28 Nëntor. Sot për gjithë shqiptarët është festë. Festa më e bukur dhe më kuptimplotë e një shteti. Të festosh lirinë, pavarsinë s'bën gjë tjetër vecse bën dolli me fatin tënd. Se sa gjak heronjsh është derdhur, sa sakrifica ka kaluar për pavarsinë e tij ky komb, është pak të thuhet. Sa mijëra rreshta rilindas dhe sa mijëra historianë i kanë kushtuar kohën e tyre këtij kombi. Sa politikanë kanë nxituar të shpalosin atdhedashurinë e tyre të pashembullt gjithë këto vite. Por dicka është e vërtetë. Ky komb dhe ky popull sot është i lirë. Udhëton me vizë apo pa vizë në shumë shtete të botës. Shtyhet nëpër rradha ambasadash. Denigrohet nëpër kufinj shtetesh. Shikohet shtremëbr dhe me përcmim. E shajnë nën dhëmbë. I tërsëllijnë fytyrën. I flakin pasaportën tej. E fusin në karantinë nga zgjebja. E shohin me mosbesim. Në gjithë farë mënyrash nga më të pamundurat.
Por përsëri ky është një komb i lirë. Laget nga dy dete dhe përshkruhet nga male të lartë dhe të thepisur. Shtrihet i gjere ndane nje ultesire toke. Ky është vendi ynë gjeografikisht, por jo vendi në renditje. Vazhdojmë të bëjmë problem sa herë jemi në grupe. Avionin tonë gjithmonë në fund të pistës. Autobuzi duhet të vonohet dicka nga mbërritja jonë, pa zhurmë. Kush tha që bzajmë. Gate ynë gjithmonë në ndonjë cep të aeroportit. I tillë vazhdon të mbetet ende vendi ynë i renditjes. Të huajt që vijnë e punojnë këtu ndër ne, janë ata që “sakrifikojnë” më shumë. “Nëna i kish rritur për një botë të re. Lule more europiane që punoni në këtë atdhe”. Vërtet lule nga ato lulet që prarojnë parajsat. Realiteti këtu është vërtet tinzar. "I egër". I poshtër. Por jo për ju. Për ne.
Teksa nxitoja sot si cdo ditë tjetër drejt “rezidencës” sime, kullat binjake, bulevardi “Dëshmorët e kombit”, kundrova një qetësi të pashembullt. Kurrë më parë ndonjë ditë të shtune ky vend nuk ka qenë kështu. Sot më i qetë se kurdoherë. Asgjë nuk pipëtinte. Një bulevard i heshtur që disa ciklistë të shkujdesur kërkonin të arrinin finishin. Disa kalimtarë që kalonin nga njëri cep i rrugës në tjetrin dhe hic. Sot në këtë ditë të shënuar, në ditëlindjen e kombit tim, nuhata mort. Ktheva kokën disa herë të shihja ndonjë simbol të vendit tim. Ndonjë politikan, duke na carë kokën me pallavra. Po le të ishte. Vërtet që do shkoja ndanë tribunës dhe do thërrisja bashkë me të. Do cukisja ndonjë birrë apo ndonjë raki për këtë gëzim. Por heshtje. Kundrim kufomash. Sot nuk gëzohet. Sot ka mort. Ky popull e meriton vërtet mortin, mot e pa mot. Këtë mbolli… këtë korri. Sot ai nuk gëzon. Është kujdesur dikush për të t’i vërvisë qiellit ca fishekzjarre. Mandej edhe ndonjë këngë. Por parada sikur s'po ka më. Sot ka dhe jubile për ata që festa i ndau. Njëri feston 28 si "dy gëzime në një ditë", tjetri një ditë një feste, një ditë tjetren. Prapë sindorma e vëllezërve që nuk shkojnë me njëri-tjetrin. Jo për hir të grave, as për hir të gardhit. Për ironi të fatit tonë. Më të hidhur s’po ka besa.
Para rreth 1 muaji isha në Parma. Qyteti i lindjes i kompozitorit të madh italian Giuseppe Verdi. Qyteti i vogël aty në veri të Italisë festonte lindjen e simbolit të qytetit si cdo vjeshtë të vitit. I ftuar në një nga koncertet edhe tenori ynë Saimir Pirgu, përpos shumë divave të tjera të muzikës klasike botërore. Në mes të qytetit. "Canta un albanese" - thoshin italianët. Aq shumë më pëlqeu dhe aq krenar u ndjeva për këtë copëz të vogël "orgoglio" të vendit tim. Copëtova duart nga duartrokitjet. Gjigand! Vitin tjetër do shkojë sërish. Më pëlqeu zhurma e dedikuar e harqeve të një qyteti. Po do shkoj më shumë t’i kërkoj Saimirit të madh të vendit tim, që mbasi të ketë mbaruar me Verdin, të këndojë një kujë për vendin tim. Po në shqip që italianët te mos ta kuptojnë. E ne shqiptarët të qajmë aty ne Parma fatin tonë. "Shpresë e marrëzi" na e quajti fatin ,patriotja ime Aurela. Më ters nuk ka.
Publikuar dt.28 Nëntor 2009
No comments:
Post a Comment