Friday, February 15, 2013

Revista "Bankieri": flet Drejtori i Pergjithshem i Veneto Banka, dott. Gaita

VENETO BANKA…shpaloset!

BANKIERI: Brenda një periudhë relativisht të shkurtër kohe, banka juaj ka hapur disa degë të reja, ndërkohë kur rrjeti i përgjithshëm bankar ka një zgjerim tepër të kufizuar. Cila është arsyeja prapa një lëvizje të tillë?

Veneto Banka është një bankë relativisht e re në sistemin bankar shqiptar, e blerë vetëm në vitin 2009 nga Grupi Veneto Banka, me qendër në Trevizo të Italisë. Një nga qëllimet kryesore të këtij grupi mjaft dinamik në Itali, është shtrirja në territore të reja me banka të konsoliduara. Ndoshta kjo mund të jetë pak e guximshme në këtë moment, kur ndihen efektet e krizës si kudo, e kur bankat e tjera, sipas opinionit tim, janë në momente reflektimi. Këtu bazohet dhe strategjia jonë, ku theksi vendoset mbi shfrytëzimin e kapaciteteve tregtare, kryesisht në përzgjedhjen e klientelës. Konkretisht, synohet një potencial zhvillimi i gërshetuar me zgjerimin e veprimtarisë në treg, kryesisht duke hapur filiale të reja në territore “të pa-mbuluara”. Kjo, falë dhe përzgjedhjes me kujdes se ku ato do të operojnë, sipas një procesi gërshetimi të vlerave dedikuar shërbimit të klientëve dhe stafit të përkushtuar e mjaft profesional.

BANKIERI: Si pjesë e një prej grupeve bankare më të mëdha në Itali, mund të shpjegoni shkurtimisht strategjinë e biznesit për të zgjeruar veprimtarinë bankare në Shqipëri?

ADN-ja e të gjitha bankave të Grupit Veneto Banka, kudo ku grupi vepron tradicionalisht prej vitesh me bankat e saj, është marrëdhënia e drejtpërdrejtë, duke iu ofruar klientëve shërbime bankare cilësore.

Grupi Veneto Banka është prezent prej vitesh në vendet e Europës Juglindore, duke kontrolluar kapitalin e disa bankave në: Rumani (Banca Italo Romena), Moldavi (Eximbanka) dhe Kroaci (Veneto Banka). Banka i shërben klientëve tanë jashtë territorit italian, me një numër të madh filialesh, pasi Grupi Veneto Banka është grupi i tretë bankar italian me më shumë filiale jashtë Italisë. Mjaft biznese të vogla e të mesme italiane operojnë prej kohësh në Europën Juglindore, dhe shumë prej tyre janë mjaft aktive, me investime strategjike. Këto biznese kanë përzgjedhur bankat e Grupit Veneto Banka si partnere në zhvillimin e tyre në këto territore; për më tepër në Shqipëri, ku aktualisht Italia është partneri kryesor tregtar me afërsisht 45% të totalit të shkëmbimeve tregtare. Nisur nga kjo, Grupi Veneto Banka evidentoi Shqipërinë si treg potencial zhvillimi të biznesit italo-shqiptar, që për hir të së vërtetës, po shënon çdo vit stabilitet në shkëmbimet tregtare. Mendoj se ky treg ka shumë potenciale zhvillimi e rritje në të ardhmen në disa sektorë strategjikë, të cilët do të kenë ndryshime pozitive në Shqipëri, të krahasueshme me vendet e tjera në rajon. Këtu mund të përmendim investimet në sektorin e turizmit, burimet natyrore, energjinë, infrastrukturën etj.

BANKIERI: Çfarë e dallon në sytë e konsumatorit shqiptar bankën tuaj nga të tjerat; pse ata zgjedhin Veneto Banka?

Veneto Banka, si gjithë bankat që janë pjesë e Grupit Veneto Banka, ka në profilin e saj marrëdhënien e drejtpërdrejtë me klientin, duke iu dedikuar atij me të gjitha mundësitë e saj menaxhuese. Shërbimet e Veneto Banka janë në çdo kohë cilësore dhe në kohë reale. Dinamizmi i deritashëm, i gërshetuar me profesionalizmin e stafit të Veneto Banka, ka dhënë frytet e tij. Sot gjendemi përballë një realiteti të patjetërsueshëm e aspak të rastësishëm, ku Veneto Banka, falë dedikimit dhe shërbimit 360 gradë në shërbim të klientëve, ajo ka shënuar hapa mjaft cilësorë zhvillimi dhe pozicionimi, në një treg vital bankar si ai shqiptar. ADN-ja e të gjitha bankave të Grupit Veneto Banka, kudo ku grupi vepron tradicionalisht prej vitesh me bankat e saj, është marrëdhënia e drejtpërdrejtë, duke iu ofruar shërbime bankare cilësore klientëve.

BANKIERI: Si e shihni ju pozicionimin e Veneto Banka në sektorin bankar shqiptar dhe në sistemin financiar?

Është i rëndësishëm të evidentohet fakti që Veneto Banka nuk mund të krahasohet me bankat e tjera më të më mëdha, që operojnë prej vitesh në sistemin bankar shqiptar, si dhe me shtrirjen e tyre me një numër të konsiderueshëm filialesh, thuajse në çdo qytet të Shqipërisë. Gjithsesi, nisur nga eksperiencat e ndryshme në të tetë qytetet ku ne operojmë me filialet tona në Shqipëri, mendoj se gjithçka duket pozitive. Sigurisht, ka një rritje mjaft të dukshme, e pasqyruar kjo dhe në raportet e AAB-së. Ajo që do doja unë të konfirmoja si drejtor i Përgjithshëm i Veneto Banka, është se strategjia jonë do të jetë ajo e mbajtjes së po të njëjtës ecuri.

Shenim. Revista "Bankieri" - Shoqata Shqiptare e Bankave, Janar 2013.

No comments:

Post a Comment