Monday, October 4, 2010

"E duam Hamallaj-n si gjithë Europa."

2010. Është një vit jubilar i shumë bëmave të këtyre dekadave të fundit dhe nuk ka më mirë teksa na gjen duke u përpjekur për të shkelur në Europë, pa viza. Edhe pse e dimë që në shumë aspekte jemi fare përtokë. Rasti më i fundit Hamallaj. Po të mos mjaftohemi me kaq pasi ajo që na panë sytë para dy ditësh është vetëm maja e ajsbergut. Kjo gjë që dua të sjell në vemendjen tuaj nuk ka të bëjë aspak me ngjyra politike. Na dhëntë zoti frymë që të mos flasim gjithmonë për të. Apatia që na ka përfshirë të tërë sa jemi është shëmbulli më i mirë. Por le të kthehemi tek ajo që ndodhi në Hamallaj. Përleshje deri edhe me bomba molotov, që ka më shumë se 13 vjet që s'shohim përvec ndonjë shkëmbimi zjarri në ajër me helikopterët që gjëmojnë të mbjellat e të korrat e hashashit. Problemi nuk qëndron tek mjetet e përfshira në dyluftimet me policët e shtetit të mbuluar me skafandra dhe mburoja. Por shkaku që coi në këtë përleshje është më mirë të diskutohet. Ai është një problem që na mban akoma më shumë kilometra larg Europës. Edhe aty ka përleshje. Madje përleshje dhe dhunë pa fund. E ngjashme edhe ajo në Greqi. Por jo për legalizim dhe prishje të ndërtimeve pa leje. Ky është një koncept i rëndomtë që Europa, ajo që ne aspirojmë ta shkelim pa viza e ka zgjidhur me qindra vjet më parë. 

E pra të përleshesh për legalizime dhe ndërtime pa leje në vitin 2010, për më tepër në një vend që aspiron të jetë kandidat i BE-së në fund të vitit, do të thotë tragjedi. Po a kanë informacion komisionerët e BE-së për këto elementë të rëndomtë që shfaqen kohë e pa kohë. E pra të mos kesh zgjidhur akoma problemin e ndarjes së sinorëve. Të mos dish kujt i takon ajo pronë apo kush ka mundësi dhe leje qe mund të ndërtojë në të, mendoj se është një tjetër tragjedi që po i ndodh këtij kombi. Urbanizimi i territorit të një vendi, infrastruktura dhe shumë elementë të tjerë jo të rëndësishëm në dukje, janë elementët që përbëjnë cilësinë në zhvillimin e një shoqërie të tërë, dhe për më tepër aspirante për të qenë anëtare e BE-së. Për të mos folur për shumë problematika të tjera që nuk duken por janë evidente. Trafikimi i qenieve njerëzore një tjetër element që Europa i kushton rëndësi. Nëse sot analizojmë rritjen e problematikave në % për 20 vite, Shqipëria mendoj se i kalon të gjitha vendet e BE-së bashku. Edhe ato që sapo hynë në të, si Rumania apo Bullgaria. Pak ditë më parë një fëmijë i bukur i një familje të varfër diku andej lart nga malësitë e vendit tonë humbi. Po sa fëmijëve të tillë si fati i Bleonës nuk u dihet fati. Shumë të trafikuar prej atyre që e kanë profesion këtë ligësi të pështirë dhe shumë të tjerë të trafikuar apo shitur prej vetë prindërve. A nuk është ky një tjetër element që na mban akoma më shumë larg Europës. Nga ana tjetër përdoruesit e drogës. Sa kanë qenë shifrat e përdoruesve para 20 viteve dhe sa janë tani? Pra ecja galopante e shoqerisë shqiptare edhe drejt këtij vesi, është një tjetër gjë që nuk funksionon në përcapjet tona për të qenë qytetarë europianë. Le të rreken politikanët se faji qëndron tek vullneti apo dialogu politik. Per këto elementë që përmenda më lart mendoni se kanë nevojë për politikën, tryezat e rrumbullakta, negociatat, dialogun, dreka apo darka me krokodilë apo hardhuca. Të gjitha këto elementë kanë nevojë për pak, vetëm për pak vëmendje. Dhe kjo vëmendje duhet të jetë drejt njeriut. Ai duhet të jetë primari. Vetëm rreth tij orientohet bota. Jetës së tij. Kokëcarjeve dhe përpjekjeve për mbijetesë. Nuk kërkohet që klasa politike t’i hapë nga një depozitë kursimesh cdo qytetari të vendit, por të paktën ta ndihmojë të jetojë. Ta ndihmojë dhe madje ta pyesë se cfarë elementësh i duhen për të jetuar. Ai ndërkohë paguan. Paguan që në momentin që del prej shtëpisë. Disa taksa prej hallit dhe disa prej zorrit. Për disa që ekzistojnë dhe për disa që janë fantazëm . Por ai prapë nuk bën zë. Nuk bërtet dhe as nuk cirret. Voton apo s’voton koha ka treguar që ndoshta nuk është se ka shumë nevojë për votën e tij. 

Ky pra, është qytetari i ri i Shqipërisë me shumë halle që aspiron ta thyejë fare atë koliben e policit në aeroport, teksa ja shikon pasaportën në të gjitha pozicionet e mundshme si të ishte e shkruar fallco. Ky është qytetari që ka ndërtuar kur nuk i tha kush mos ndërto. Ky është qytetari që në vitin 2010 ngujohet prej gjakmarrjes, këtij riti që edhe pse kanë kaluar shekuj nga legjendat e Iliadës, Eneidës, Helenës vazhdon të jetë prezent në vendin tonë. Jemi shumë të lashtë për të hyrë në Europë, besa. Sa mitik dhe provincialë. Ky është qytetari që paguan sigurimet dhe që në ditën e parë që ka derdhur paratë e sigurimeve, ka marrë në dorë një librezë që nuk vlen as për të fshirë b. Ta provojë ta tregojë diku në këto strukturat e reja spitalore me kavie eksperimentale mjekësore, shqiptare apo të huaja dhe të shohë se a do pijë ujë. Do të ketë mundësi të përfitojë dicka prej saj një ditë, një analizë, një ilac ndoshta edhe për të helmuar veten. Pra pa qenë i siguruar, a ka perëndi në botë që e merr përsipër këtë popull t’i shkelë trojet dhe viset, aty në europë që shkohet në spital qoftë edhe për kortezi apo për kontroll rutine shëndeti. Kjo shoqëria jonë e sëmurë nga të gjitha llojet e sëmundjeve ka shanse ta përplasë fatin e saj në Europë? Ka shanse kur të gjithë politikanët llomotisin dhe nuk i tregon kujt drejtuesve të shëndetit për 20 vite që jemi pacavure për sa i përket jetsë së njerzve. Ata po megamollanë të mëdhenjë. Reformat në shëndëtësi vazhdojnë dhe njerëzit vdesin. Vdes edhe shpresa e tyre me librezë kontributesh në xhep. 

Të ngelemi tek ky problem. Sa është % e të prekurve me sida në këto 20 vitet e fundit dhe sa ishte. Nuk po bëj analizë dhe as paradokse në lidhje me atë se cka ishim. Por e kam fjalën tek trendi i rritjes. Nga 2-3 raste para viteve ’90 sot jemi në shifra astronomike. E pra një BE e sigurt që për t’i rënë kambanave të alaramit shikon pikë së pari trendin e rritjes së këtyre elementëve. Babëzitja për të bërë seks i mbrojtur apo i pambrojtur në pamje të parë nuk të jep përshtypjen se përbën rrezik të na ngelë në klasë por nga ana tjetër tregon se jemi një komb shumë “i lodhur nga jeta”, madje shumë i lodhur. Po sa të tjerë nuk ekzaminohen nga frika se mos mbaritnj këtë virus? Po ambienti përreth nesh sa i ndotur është? A është ambienti ynë i denjë për të hyrën në Europë? Ne që për tështima kemi vetëm skorje mbeturinash pa fund. Ne që vetë me dashje apo pa dashje kemi licencuar vdekjet tona klinike-ambientaliste. Ne që nuk u ngritëm kurrë të themi se sa të rënduar i kemi frymëmarrjet, mushkëritë tona. 

E pra që Europës mos t’ja shpifim dhe t’i sjellim jo pak pështjellime për të na pranuar apo jo, propozoj që më parë duhet të bëjmë analizat e shëndeteve tona. Jemi të shëndoshë dhe të pastër e pa viruse që të udhëtojmë në europë. Mendoni se ata janë budallenj dhe nuk e kanë menduar një gjë të tillë. Mendoni se ua kemi hedhur dhe nuk janë kujtuar për këtë gjë. Po, po i harruan dyndjet e rumunëve para dy vitesh ata dhe gjithë problemet që i sollën vendeve të BE-së. këtë rradhë ata, europianët janë disi më të qetë se jemi racë ariane ne bashibozukët që nuk e tundim një herë nga themeli gjithë këta mostra që tallen me jetët tona. Ne që vetëm llomotims, shohim TV dhe mërzitemi si nuk bën gol Brazili apo si eleminohet Italia. E pra pika që na rëntë ne dhe fateve tona. Kjo e gjitha më duket tamam si shprehja e nisur për futbollin po e bitisur për ne: duam të hyjmë në Europë me brekë nëpër këmbë.

No comments:

Post a Comment