hapësira e savanave apo të shkretëtirave pa fund. E pra të flasësh sot për strategji për mbrojtjen e investimeve të huaja strategjike do të thotë që nuk e ke ende informacionin e duhur se sa dhe si kanë mbijetuar ato. Pra mbijetuar. As më pak dhe as më shumë se sa fjala mbijetuar.
Përpos shqetësimit të tokës dhe të gjitha problemeve që ka krijuar ajo, një qeveri që kërkon vërtet të thithë dhe të nxisë investime të huaja pavarësisht se i ka ezauruar të gjitha rrugët/resurset e mundshme që të cojnë drejt tyre duhet të zgjidhë konkurencën e pandershme. Klientelizmin e padukshëm. Që trailerat e investitorëve të huaj të mos presin në dogana por ai trau i dhimbshëm i ngarkuar me bakshish të hapet dhe të mos t’ja zëjë frymën investitorit të huaj. Që akcizat dhe tarifat doganore mos të jenë të pamëshirshme/të papërballueshme për investitorët e huaj dhe të lehta për ata gjasme investitorët tanë që e kanë mësuar/gjetur gjuhën e bakshishit si me doganierët socialistë ashtu edhe me këta demokratë. Kam rastisur shpesh në takime me investitorë të huaj madje edhe me shumë të mëdhenjë, flas nga ata që vijnë me carter. Përherë kanë pasur dëshirë të investojnë në Shqipëri. Tokë dhe vendi i bukur ky vend ynë, besa. Gjithmonë litari i ecejakeve të tyre për të investuar në vendin tonë ka ngecur diku. Ka pasur përherë një ngërc të rradhës. Ligji për krijimin e një shoqërie, rregjistrimi, gjykata, qkr-ja, tatimet, tatimorët, gjobat, punëtorët, sigurimet, ne dembelë. Pra përherë për këdo prej tyre ka patur një gjë që del tinëz pa pritur dhe pa pandehur. Kam parë investitorë të huaj që madje u kanë dalë edhe lot për gjërat që paskan qenë të shkruara për të mos shkuar. Madje ndonjë prej tyre ka dërguar edhe sms tek ai numri celularit me 20 që publikohet me aq pathos për të luftuar korrupsionin. Të vetmet gjë që kanë arritur të kuptojnë në këtë vend është marrdhënia me njeriun dhe jo me shtetin. Duke njohur njeriun në këtë vendin tonë të begatë dhe dashamirës me këdo të huaj arrin të mbarosh punë. Pra besim tek cdo lloj qeverie në gjithë këto vite që ata investojnë/punësojnë në këtë vendin tonë nuk kanë patur. Ama hijen e rëndë të shtetit dhe të përfaqësuesit të saj kur u troket tek porta e biznesit arrijnë ta dallojnë dhe t’i mbijetojnë. Këtë duhet të bëjë edhe qeveria jonë me anë të një ligji të fortë. Investitori i huaj të shpallet i paprekshëm.
Përse shumë investitorë italianë i tërhoqën investimet e huaja nga Rumania apo Bullgaria? Mendoni se patën atje tatimorë apo policë që i bezdisnin dhe kjo mund të jetë arsyeja? Aspak. Hynë në BE këto dy vende dhe ndryshuan kontratat e punës së punëtorëve. Krahu i lirë emigroi sapo u hap semafori jeshil në kufijtë respektive. Investitorët e huaj gjendeshin më së miri në këto dy vende. Këtë s’dimë të bëjnë ne pasi i kemi mësuar ata se cdo problem zgjidhet me mikun/shokun. Nuk u kemi prezantuar shtetin si palë për të negociuar. Si kemi dhën kurrë një përgjigje pyetjeve të tyre: Cfarë më ofron po erdha të investoj? Sa do ta kem subvencionimin? Do shohë ndonjëherë në derën e fabrikës ndonjë unifomrë policie, tatime, bashkie? Para pak kohësh m’u dha rasti të negociojë për një investim gjigand të IKEA në Shqipëri me anë të partnerit të tyre në Itali. Sapo kishin ardhur nga Maqedonia ku kryeministri Gruevski u kishte premtuar vetë personalisht deri në 50% subvencionim të cdo lloj investimi, akcizë të ulur, zhdoganim në kohë, tatime të reduktuara, pra sic mund ta quajmë ndryshe “klient preferencial”. Kur ndërkohë nga ana ime po mendoja se si mund t’i krijoja ndonjë pikë kontakti. Pra sa e largët oferta jonë. Këto ishin shumë prej dilemave apo shqetësimeve të shumë prej pasagjerëve në linjën e Tiranë-Bari-Tiranë, cdo të premte mbasdite dhe kthim cdo të hëne në mëngjes. Të një avioni të stërnbushur investitorësh italianë që kanë ardhur në Shqipëri për të investuar me paradoksin dhe cudine e cdo lloj qeverie nuk i mblodhi një ditë qoftë edhe për një kafe, imagjinoni për t’i dëgjuar apo për të menduar madje edhe për ligje për t’i mbrojtur ata.
Publikuar edhe në: www.cene-alb.com
No comments:
Post a Comment