Dy debate politike po shohim këto ditë. Më saktë dy rezultate priten, por jo pa interes. I pari mes Angela Merkel vs Frank Walter Steinmaier dhe i dyti mes Prof. Lakrorit vs Edi Rama. I pari një 1-sh i sigurt dhe i dyti drejt një 2-shi, sërish i sigurt. Kjo nëse do më lejohej t’i kuotoja si baste sportive. Për koincidencë të dy brenda të njëjtit gardh, brenda së njëjtës shtëpi. Por dallon dueli i parë, ai zhvillohet brenda ekzekutivit, kryeministër-ministër i jashtëm. I dyti po aty sërish si cdo 4 vite, në Sheshin “Austria”. Të dy, si Merkel ashtu dhe Rama janë në detyrë, me një përjashtim që Merkel nuk është kryetare e Bashkisë së Berlinit. Për këtë nuk ma ha mendja se do ta akuzojë kush se kanë qenë apo jo në listë punonjësit e bashkisë.
Nejse pasi nuk është ky thelbi i cështjes që dua të trajtoj, por demokracia dhe retorika e ndryshme që i dallojnë këto debate nga njëri-tjetri. Gjithë interesi për debatin e parë është ekonomia, rimëkëmbja e saj, taksat apo sigurimet. Thelbi i debatit të dytë, në ato sallat mondane të teatrove shqiptare ku bujt me qera Partia Socialiste, është pa dyshim fati i PS-së. Me sa po shohim asnjë nga dy pretendët për kryetar të PS, (njëri që do të vazhdojë me vazhdimësinë dhe atë që tashmë e dimë të gjithë, "Dialogun me Shqipërinë"). Ndërsa tjetri është sefte kandidat, madje një herë qëmoti e pat refuzuar kryetarllëkun. Por që të dy me c’po dëgjojmë nuk po flasin për një parti që ka humbur shumë. Ka humbur njerëz të përkushtuar gjatë rrugës. Kjo parti ka humbur njerëz nga fakti që strategët e saj e kanë kthyer partinë në pronë private. Zgjedhin strukturat drejtuese se ku do të jenë. Pse jo zonat e lehta për deputetë, numrat, shokët apo shoqet, zyrat, sekretaret, kafetë, ngjyrën e perdeve dhe të moketit, etj. Madje zgjedhin edhe njerëzit që do t’i bëjnë për të qeshur dhe do t’u heqin stresin. Bak-Bakët e rradhës, gaztorët ndryshe. Por kjo ka sjellë më shumë apatinë e antarësisë, një plagë e madhe që zor se ka forca të rikuperohet nga një forcë politike në një demokraci të brishtë.
Ajo që i ka ndodhur Partisë Socialiste në Francë, forcave të majta në Itali, Turqi, Danimarkë, Gjermani, apo gjetkë, pritet t’i ndodhë edhe Partisë tonë Socialiste. Dhe kjo edhe më shumë teksa sheh një debat të tillë, në strukturat e PS-së në rrethet ku është zhvendosur gara për kryetar. Nuk po kerkojme që dy kandidatët të flasin për reformat, shëndetësinë, arsmin, etj., si sektorë jetikë të interesit mbarëpopullor, sic është interesi i gjermanëve. Thjesht na pëlqen të shohim në programin e këtyre dy kandidatëve elementë të tillë si p.sh.: si do të kthehen në Sheshin “Austria” zemrat e socialistëve? Mendoj vështirë shumë pasi dihet që aty këndohet dhe kërcehet ritëm tjetër, tallava kjo e jona, tango ndoshta?! Ndryshe nga ajo muzike që i zgjon vërtet interesat e anëtarësisë socialiste. Ato janë të shumta si p.sh. një shtrëngim dore rastësisht në rrugë nga cdo kryetar, a strateg. Një urim apo një shpresë në cdo qarje halli që socialisti i thjeshtë mund të ketë. Por edhe një shtrëngim rradhe apo kushtrim si ai i dy Benëve pak ditë më parë, s’do ishte keq fundja. Ndoshta socialistët janë mësuar me të tilla gjëra. Ka shumë mundësi që strategët që rrufisin kafetë për cdo ditë në klubin e Shefikatit, nuk kanë menduar se dicka ka që nuk shkon në këtë garë. Ata kanë këshilluar cdo pretendent për kryetar të rradhës, pavarësisht nëse atij i ka shkitur apo jo këmba. Këtë gjë duhet të bëjnë edhe sot teksa partia e tyre për të pestin vit rradhazi është në opozitë. Por në një opozitë në kushte mjaft të vështira krizash, edhe kriza ekonomike, pa harruar krizën e potencialeve, krizën e platformës fituese. Vetëm kulti i individit mesa duket është ai që po mbahet më shumë në këmbë. Ai kult që sot e coi sërish PS-në jo vetëm në opozitë por edhe në krizë personaliteti. Ka shumë gjasa që socialistët e thjeshtë teksa dëgjojnë njërin prej kandidatëve të c’fajësohet dhe tjetrin të premtojë, ngrënë supet dhe e fusin veten e tyre në një pikëpyetje të madhe. Të vazhdojmë luftën apo ta braktisim atë? Situata e tyre bëhet më e rëndë dhe familjet e tyre cdo ditë varfërohen akoma më shumë.
Pra debati me sa duket është kthyer në një rrugë pa krye që nuk është se ka shumë rëndësi se kush do të jetë kryetari i rradhës në PS. Kështu mendoj unë që në fund të fundit kam vetëm një votë dhe nuk është se do ndryshoj shumë në rezultat. Uroj të fitojë më i miri dhe u ngritë mbi gërmadha duke e cuar këtë parti aty ku e ka vendin. Në godinën kryeministrore në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, si fituese dhe forcë qeverisëse. Në atë godinë ku vazhdon të qeverisë kryeministri më komod i gjithë kohërave të tranzicionit. Është shumë komod teksa sheh nga laptopi që i kemi blerë dhuratë për 4 vjet ne shqiptarët live Partinë Socialiste, aty ku sot luhet pjesa e dytë e filmit: “Tango e fundit në PS”
Publikuar dt. 18 Shtator 2009
No comments:
Post a Comment