Të etiketohesh kështu, në këtë politikën tonë mjerane pa fund e pa krye duhet të kesh përmbushur një detyrë të vështirë. Atë të prodhimit të mirëqënies e para. Dhe për të vazhduar me shumë të tjera më pas. Të jesh burrë shteti, sidomos në vende në tranzicion do të thotë të kesh kryer të gjitha etapat dhe të mos jesh përgojuar kurrë qoftë edhe për aferën më të vogël. Ka jo pak udhëheqës nga këto demokracitë e brishta si vendi ynë që përfituan këtë nocion: “burrë shteti”. Valesa, as më shumë e as më pak një elektricist kantieri, për të vazhduar me ceku-n Havel, gjeniu i letrave. Apo për të tjerë me rradhë të cilët u desh shumë punë për të arritur të quheshin të tillë. Ja që edhe për ta fituar këtë titull simbolik nuk qenka më edhe aq e vështirë, sidomos në Shqipëri. Jo pak politikë të trazuar kemi prodhuar. Arritëm sërish. Sapo uji i liqenit të jetëve tona qetësohet, del dicka në horizont që parashikon shtrëngatën ose tufanin. Dhe uji sërish trazohet. Aq keq sa na kalon në ekstrem. Këtë koktejl të trazuar emocionesh që vetëm ne ja dimë fillimin dhe fundin. Sërish zbehen fytyrat tona dhe errësira nga interpretimi i shkaqeve dhe rrethanave na fut në rrethin vicioz të rradhës. Pastaj në dorë e marrin ndërkombëtarët, që u hipin avioanve vrik. Dhe këtu mbretëron sërish një qetësi e rremë, në pritje të shfaqjes së shpëtimtarëve të rradhës. Madje edhe të kurbaneve. Për të mos vazhduar me etiketat. E fundit kjo. Burrë shteti.
Sot kryeministri aktual arriti të korrë një prej fitoreve të tij më të bujshme që nga koha kur “flaku” tej bisturinë dhe vendosi t’i ngjitej kodrës së vogël në “Qytetin Studenti”. Edhe pse nga poshtë zyrës së tij u qëllua në drejtim të turmës dhe të gjitha bizneseve përballë asaj godine të mermertë. Edhe pse sot ai ka faturën më të rëndë të vrasjes së tre personave pa gurë në dorë. Nëse hedhim sytë rreth 14 vite më parë, kur revolta e një qyteti të tërë solli me mijëra viktima, askush nuk mund të pretendonte ta akuzonte aq shumë sa sot. Edhe për shkakun se sot jemi më shumë të mencur dhe syhapur falë evolucionit mendimtar që i ka ndodhur shoqërisë shqiptare. Madje edhe apatik. Për të mos thënë edhe më të monitoruar si lokalisht nga mediat ashtu edhe nga ana e ndërkombëtarëve. Sot jemi një vend anëtar i NATO-s dhe s’mund të rrimë pa na shkuar mendja se c’farë rrjedh pas kësaj. Sot avionët që ulen në Rinas sjellin më pak njerëz dhe kjo duhet të ketë një faturë. Rënie apo rritje ekonomike ashtu sic do t’ja kishte ënda ta trumbetonte cdo qeveri. Dhe sërish edhe pse ndodhi kjo që ndodhi, kryeministri aktual arriti ta përvetësonte këtë titull kalorsiak. Sikur të ishte gjallë Makiaveli e sigurt që do hiqte dorë nga teoritë e tij të pushteteve. Madje edhe Napoleoni do të ishte më i qetë teksa sheh Sarkozinë që do t’i ngjajë aq shumë të rrënuar përpara këtij burri shteti me ulje dhe ngritje pikiatë. Madje edhe pa kufi vertikal. Edhe burri i shtetit tonë të njëjtën ritual. Pas puc-it saluton me shumë dashuri trupat që e ruajtën, policët dhe ushtarët. Kalorësit e tij nuk e tradhtuan dhe ai sot u detyrohet shumë për “pucin” që ngeli në tentativë. Edhe pse opozita nuk bën asnjëherë puc. Edhe pse kjo shoqëri është bërë aq koshiente sa të bëjë dallimin mes një proteste dhe një puci. Gjithsesi sot ai është Burri i Shtetit dhe askush nuk duhet të thotë asnjë koment. Madje edhe kreu i opozitës që sipas të gjitha gjasave ra sërish në grackën e burrit të shtetit, për kundërpërgjigje me punonjës të administratës nën tingujt e Ciljetës.
Loja politike që burri i shteti arrit të bënte, i la pa mend duan apo s’duan cdo pretendent për analist politik. Një ish-doktor i bllokut sot ngrihet mbi të gjitha opinionet dhe trillimet e gjithckjae është trazuar pas të premtes së shkuar. Edhe pse sjell pështjellime pas cdo deklarate të mëpasshme. Edhe pse nuk zbaton ligjin duke shkelur institucionet. Edhe pse mbron me pathos anëtarët e koaliconit të tij të brishtë, mes shumë akuzave dhe goditjeve për korrupsion. Sot ai vjen nën petkun e një burri shteti edhe pse ka shumë gjëra që nuk shkojnë përpos shkopinjve dhe dhunës së të premtes që lamë pas. Edhe pse ai akuzohet për shumë gjëra që kanë ndodhur që nga aferat dhe deri tek plasjet e barutit dhe të predhave. Edhe pas jetëve tona që janë në rrezik edhe prej kapakëve të pusetave. Edhe pse gjërat nuk u zgjidhën ashut sic ai premtoi atë korrik të nxehtë të 2005. Edhe pse bashkëpunoi me ata që ai akuzoi më shumë. Madje në koalicion me atë që e shoqëroi në komisariat. Edhe pse shumë nga ata që ai i futi në burg i ka sot këshilltarët e tij më besnikë, madje edhe ministra.
Sot ai është burri i shtetit dhe ne nuk kemi asgjë për të thënë. Të fitosh këtë titull duhet shumë punë. Madje shumë punë dhe reforma. Njëra prej tyre mund të ishte shëndetësia. Burri i shtetit është mjek. Edhe në këtë reformë si në shumë reforma vendi ynë është ngelës i keq. Por sërish edhe pse nuk kemi shëndet të sigurt. Kemi një burrë shteti, madje edhe mjek. Të gjithë duhet të shikojmë njëri-tjetrin dhe të pyesim veten. Është apo jo e drejtë. Kryeministri aktual është burrë shteti. Dhe kalorësit, sic thonë në gjuhën e “Burrave të Shtetit”, duhet t’i përshëndësësh. Luajnë bukur apo ajo. Ata nuk janë gjë tjetër vecse, “Burra Shteti”.

No comments:
Post a Comment