Pas dy mitingjeve të opozitës, një me viktima dhe një me lot, situata politike vazhdon të jetë e tensionuar. Ndoshta më shumë se në kohën kur Ahmet Zogu mundohej të bindte Nolin dhe Konicën. Stinë e vështirë, këtë rradhë në Tiranë. Sot më shumë se kurrë pozicioni i opozitës është në pol position. Mjafton një performancë cilësore dhe kundërshtari në agoni të plotë mund të rrëzohet “nokaut” me një goditje të vetme. Megjithëse nuk është një kundështar i lehtë. Ai ka treguar të ngrihet edhe mbi rrënoja, madje të riciklohet më shumë dhe më me efikasitet se sa letrat që shkruajmë cdo ditë.
Por sot ky kundërshtar ka bërë shumë armiq. Me dashje apo pa dashje. Ka shkelur shumë nga ato principe mbi të cilat qëndron në këmbë shteti dhe kushtetuta. Kurrë ma parë se tani ai nuk ka gabuar në këto 20 vite në të cilat ai është protogonist. Premtoi në 2005 se liderin e asaj kohe do ta nxirrte në pension dhe ia arriti. Vetëm për këtë ai mund të quhet një strateg i pagabueshëm. Por sot atë e kemi përballë të gabuar. Ka sharë me të gjithë bataret e tij kryeprokuroren dhe presidentin e republikës. Dhe kjo nuk është një gjë e lehtë për politikën e ditës në Tiranë, me c’ka përmban bulevardi i të gjitha trysnive të mundshme konfliktuale. Ai sot është në konflikt edhe me kushtetutën. Më saktë me një prej faqeve të saj. Gjithashtu edhe me ndërkombëtarët. Kritika më të ashpra dhe shkak më madhor se ky i vrasjes përpara godinës së cilës ai i ngjit shkallët cdo ditë.
Nëse pak kohë më parë pati Gërdecin me 26 viktima dhe populli zbarkoi në shesh, po përpara godinës së tij. Nëse për 20 ditë opozitarët i kishte me qera përpara zyrës së vet për votën dhe kutitë. Sot ai ka bërë atë që arriti të bënte para 14 vitesh. Lajmin për të gjitha stacionet televizive që informojnë mbarë botën cdo një orë. Ndaj dhe sot ai nuk është aspak komod si në të gjitha herët përtej 2005, vitit kur ri-erdhi me aq shumë bujë në pushtet. Por këtë rast duhet ta shfrytëzojë opozita, që jo pak labirinthe dhe teza të vështira i ka prezantuar për kompromis atij.
Opozita sot është në pikën e 11 metërshit. E vetme përpara portierit më të mirë dhe më të sprovuar që ka nxjerrë politika shqiptare. Ai që e ka provuar stolin. Dështimin. Kryengritjen. Largimin e sponsorëve diplomatikë. Dezertimin e bashkëpunëtorëve më të afërt dhe aleatëve më të ngushtë. Sot opozita përpara se ta gjujë këtë penallti duhet të matet mirë. Nuk bëhet fjalë më për një faull. Boll të tilla ka patur në dorë deri tani dhe nuk i ka shfrytëzuar sa duhet. Mbrojtësi i karriges më të lartë në sallën ovale të qeverisë është shumë i tërbuar. Mediatikisht gabon pa fund. Shumë fronte lufte ka hapur dhe ka bërë shumë kundërshtar nga ata që s’duhet të bënte. Madje ka dhe faturën e tre viktimave në një protest të organizuar nga opozita e një vendi anëtar i NATO-s. Madje edhe parandalimin e dhunës një javë më pas nga opozita. Pra që lë të kuptohet se opozita ka në dorë valvulën e shpërthimit të zemërimit popullor. Gjithashtu edhe pengun për shumë nga votimet në parlament që kërkojnë shumcën e votave. Madje edhe braktisjen e shumë tryezave të kompromisit. Një faturë e lartë që gjasat janë të mos jetë edhe aq fatlume. Për më tepër për zgjedhjet e ardhshme kur ai kërkon të fitojë sërish edhe pse është pothuajse e pamundur në letër. Aq i pafat sa edhe hyrjen pa viza në europë, këtë ëndërr të gjithë shqiptarëve arriti ta sfumonte. Ndoshta nisur nga fakti që është i vetëm dhe i rrethuar nga këshilltarë që e mesojnë keq. I vetmi që mund ta mësonte, ai që arriti ta sillte në pushtet është sot i akuzuar sa më s’ka. Presidenti Topi.
A do ta hedhë poshtë CV-në e tij për rikandidm pas 1 viti, unë këtë nuk e di? Gjithsesi diku në një rrugë të ish-blokut, në atë lagje ku ai hynte me orë e pa orë vite më parë, është një seli e një partie që ai sot e ka në krahë. Kjo seli dhe kryetari i saj i sapo dorëhequr janë për të shpëtimtarët e rradhës. Kanë 4 deputet aq sa do të mjaftonin ta conin vendin në zgjedhje të parakohshme. Pistoni LSI sot po punon për motorrin e qeverisë dhe karrirerës së vet. Edhe pse e sigurt që haraci i kësaj mbështetje do të jetë jo pak i madh. Përpara është Presidenti Topi i cili bën vaki të kthehet në strumbullarin e të gjitha negociatave të mëpasshme. Po kështu edhe kryeprokuroja që në këto momente është duke lexuar dosjen “Meta-Gate”. Të dy këta të mësipërmit mund të ndikojnë tek Meta që skakiera politike të marrë përmasa të jashtëzakonshme.
Meta njihet për lëvizje të cuditshme dhe shumë surpriza. Raportet e mira me Presidentin Topi dhe celësi i sigurisë tek dosja e vet në prokurori mund të sjellin një rënie të qeverisë në mes të ditës. Por Meta sërish mund të luajë shumë bukur. Jo pak kandidatura mund të ketë menduar në kokën e vet për të zëvendësuar njërin prej këtyre që akuzohen pa fund ose të dy së bashku. Braho, Panariti apo Naco mund të jenë njëri prej të urtëve të LSI-së që të ulet në kolltukun presidencial. Por edhe të tjerë juristë që kanë CV-në sot tek partia e tij në rrugën “Sami Frashëri”. Ndaj sot topi është i Metës dhe duhet të shohim atë se c’do të bëjë me këtë top. Do ta mbajë apo do ta gjuajë kjo është cështje e tij.

No comments:
Post a Comment