Pothuajse fund i vitit 2009. Palët duket se po përplasen keqasi. Nuk bëhet fjalë për ndonjë ndeshje e trukuar apo jo, e kampionatit shqiptar të futbollit. Arena e spektaklit politik po përdhoset si asnjë herë tjetër nga etiketime të pamoralshme nga të dy faktorët kryesorë të politikës. Zanafilla lindi me disa artikulime për moral nga ana e pozitës. Pa pritur dhe pa pandehur. Shkaku apo qëllimi, vec këtë herë s’po merret vesh se nga nisi. Edhe ata që njihen si analistët e cdo situate politike duket se po përqëndrohen më shumë tek fjalori banal i kyreministrit se sa tek thelbi i problemit. Jetojmë në në vend demokratik që principet esenciale të demokracisë i kemi përdhosur me mijëra herë. Me apo pa shkak.
Nëse Tokëvili do të ishte gjallë me siguri që do vendoste që parimet e tij mbi demokracinë e një shteti t’i shikonte më me skepticizëm. Këtu rregullat e lojës me sa duket nuk funksionojnë. Opozita sillet si të ishte pozitë dhe pozita e kundërta. Morali i demokracisë që do të duhej te fillonte nga vetë ata që duhet ta zbatonin atë, i pamundur. Pra nëse pozita sot akuzon për moral apo qëndrime të pamoralshme opozitën, për këdo do të thotë që argumenti dhe zgjidhja janë rrëzuar pa u nisur. Por a ka argument më të mirë për pozitën se sa të jetë në provim cdo javë apo cdo muaj me popullin e vet. Me ate pra që i dha verdiktin me më shumë apo më pak vota, të qeverisë. Përse ekonomia nuk po shënon rritje ashtu sic u parashikua. Përse aktorët financiarë të një vendi, banka qëndrore, bankat e nivelit të dytë, koorporatat nuk ftohen të marrin pjesë në këtë debat. Përse vendi ynë cdo vit shënon hapa prapa në luftën kundër korrupsionit. Këto vërtet që përbëjnë shqetësimin më evident tek njerëzit sot. Ata vërtet që nuk presin lugën e floririt sic edhe u pat premtuar, por të paktën nje zgjidhje të problemeve dhe halleve të tyre e meritojne.
Sa herë që akuzat personale janë hedhur në fushën e debatit politik e vetmja palë që nuk ka përfituar nga ky debat ka qenë opinioni publik. Ai përherë e më tepër që tkurret dhe drejtohet më së shumti drejt apatisë. Nuk merr pjesë në debatet publike. Nuk dëgjohet në seanca interesi dëgjimore. Dhe për herë e më tepër i drejtohet arsyes: me vetëgjyqësi nuk fitohet. Këto vërtet janë element mjaft të spikatur për funksionimin e demokracisë. Por në të vërtetë a i intereson klasës politike shqiptare që në këtë vend të funksionojë ashtu sic duhet demokracia? Mendoj se jo. Këto akuza që po hidhen sot në tregun e shpifjeve apo të deklaratave pa fund e krye, duken haptazi se po zhvillojnë krijimin e kushteve të përshtatshme për funksionimin e mafias. Pa dyshim që terren më të përshtatshëm se akuzat e ndërsjellta mes aktorëve politikë nuk do te kishtee. E gjithë vëmendja e opinionit si mediatik po edhe atij publik është e drejtuar tek ky debat, të cilin deputet e të dy krave po e furnizojnë mjaft mirë me "diesel 2". E njëjta gjë që ndodhi në Italinë e viteve të Andreottit apo Cosigës po ndodh më Shqipërinë e sotme, me idenë që Aldo Morot do shfaqen shumë shpejt në skenë.
Nëse ne do të ishim italianë sigurisht që tuneli i Thirrës do të na shqetësonte më shumë se sa ai Torino-Lion, që ende nuk ka nisur. Nëse ne shqiptarëve nuk do të na shqetësonte gjendja mjerane e spitaleve dhe e gjithë shëndetit publik, sharjet nga nëna dhe nga gruaja do ti kishim lux, bash si 5 dashnoret e Berlusconit në Villa Certosa. Nëse ne shqiptarëve nuk do të na shqetësonte e fjetura në qiell të hapur, sic bëjnë sot 10% e bashkombasve tanë, përurimi i 1001 apartamenteve po nga Berlusconi s'do ishte lajm. Nëse ne shqiptarëve vërtet do të na interesonte debati politik, fitoren e Bersanit me 3 milionë votat e të majteve italianë nuk do ta krahësonim me atë që po ndodh sot realisht në Partinë Socialiste. Mendimi ndryshe nuk do të shihej si proces konspirativ, por si shkallë emancipimi dhe shembull edhe për partinë që kryeson dhe udhëheq sot shqiptarët drejt demokracisë, të cilën ëndërrojmë vërtet ne shqiptarët. Për atë të cilën edhe brohoritëm dhe enderruam para ca vitesh i madh dhe i vogël.
Publikuar dt. 30 Nëntor 2009
No comments:
Post a Comment