Profil i Drejtorit te Pergjithshem te Veneto Banka ne Shqiperi, dott. Lucio Gaita.
"Ndodhet prej dy vitesh në Shqipëri. Nuk vjen nga shumë larg, por nga një qytet në këmbët e majave më të larta të Garganos në Rajonin e Puglia-s. Prej andej nga ku në ditë të kthjellëta pas shiut, tej në thellësi duken malet e larta të bregut matanë, Shqipëri.
Është nga Foggia, një qytet i bukur dhe i vjetër i Rajonit të Puglia-s. Vec një det i gjerë na ndan, kufi. Këndej dhe andej, në bregun matanë. Andej nga ku kohë më parë, përpara viteve ’90, dukej e zymtë gjithcka. Përballë Puglia-s Shqipëria, vendi në të cilin ndoshta rastësia do ta sillte për të punuar, si drejtor i Veneto Banka në Shqipëri. Ose sic ka filluar të quhet ndryshe nga shqiptarët, “banka e Juventusit”, pasi Veneto Banka është sponsor zyrtar i “Zonjës së Vjetër” në Itali prej disa vitesh.
Ishte krejt rastësore kjo detyrë e ngarkuar nga drejtuesit më të lartë të Grupit Veneto Banka në Trevizo të Italisë. Ata venecianë, dhe ai nga Puglia. Ata përpara vendimit për të zgjedhur “njeriun” e tyre që do t’u drejtonte bankën e sapo-blerë, BIS Banca. Jo në Rumani, Moldavi apo Kroaci, vende në të cilën operojnë prej vitesh me banka solide territoresh si grup. Por në Shqipëri. Në Shqipëri, për të cilën mjaftoi vitaliteti i tij prej pugliezi, e gërshetuar kjo me qetësinë e tij të admirueshme, elementë që të bien në sy menjëherë sapo e takon.
Ai, është Lucio Gaita, ish-zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Banca Apulia-s, një bankë lider në Rajonin e Puglias. Vjen pas një eksperience të admirueshme, atë të drejtuarit të një banke me më shumë se 100 filiale.
Pra Lucio pranon. Vjen në Tiranë për të drejtuar një bankë të vogël, por ambicioze. Veneto Banka e cila ka vetëm 5 vite që operon në sistemin bankar në Shqipëri, me një rrjet prej 12 filialesh. Nuk janë pak për një bankë të re, por as shumë për vetë faktin që në Shqipëri operojnë shumë banka. Duke shtuar këtu faktin që 6 prej filialeve janë operative prej momentit kur Lucio erdhi në krye të Veneto Banka, në Shqipëri. Madje duke shtuar faktin që në këto vitet e fundit gjërat kudo në Europë nuk janë si më parë, kjo falë ulje-ngritjeve që kanë shoqëruar performancën e financave. Ndoshta mund të quhet edhe guxim iniciativa e tij për zgjerimin e rrjetit të filialeve në një treg si Shqipëria, por kjo ndodhi dhe pritet të ndodhë me filiale të tjerë sepse Lucio ka besim. Ai i besoi kësaj që në momentin kur hodhi “firmën” për pranimin e kësaj sfide të re, për të drejtuar një bankë shqiptare.
SepseLucio ka besim tek ekonomia shqiptare. Tek “imprenditorët” të cilët takon cdo ditë. Në zyrë. Në filiale të ndryshme të pothuajse cdo “piace” të rëndësishme të Shqipërisë. Në kantjere. Ndërmarrje. Fason ose dicka tjetër. Kudo ku punohet në këtë vend, kur tashmë është hedhur pas kurioziteti se kush mund të ishte. Një vend si Shqipëria ku fatmirësisht qëlloi ashtu sic atij i pëlqen, në një vend ku punohet. Ku ndoshta koha kalon po e njëjtë sikur të ishte në Puglia-n e tij. Jemi në Europë. Jo shumë larg Italisë së tij, Puglia-s. Aty ku ndryshojnë gjeografikisht vendet dhe territoret, por jo njerëzit. Karakteret e tyre.
Është kjo arsyeja që sot drejtori (nuk i pëlqen aspak t’i drejtohesh kështu), ka shumë miq në vendin e “shqipeve”. Vendi i cili dukej i zymtë para shumë e shumë vitesh. Aty ku Lucio me miqtë e tij kohë më parë apo tani, shkon për t’u larë në ujërat e kaltra të detit Adriatik. I po të njëjtit det që lag edhe Shqipërinë, në atë kohë realitet i ndryshëm. Sot për të pothuajse i njëjtë. Këtej Italia. Andej matanë, Shqipëria e ish-realizmit socialist. Pra sot jo më ajo që ishte, e zymtë, por me miq shumë. Biznesmenë. Artistë. Njerëz të thjeshtë. Gjithcka.
Ndoshta na “shpëtoi” si pa dashje. Ndoshta edhe prej emocionit të përfshirë në këtë “racconto” për Lucio-n. Sepse ai është artist. Fotografia dhe piktura e tërheqin pa masë. I vendeve. Njerëzve. Rrugëve. Peisazheve. I gjithckaje që duket mjeshtërore dhe e bukur. Cmon punët e Besit, Besfort Kryeziut. Madje nuk nguron të thotë që veprat e mjeshtrit Fate Velaj janë realitet i njëjtë me atë që sheh cdo ditë në Puglia-n e tij. Mesdhetare. Por më shumë e kanë bërë për vete punët e maestro Agim Sulaj, shumë i njohur edhe në Itali, i cili i ka lënë mbresa të jashtëzakonshme me karikaturat e tij tashmë të njohura kudo në botë.
Janë këta mjeshtra fotografë apo piktorë të momentit që ka arritur të njohë madje edhe personalisht në Shqipëri. Rrugëtimi për të njohur sa më shumë artistë dhe art shqiptar sapo ka filluar. Prej Lucio-s që me modesti pranon të thotë që “kupton dicka” nga fotografia apo nga piktura. Për të na lënë të kuptojmë që në natyrë është shumë modest. Madje shumë i thjeshtë. Tipike kjo për një pugliez. Tashmë jo më një dicka e re dhe as surprizë. Sepse janë pothuajse të njëjtë me ne. Të thjeshtë. Dhe kjo më shumë na përforcohet teksa njohëm jo pak por drejtorin e huaj të një banke në Shqipëri.
Është e sigurt që Lucio sot ndoshta e ka harruar ditën që i tha “po” misionit të tij për të drejtuar një bankë italiane, diku në një vend andej nga Europa Jug-Lindore. Në Shqipëri. E njëjta situatë ndoshta? Ndoshta jo. Ndoshta dhe po. Por e sigurt që ndodhet aty ku të bie rasti të qash dy herë. Një herë kur vjen dhe një herë kur ikën. Jemi në një vend ku me Puglia-n e tij të dashur na ndan një det. Andej prej nga ku realiteti ynë nuk i qëllon më të duket i zymtë, por plot dritë".
Shenim. Artikulli u botua ne Revisten "Elegance" te muajit Dhjetor 2012.

No comments:
Post a Comment