Wednesday, October 6, 2010

"Jetët tona, të lidhura me zinxhir"

Ulëritëm… bërtitëm… thyem kangjella… u kacavirëm nëpër litarë pamporësh… rrëzuam buste… mite… mposhtëm frikën… rrëzuam sisteme… fituam shumë… lirinë… demokracinë… të shprehurin… u liruam nga zinxhirët… por pa e ditur që gjithësecili prej nesh është një hallkë e kapur me po të njëjtin zinxhir. .. vec më i bukur ky besa… duket edhe më i praruar… edhe pse mbetet sërish zinxhir.

Para disa kohësh u shokuam të gjithë teksa pamë ato pamje të rënda të cilat bënë xhiron e botës. Një baba mbante të mbyllur vajzën e vet rreth 20 vjet. Makabre. Tronditëse. U bëmë merak për botën dhe qytetarët e saj. I harruam këto bëmat tona të cilat kur na ndodhin janë gjithmonë lidhje në seri. Harruam që jemi i vetmi vend ku jeta e njeriut është momenti, casti, minuti, sekondi. S'ka instrument në botë që na merr përsipër, aq keq jemi. Mënxyrë. Hata. Skamje. Tragjedi. Komike. Po komike. Sepse c’mbollëm, korrëm. Bërtitëm liri-demokraci dhe harruam të pyesnim veten për jetët tona. Kujt do t’ja besonim? Doktorit në spital? Politikanit? Ministrit? Komunës? Bashkisë? Shoferit në rrugë qe te ngre ne ajer? Zjarrëfikësit? Policit? E vetmja gjë që nuk menduam. Na rrëshkiti. Na e futën. Nxituam të iknim nga sytë këmbët. Të vetmen gjë që duhet të mendonim, në ato momente nuk na shkoi ndërmend. Pse? Nuk mendoj se na e ka fajin kush këtë herë përvecse vetë ne. Faj kolektiv. Dënimi është më i butë dhe më i ashpër, gjithsesi. Na kanë dënuar me vdekje, me jetët tona. Shohim pamje dhe na duket sikur tronditemi. Njerëz që cdo ditë shfaqen në TV-të tona të lidhur me zinxhirë. Në nga ato kasolle që as fiset tribu nuk do ta pranonin të jetonin. Me sobën me dru në mes të shtëpisë. Tavani po dihet, pullaz kashte. 

Albania 2009. Një vend që s'ka një spital psikiatrik për të sëmurët mendorë. Më saktë s’ka as për te saktet. Gjasme ata, ne që jemi mirë nga mendja e kokës. Mendoni se ka? Provojeni një ditë të sëmureni. Pa merrni një herë rrugën për nga mali i Dajtit. Ju del perpara ai, spital-kandahari. Aty ku të saktët shoqerojnë të semurët për t’u kuruar dhe sëmuren po vetë. S’kanë kush një librezë shëndetësore në xhep. Analizat fjale e huaj. As kartë identiteti, kush eshte. Vetëm para. Cash. E dinë ata pse duhen. E dinë ata se kush i pret. E dinë ata se ku i gjetën. Vetëm pa para se marrin rrugën. Më pas futen në ato korridoret gjithë lagështirë. Minj vërdallë. Roje të dehur që u përplasin dyert në fytyrë për 100 lekë, taksa e hyrjes. Lekë nën dorë të shërohesh. Recetën e ilaceve vetëm në pikën ku bëhet deal-i. Dhe kjo ndodh për të saktët. Gjene mire qe te sherojne dhe doktore mavrite. 30 mije leke rroge. Imagjino ata, të sëmurët mendorë. Ata që po i zbulon cdo ditë media. Ata me zinxhirë. Ne po duket se kemi shpëtuar nga ata. S'i shohim shumë nëpër rrugë. Edhe nja dy a tre që janë këtej nga “Libri Universitar” sikur s'qenkan të bezdisur. Shohin hallin e tyre themi dhe na qesh ironia. Aman o zot na ndihmo. Na ndihmo në një vend që për ironi të fatit kryeministri është një doktor, madje edhe i afirmuar. Si fabrika e xhamave pa xhama, thene më saktë. Ja këta jemi ne. Socialistë a demokratë, qendra, balli, legaliteti, pa parti. Të gjithë të sëmurë. Të gjithë të lidhur me zinxhirë të dukshëm dhe të padukshëm. Të gjithë të lidhur me dëshirë apo nga halli. Të gjithë të sëmurë nga e njëjta sëmundje. Diagnoza? Padituria se c'po ndodh me jetët tona. Na hëngërt mortja pra.

Publikuar dt. 30 Tetor 2009

No comments:

Post a Comment