Saturday, January 22, 2011

"Mirupafshim, Shqipëria ime!"


Ndoshta mund të iki. Madje cdo ditë e më shumë, po më mbushet mendja të iki. E di që do gëzohet motra ime, që ka 13 vjet që vjen vetëm një javë në vit. Do t’i pëlqejë shumë ky lajm. Sa herë më lutet: Eja! Do të më ketë krahë ashtu sic unë dhe gjithkush prej nesh di të bëjë për familjen. Do të marrë me vete edhe bashkëshorten time. Edhe krijesën që këto ditë po na vjen në jetë. Them se do ta shpëtojë nga ky bulevard i paparë llogjesh dhe kafexhinjsh që më bie rasti të shohë cdo ditë. Për fatin tim të mirë nuk e kam shumë haberin se c’bëhet në periferi. Por s’jam shumë kurioz se shikoj bulevardin. Njerëzit që i sillen rrotull atij. Për hall dhe për qejf. Ndoshta edhe për t’u dukur. Ka dhe nga ata që “rastësisht” gjuajnë rastin se kur vjen, ai. Ministri, Drejtori, Sekseri, Tenderi, Ortaku, Biznesi. Me shokun, me mikun, me dashnoren e rradhës. Nga kjo dua të ndahem. Kisha kohë që e nuhasja katrahurën. Më dukej përditë se dicka nuk shkonte. Artisti me kontrollin, muzikanti me politikanin. I majti me të djathtin. Të gjithë të molepsur e të stisur këtu në bulevard. 

E di që s'do ta kem të lehtë të përballem me fillimin. Ai si gjithmonë i ashpër, ndoshta ndonjëherë edhe i pafat. Po do kërkoj rastësinë. Të paktën më mirë të ndeshem me të në metropolet e denja të europës që nuk na zgjidhi kurrë një hall, se sa të endem i paqartë me të ardhmen time. Dua të bëhem i dobishëm. Nuk dua të më tallë e ardhmja. As të kem për boomerang të shkuarën. Të paktën asaj bote që do t’i përplasë brirët dhe hallin tim ja di gjuhën. Mbase mjafton sikur të mos merrja vesh nga asgjë. Do të më vijë keq për miqtë, shokët, dashamirësit. Do t’i mërzisë armiqtë. Them do t’i mërzisë pasi sikur ishin mësuar me luftërat e mia që nuk bëjnë kurrë keq. Do ngelem pa rrufitur kafenë dhe pa zënkën e përditshme, ekskluzive për vendin tonë, vonesa. Se harrova duke rrufitur 30 minuta kafenë. Atje në Europë pihet në këmbë, 2 minuta. Gjithcka nxiton dhe askush s'ta ka ngenë të të japë muhabet dhe të të thotë se sa dashnore ka kryeministri. Hall i madh, besa. 

Do të iki. Them shtëpinë mos ta marrë shumë të madhe. E di që do më vijnë nga mbrapa shumë miq. S’kam nge t’i presë dhe përcjellë. E mandej t’i joshë rehati im, punë cdo ditë. T’u shkojë në mendje edhe atyre dhe t’i ngjishen atij realiteti. Më zë frika për një moment se e di që do ta prishim pa frikë edhe atë botë që nxiton cdo ditë në hallin dhe punën e vet. Do bëhemi kurioz, e sigurt. Sa para ka ky përballë? Pse ka dy mace dhe një qen? Me ca i mban? Pse s’na flet kur na shikon tek shkalla? Vëret se kisha menduar asnjëherë, por sot më shumë se kurrëdo. Poshtë dritares sime, në bulevard. E përsëris shpesh herë këtë se imagjino të isha në periferi. Vërtet si duhet të jetë në periferi? Pra dje poshtë dritares sime pashë një plumb të kishte përshkruar tej e tej.  S’doja ta bëja publike. Jam ambientuar disi me këtë realitet. Por këtë fakt s’arrita ta fsheha dot. E pa një italian. S’ka rëndësi se kush është. Më tha duhet të ikim. Punojmë në një bulevard të një kryeqyteti, dhe plumbi që na ka përshkruar kanatin e dritares është mysafir i paftuar në zyrën tonë. 

C’duhet të ndodhte më shumë? Kohë më parë italianë të tjerë, ose më saktë europianë dhe qytetarë të G8, më thanë luks i paparë. Jeni m’u në mes të bulevardit. Përballë me Quirinalen. Por kjo ndërtesë sot është vërtet rrezik. Dhe luks i tepërt ta kesh përballë. Ose më saktë disi më anash. Përballë do të jetë parlamenti i ardhëshm. Pas disa vitesh do të jetë në krye një forcë tjetër politike. Sërish edhe atë do ta sulmojnë. Dhe sërish më shkon mendja tek plumbi. Nuk po e gjej dot. Këtë herë më kaloi pa e parë dhe pa e gjetur. Herën tjetër për të mos të ma gjetur miqtë e mi në trup, po iki. Ndaj më jepni një ndihmë. Ta gjej dhe ta mbaj si kujtim i shtrenjtë dhe fatsjellës. Ose më mirë një mendim, për sa lexuat më sipër. Ctë bëj të rri apo t’u them të gjithëve: Mirupafshim!

1 comment:

  1. mendimin tim ti e ke shprehur shume mire, do zoti qe tu behet mbare

    ReplyDelete