Monday, October 4, 2010

"Ai"

Ai?! Ai ishte personazhi më i heshtur i qytetit. I atij qyteti rrëzë një mali që rruga e re nuk pati fatin ta përshkonte. E la ashtu të lënë mënjanë si fati i këtij personazhi të harruar. Nuk bëzante teksa kalonte në rrugë. Herë me një bicikletë dhe herë pa të, me ecjen e shkujdesur në trotuar. E përsëris vetëm në trotuar. Me atë që nuk e di sa herë trupin e ndryshkur nga boja ja kishte lyer. Edhe një zile biciklete që kishte menduar se do t’i hynte në punë i qëlloi e prishur sapo e montoi. Më mirë do kishte menduar. Nuk po bëj zhurmë. Ashtu si qëllimi apo misioni i tij në jetë. Cdo ditë dilte nga shtëpia në po atë orar. Po ajo cigare në fund në buzë apo në duart e në gishtat e kthyera në ngjyrë të verdhë. Po ajo fund-cigare ja vlen më mirë të thuash. Dhe në atë orë mëngjezi, e vetmja siluetë që përshkonte rrugët e qytetit. Kur ishte ftohtë edhe një pardesy e mbështjellë si për të pritur ajrin e ftohtë që hidhej vërdallë tij. Ishte ai. Mësuesi i një province të largët, që sic e thashë edhe më parë, e pafat nga mospërshkimi i rrugës së re. Kishin kaluar vitet dhe ai ishte po aty. Kishte ardhur demokracia dhe ai përsëri po aty. Ja kishte qejfi të lëvizte apo ishte ambientuar me këtë zgjim dhe ecje të shkujdesur në rrugët e qytetit, kjo nuk ka rëndësi. Ai ishte po aty. Mësues atëherë dhe tani. Në atë kohë me një rrogë sa për të blerë bukë dhe gjithcka tjetër që duhet për t’u ushqyer apo veshmbathur. Dhe në këtë kohë që do ja dilte disi me rrogën e një mësuesi. Ai përsëri personazh i heshtur i një qyteti jo të harruar me apo ap shkak. Nxënësit e tij, realitete shtegtare mësoheshin prej tij dhe fatet e tyre përplasin kudo gjetkë. Edhe kur ktheheshin të sigurt që fytyrën e tij do ndeshnin në po atë orë, në po atë rrugë. Me po atë ecje do ta shquanin prej së largu. Edhe bicikletën e lyer me sa mijëra herë. Edhe fundi i cigares. Edhe mos-bërja zhurmë, kartvizita e tij. Realiteti i provës së fateve të tyre, jeta u kishte mësuar me misionin e tij në jetë. Po ai prapë nuk bëzante. Nuk cirrej. Rrogën, faleminderit thoshte sa herë e merrte. Kohët ndryshonin dhe parakalonin me flamujt e ndryshimit para tij. Ai kishte zgjedhur dicka tjetër në jetë. Në atë pjesë të globit që ditët ngryseshin më shpejt dhe mengjeset vinin po më shpejt. Këtë realitet nuk e kishte zgjedhur me paramendim. I kishte rënë në pjesë dhe ishte ambientuar me të. Dhe prapë një ditë e re. Bukën me vete kur ishte në këmbë ne dorë mbështjellë. Kur ishte në atë kolltukun e bicikletës së vetmen pasuri që kishte, në zgarën e saj. Ndoshta nuk ishte menduar gjatë përpara se ta blinte. Përse do t’i duhej vallë kur qyteti përshkohej në këmbë në vetëm 20 minuta. Besoj se kishte menduar se aty një ditë horizontet do hapeshin dhe do celeshin rrugë të reja. Por jo fati i tij qëlloi i kundërt me atë që parashikoi. Qyteti nuk u përshkua nga rruga e re, që i kaloi përbri dhe atë e la të qetë e të patrazuar në qetësinë e tij. E la me hapin e shkujdesur drejt heshtjes dhe zgjedhjes në atë moment, atëherë dhe në të pashmangshmen tani. Shumë vonë për të lëvizur nga po të njëjtat fytyra të këtij qyteti. Më e rëndë ideja se do të gjejë pot ë njëjtin realitet edhe aty ku do shkojë. Më e pakta tragjedi rruga e re që i kaloi pranë qytetit dhe nuk e përshkoi. Të paktën bicikletën do ta përdorte më shumë, aq sa dhe gomat dhe jo vetëm ngjyra t’i konsumohej. Ndaj në këtë qytet kanë bërë tashmë pakt me ekzistencën e tij. Do të ishte vërtet ndryshe të mos shihje një ditë në këtë qytet një personazh si ai.

Publikuar edhe nga: www.cene-alb.com

No comments:

Post a Comment