Tuesday, October 5, 2010

"Nga mitingu në miting... Nga fitorja në "fitorje"

Ishte kohë fushate. Në telefon më erdhi një mesazh. Urgjent duhet të mblidhemi në shtab, (elektoral). Sikur isha mësuar me këto alarmet dhe nuk bëra zë. Brof në këmbë dhe u turra tutje për të respektuar kushtrimin. Filloi mbledhja dhe foli kandidati për deputet. “Jam shumë i mërzitur” – tha, “Një gjëmë na ka rënë komplet si shtab elektoral”. Thamë të gjithë në heshtje pale se kushedi c’ka ngjarë. "E kam fjalën për Sefen" – vazhdoi të thonte kandidati për deputet. "Për kë Sefe ta ketë" – pyesnin veten shumica prej shtabit. Unë vetëm nuk u hardallisa me konstatimin e kandidatit. Isha vetë unë që e pata përhap këtë lajm. Në fakt asnjë prej nesh nga ata që e njhnim nga afër nuk do cuditeshim me bëmat e Sefes. Dikur pat lënë me gojë hapur edhe vetë të madhin Dritëro Agolli. Sejfullai ishte një personazh mitik nga Menkulasi i Devollit, bashkëfshatar i të madhit Dritëro. Më ezber nga goja s’bënte nëna. Cdo fjalë që thoshte i jepte rimë dhe e nxirte në formë bejteje.

“Sa bukur na flet o kandidat…
Sa me fat që jemi, sa me fat”

Po këtë herë Sefja na kishte mbledhur për një gjëmë. E madhe gjëmë. Na kishte hapur punë. E madhe punë. Na e kishin parë Sefen në një nga mitingjet e tjerë që bëheshin në zonë dhe kishin raportuar tek kandidati edhe pse më parë isha unë ai që e kishte njoftuar. Kandidati më komunikoi që duhet të flisja menjëherë me Sefen dhe ai duhet të më sqaronte përse na kishte shkuar tek kampi tjetër. Me mision? E sigurt që nuk ishte. Arsyen duhet të dinim. Mos vallë na e kishin paguar Sefen kundështarët. Sa napolona i patën dhënë xhanëm. Dhë shkova e u nisa për të gjetur Sefen. Mejhane më mejhane, lagje më lagje. Aty ku Sefja bënte kuvënde. Dëgjove Sefe c’më bëre thosha me vete. Dhe ja tek e gjej në një hije pjergulle me një faqore rakie dhe nja ca gota po rakie përpara. Vend më të bukur për mërzi s’kishe ku gjeje. "Sefe vëlla" - i thashë, "Me lodhe, po i kam nja dy fjalë me ty". "Pa hë, për hajër na qoftë" - tha Sefja. Kandidati është mërzitur shumë me ty. "Pse, mos kam thënë ndonjë gjë të ligë lart e poshtë?" E di ti si vë dot fre kësaj të uruare gojë. "Jo, jo" - i thashë. Është mërzitur se të kanë parë në kuvende të tjera, kuvende partie. Ah për këtë je mërzitur ti o? Dëgjo tha Sefja serbes dhe i qete. Unë shkoj për të dëgjuar platformën elektorale. Dua të di cdo bëhet me fatet tona. Me xhadenë. Me ujin. Me elektrikun. Sefe leri ato po më thuaj pse na ike dhe sa do vazhdosh të bësh lojë të dyfishtë, edhe me ne edhe me ata. Ah mor djalë - tha Sefja. Edhe ne shkoje, pi na një birrë. Pa në ndonjë miting edhe "rad bulli", e ore ajo pija me dema që më tërbon edhe mua dhe plakën. Ah keta mitnjgjet me radbulla i kam me qejf. Në do t’i heqësh kismetin Sefes, lere pa miting – më tha.

Ndaj tani që është kohë mitingjesh, sidomos me numra se sa vetë ishin apo sa do jenë dhe kush miting eshte më i madh apo më i vogël, m'u kujtua kjo historia e Sefes me dëgjim platformash. Është mirë që të kemi ca si shumë Sefe se i kuptojnë më mirë platformat e mitingjeve. Vecanërisht tani “më shumë” se cdo herë dhe kohe tjetër.

Publikuar dt. 18 Nëntor 2009

No comments:

Post a Comment