Monday, January 31, 2011

Bekimja dhe Ruby

Një spot televiziv me një adoleshente të dhunuar në media i parapriu gjestit të djeshëm të kryeministrit të vendit tonë. Jo pak herë po e ndeshim këtë spot që vërtet edhe mund të na alarmonte nëse në vendin tonë të gjitha gjërat do të ishin vaj, për të na shkuar mendja tek dhuna ndaj femrës. Si fenomen të kujton mesjetën por kjo pak shfaqet në vendin tonë të jetë shkaktuar tek një e panjohur apo e rastësishme si në rastin e gjimnazistes Bekime. Sot ajo është as më shumë e as më pak opinioni i ditës. Megjithatë sikur të mos kishte provokuar turmat, një ditë më të lehtë do të kishte. Në cfarë vendi të botës një gjimnaziste që duhet të ishtë në shkollë apo në një qendër interneti duke up-date Facebook-un, arrin të provokojë turmat. Për sa kohë shumë të pakontrolluara perderisa Policia e Shtetit pranoi që nuk mund ta menaxhonte. Sa femra të dhunuara më së shumti nga varfëria kemi në shoqërinë tonë? Sa e sa projekte i kanë dhënë jetë sensibilizimit të shoqërisë shqiptare? Në asnjë rast lektorët nuk kanë sugjeruar femrës të provokojë turmat. Dhe në asnjë rast një adoleshente duhet të merret me politikë dhe të arrijë deri aty sa të përballet me mijëra demonstrues.

Po përse nuk doli përpara turmave kryeministri i vendit nëse do ta quante këtë një heriozëm? Mund të quhet pa frikë kurbani i rradhës ndërkohë që shumë femra sot vuajnë dhe dhunohen pa fund. Në dhomat e Drejtorisë së Policisë të Tiranës mes shumë të ndaluarve kishte edhe gra. Njëra prej tyre ishte nënë me fëmijën në gji. Kushedi sa të qara janë dëgjuar nga shtëpia e asaj krijese hyjnore. Përse kryeministri i vendit nuk ndërhyri në këtë rast. Po shoqatat apo lëvizjet që po shohim të na sensibilizojnë kohët e fundit pa masë. Përse kryeministri i vendit dhe qeveria nuk ndërhyjnë të rregullojnë ligjin e sigurimeve shoqërore për gratë gjatë kohës së lindjes. Përse në maternitetet kryesore të vendit mungon ngrohja dhe vaksinat, deri tek placet. Përse familjarët duhet të paguajnë pa fund për të sjellë në jetë një fëmi. Pra dhuna dhe poshtërimi i kësaj qenie fillon që nga dyert e nxjerrjes në jetë të fëmijëve tanë. Po dalja në pension e grave? Ka nevojë për t'u riparë ky ligj? Për të vazhduar më pas me plot halle dhe probleme që ndesh kjo shtresë që sot i erdhi rasti të na kujtojë dikush se mund të ishte gruaja, nëna apo motra juaj.

Bekimja ishte një vajzë e mbrekullueshme dhe me thënë të drejtën me shumë guxim. Unë e cmoj atë gjest që bëri, pasi jam mësuar më demonstrata dhe “guerrilje” vite më parë. Unë nuk do të cmoja këtu gjestin e kryeministrit pasi kjo do të sjellë jo pak probleme sociale në mendjet e femrave. Të gjitha do të nxitojnë të bëjnë si Bekimja. Pse jo edhe si Ciljeta. Krijesa të brishta që për të plotësuar tekat mediatike, krijojnë jo pak probleme në perceptimin e politikës, kësaj shkolle të dalë mode në realitetin shqiptar. Ndryshe do të ndodhte nëse ky rast do të ishte në Itali. Aty Ruby, adoleshentja joshëse po trondit themelet e preandorisë berlusconiane. Një ndërhyrje e tij në Kuesturën e Milanos dhe hapi aq shumë probleme sa e gjithë opozita e majtë apo aleatët e “Il Cavaliere” nuk kanë arritur të bëjnë gjatë këtyre viteve të fundit. Roli i femrës dhe abuzimi i kryeministrit ka sjellë nota keqardhje në opinionin e italianëve, për së shumti për faktin se nuk abuzohet me një adoleshente.

Po tjetër realitet ky i yni. Në vend të mendohet për krijimin e një pensioni për adoleshentët e tre viktimave “sehirxhinj” në mes të bulevardit, bëhet shoë edhe me ngjarje të izoluara dhe locale si rasti i Bekimes në Rrugën e Durrësit. Mitizimi i Bekimes do të harrohet shpejt, ashtu sic u harruan nga e gjithë spektri politik të gjithë mbështetësit, përkrahësit edhe ata që u bënë fli apo u dhunuan. Një lap top i dhuruar sot Bekimes nuk është as më shumë dhe as më pak i ngjashëm me telefonatën e Berlusconit policëve të Milanos. Ndaj dhe ne si shoqëri nuk duhet të biem pre e realiteteve mjerane që prodhohen nga ai bulevard sa herë që duhet kaluar halli nga politika. Nga ai bulevard që për herë të parë në demokraci, shënoi rrëzimin përdhe të tre viktimave të pafajshme. Bekimja u dhunua vërtet dhe ai që e kreu meriton përbuzje, por më shumë dje u dhunuan fëmijët e tre viktimave.

Saturday, January 29, 2011

"Topi është i Metës. Penalltinë do ta gjuajë opozita!"



Pas dy mitingjeve të opozitës, një me viktima dhe një me lot, situata politike vazhdon të jetë e tensionuar. Ndoshta më shumë se në kohën kur Ahmet Zogu mundohej të bindte Nolin dhe Konicën. Stinë e vështirë, këtë rradhë në Tiranë. Sot më shumë se kurrë pozicioni i opozitës është në pol position. Mjafton një performancë cilësore dhe kundërshtari në agoni të plotë mund të rrëzohet “nokaut” me një goditje të vetme. Megjithëse nuk është një kundështar i lehtë. Ai ka treguar të ngrihet edhe mbi rrënoja, madje të riciklohet më shumë dhe më me efikasitet se sa letrat që shkruajmë cdo ditë. 

Por sot ky kundërshtar ka bërë shumë armiq. Me dashje apo pa dashje. Ka shkelur shumë nga ato principe mbi të cilat qëndron në këmbë shteti dhe kushtetuta. Kurrë ma parë se tani ai nuk ka gabuar në këto 20 vite në të cilat ai është protogonist. Premtoi në 2005 se liderin e asaj kohe do ta nxirrte në pension dhe ia arriti. Vetëm për këtë ai mund të quhet një strateg i pagabueshëm. Por sot atë e kemi përballë të gabuar. Ka sharë me të gjithë bataret e tij kryeprokuroren dhe presidentin e republikës. Dhe kjo nuk është një gjë e lehtë për politikën e ditës në Tiranë, me c’ka përmban bulevardi i të gjitha trysnive të mundshme konfliktuale. Ai sot është në konflikt edhe me kushtetutën. Më saktë me një prej faqeve të saj. Gjithashtu edhe me ndërkombëtarët. Kritika më të ashpra dhe shkak më madhor se ky i vrasjes përpara godinës së cilës ai i ngjit shkallët cdo ditë. 

Nëse pak kohë më parë pati Gërdecin me 26 viktima dhe populli zbarkoi në shesh, po përpara godinës së tij. Nëse për 20 ditë opozitarët i kishte me qera përpara zyrës së vet për votën dhe kutitë. Sot ai ka bërë atë që arriti të bënte para 14 vitesh. Lajmin për të gjitha stacionet televizive që informojnë mbarë botën cdo një orë. Ndaj dhe sot ai nuk është aspak komod si në të gjitha herët përtej 2005, vitit kur ri-erdhi me aq shumë bujë në pushtet. Por këtë rast duhet ta shfrytëzojë opozita, që jo pak labirinthe dhe teza të vështira i ka prezantuar për kompromis atij. 

Opozita sot është në pikën e 11 metërshit. E vetme përpara portierit më të mirë dhe më të sprovuar që ka nxjerrë politika shqiptare. Ai që e ka provuar stolin. Dështimin. Kryengritjen. Largimin e sponsorëve diplomatikë. Dezertimin e bashkëpunëtorëve më të afërt dhe aleatëve më të ngushtë. Sot opozita përpara se ta gjujë këtë penallti duhet të matet mirë. Nuk bëhet fjalë më për një faull. Boll të tilla ka patur në dorë deri tani dhe nuk i ka shfrytëzuar sa duhet. Mbrojtësi i karriges më të lartë në sallën ovale të qeverisë është shumë i tërbuar. Mediatikisht gabon pa fund. Shumë fronte lufte ka hapur dhe ka bërë shumë kundërshtar nga ata që s’duhet të bënte. Madje ka dhe faturën e tre viktimave në një protest të organizuar nga opozita e një vendi anëtar i NATO-s. Madje edhe parandalimin e dhunës një javë më pas nga opozita. Pra që lë të kuptohet se opozita ka në dorë valvulën e shpërthimit të zemërimit popullor. Gjithashtu edhe pengun për shumë nga votimet në parlament që kërkojnë shumcën e votave. Madje edhe braktisjen e shumë tryezave të kompromisit. Një faturë e lartë që gjasat janë të mos jetë edhe aq fatlume. Për më tepër për zgjedhjet e ardhshme kur ai kërkon të fitojë sërish edhe pse është pothuajse e pamundur në letër. Aq i pafat sa edhe hyrjen pa viza në europë, këtë ëndërr të gjithë shqiptarëve arriti ta sfumonte. Ndoshta nisur nga fakti që është i vetëm dhe i rrethuar nga këshilltarë që e mesojnë keq. I vetmi që mund ta mësonte, ai që arriti ta sillte në pushtet është sot i akuzuar sa më s’ka. Presidenti Topi. 

A do ta hedhë poshtë CV-në e tij për rikandidm pas 1 viti, unë këtë nuk e di? Gjithsesi diku në një rrugë të ish-blokut, në atë lagje ku ai hynte me orë e pa orë vite më parë, është një seli e një partie që ai sot e ka në krahë. Kjo seli dhe kryetari i saj i sapo dorëhequr janë për të shpëtimtarët e rradhës. Kanë 4 deputet aq sa do të mjaftonin ta conin vendin në zgjedhje të parakohshme. Pistoni LSI sot po punon për motorrin e qeverisë dhe karrirerës së vet. Edhe pse e sigurt që haraci i kësaj mbështetje do të jetë jo pak i madh. Përpara është Presidenti Topi i cili bën vaki të kthehet në strumbullarin e të gjitha negociatave të mëpasshme. Po kështu edhe kryeprokuroja që në këto momente është duke lexuar dosjen “Meta-Gate”. Të dy këta të mësipërmit mund të ndikojnë tek Meta që skakiera politike të marrë përmasa të jashtëzakonshme. 

Meta njihet për lëvizje të cuditshme dhe shumë surpriza. Raportet e mira me Presidentin Topi dhe celësi i sigurisë tek dosja e vet në prokurori mund të sjellin një rënie të qeverisë në mes të ditës. Por Meta sërish mund të luajë shumë bukur. Jo pak kandidatura mund të ketë menduar në kokën e vet për të zëvendësuar njërin prej këtyre që akuzohen pa fund ose të dy së bashku. Braho, Panariti apo Naco mund të jenë njëri prej të urtëve të LSI-së që të ulet në kolltukun presidencial. Por edhe të tjerë juristë që kanë CV-në sot tek partia e tij në rrugën “Sami Frashëri”. Ndaj sot topi është i Metës dhe duhet të shohim atë se c’do të bëjë me këtë top. Do ta mbajë apo do ta gjuajë kjo është cështje e tij.

Thursday, January 27, 2011

"Burri i shtetit"

Të etiketohesh kështu, në këtë politikën tonë mjerane pa fund e pa krye duhet të kesh përmbushur një detyrë të vështirë. Atë të prodhimit të mirëqënies e para. Dhe për të vazhduar me shumë të tjera më pas. Të jesh burrë shteti, sidomos në vende në tranzicion do të thotë të kesh kryer të gjitha etapat dhe të mos jesh përgojuar kurrë qoftë edhe për aferën më të vogël. Ka jo pak udhëheqës nga këto demokracitë e brishta si vendi ynë që përfituan këtë nocion: “burrë shteti”. Valesa, as më shumë e as më pak një elektricist kantieri, për të vazhduar me ceku-n Havel, gjeniu i letrave. Apo për të tjerë me rradhë të cilët u desh shumë punë për të arritur të quheshin të tillë. Ja që edhe për ta fituar këtë titull simbolik nuk qenka më edhe aq e vështirë, sidomos në Shqipëri. Jo pak politikë të trazuar kemi prodhuar. Arritëm sërish. Sapo uji i liqenit të jetëve tona qetësohet, del dicka në horizont që parashikon shtrëngatën ose tufanin. Dhe uji sërish trazohet. Aq keq sa na kalon në ekstrem. Këtë koktejl të trazuar emocionesh që vetëm ne ja dimë fillimin dhe fundin. Sërish zbehen fytyrat tona dhe errësira nga interpretimi i shkaqeve dhe rrethanave na fut në rrethin vicioz të rradhës. Pastaj në dorë e marrin ndërkombëtarët, që u hipin avioanve vrik. Dhe këtu mbretëron sërish një qetësi e rremë, në pritje të shfaqjes së shpëtimtarëve të rradhës. Madje edhe të kurbaneve. Për të mos vazhduar me etiketat. E fundit kjo. Burrë shteti.
Sot kryeministri aktual arriti të korrë një prej fitoreve të tij më të bujshme që nga koha kur “flaku” tej bisturinë dhe vendosi t’i ngjitej kodrës së vogël në “Qytetin Studenti”. Edhe pse nga poshtë zyrës së tij u qëllua në drejtim të turmës dhe të gjitha bizneseve përballë asaj godine të mermertë. Edhe pse sot ai ka faturën më të rëndë të vrasjes së tre personave pa gurë në dorë. Nëse hedhim sytë rreth 14 vite më parë, kur revolta e një qyteti të tërë solli me mijëra viktima, askush nuk mund të pretendonte ta akuzonte aq shumë sa sot. Edhe për shkakun se sot jemi më shumë të mencur dhe syhapur falë evolucionit mendimtar që i ka ndodhur shoqërisë shqiptare. Madje edhe apatik. Për të mos thënë edhe më të monitoruar si lokalisht nga mediat ashtu edhe nga ana e ndërkombëtarëve. Sot jemi një vend anëtar i NATO-s dhe s’mund të rrimë pa na shkuar mendja se c’farë rrjedh pas kësaj. Sot avionët që ulen në Rinas sjellin më pak njerëz dhe kjo duhet të ketë një faturë. Rënie apo rritje ekonomike ashtu sic do t’ja kishte ënda ta trumbetonte cdo qeveri. Dhe sërish edhe pse ndodhi kjo që ndodhi, kryeministri aktual arriti ta përvetësonte këtë titull kalorsiak. Sikur të ishte gjallë Makiaveli e sigurt që do hiqte dorë nga teoritë e tij të pushteteve. Madje edhe Napoleoni do të ishte më i qetë teksa sheh Sarkozinë që do t’i ngjajë aq shumë të rrënuar përpara këtij burri shteti me ulje dhe ngritje pikiatë. Madje edhe pa kufi vertikal. Edhe burri i shtetit tonë të njëjtën ritual. Pas puc-it saluton me shumë dashuri trupat që e ruajtën, policët dhe ushtarët. Kalorësit e tij nuk e tradhtuan dhe ai sot u detyrohet shumë për “pucin” që ngeli në tentativë. Edhe pse opozita nuk bën asnjëherë puc. Edhe pse kjo shoqëri është bërë aq koshiente sa të bëjë dallimin mes një proteste dhe një puci. Gjithsesi sot ai është Burri i Shtetit dhe askush nuk duhet të thotë asnjë koment. Madje edhe kreu i opozitës që sipas të gjitha gjasave ra sërish në grackën e burrit të shtetit, për kundërpërgjigje me punonjës të administratës nën tingujt e Ciljetës.
Loja politike që burri i shteti arrit të bënte, i la pa mend duan apo s’duan cdo pretendent për analist politik. Një ish-doktor i bllokut sot ngrihet mbi të gjitha opinionet dhe trillimet e gjithckjae është trazuar pas të premtes së shkuar. Edhe pse sjell pështjellime pas cdo deklarate të mëpasshme. Edhe pse nuk zbaton ligjin duke shkelur institucionet. Edhe pse mbron me pathos anëtarët e koaliconit të tij të brishtë, mes shumë akuzave dhe goditjeve për korrupsion. Sot ai vjen nën petkun e një burri shteti edhe pse ka shumë gjëra që nuk shkojnë përpos shkopinjve dhe dhunës së të premtes që lamë pas. Edhe pse ai akuzohet për shumë gjëra që kanë ndodhur që nga aferat dhe deri tek plasjet e barutit dhe të predhave. Edhe pas jetëve tona që janë në rrezik edhe prej kapakëve të pusetave. Edhe pse gjërat nuk u zgjidhën ashut sic ai premtoi atë korrik të nxehtë të 2005. Edhe pse bashkëpunoi me ata që ai akuzoi më shumë. Madje në koalicion me atë që e shoqëroi në komisariat. Edhe pse shumë nga ata që ai i futi në burg i ka sot këshilltarët e tij më besnikë, madje edhe ministra.
Sot ai është burri i shtetit dhe ne nuk kemi asgjë për të thënë. Të fitosh këtë titull duhet shumë punë. Madje shumë punë dhe reforma. Njëra prej tyre mund të ishte shëndetësia. Burri i shtetit është mjek. Edhe në këtë reformë si në shumë reforma vendi ynë është ngelës i keq. Por sërish edhe pse nuk kemi shëndet të sigurt. Kemi një burrë shteti, madje edhe mjek. Të gjithë duhet të shikojmë njëri-tjetrin dhe të pyesim veten. Është apo jo e drejtë. Kryeministri aktual është burrë shteti. Dhe kalorësit, sic thonë në gjuhën e “Burrave të Shtetit”, duhet t’i përshëndësësh. Luajnë bukur apo ajo. Ata nuk janë gjë tjetër vecse, “Burra Shteti”.

Saturday, January 22, 2011

"Mirupafshim, Shqipëria ime!"


Ndoshta mund të iki. Madje cdo ditë e më shumë, po më mbushet mendja të iki. E di që do gëzohet motra ime, që ka 13 vjet që vjen vetëm një javë në vit. Do t’i pëlqejë shumë ky lajm. Sa herë më lutet: Eja! Do të më ketë krahë ashtu sic unë dhe gjithkush prej nesh di të bëjë për familjen. Do të marrë me vete edhe bashkëshorten time. Edhe krijesën që këto ditë po na vjen në jetë. Them se do ta shpëtojë nga ky bulevard i paparë llogjesh dhe kafexhinjsh që më bie rasti të shohë cdo ditë. Për fatin tim të mirë nuk e kam shumë haberin se c’bëhet në periferi. Por s’jam shumë kurioz se shikoj bulevardin. Njerëzit që i sillen rrotull atij. Për hall dhe për qejf. Ndoshta edhe për t’u dukur. Ka dhe nga ata që “rastësisht” gjuajnë rastin se kur vjen, ai. Ministri, Drejtori, Sekseri, Tenderi, Ortaku, Biznesi. Me shokun, me mikun, me dashnoren e rradhës. Nga kjo dua të ndahem. Kisha kohë që e nuhasja katrahurën. Më dukej përditë se dicka nuk shkonte. Artisti me kontrollin, muzikanti me politikanin. I majti me të djathtin. Të gjithë të molepsur e të stisur këtu në bulevard. 

E di që s'do ta kem të lehtë të përballem me fillimin. Ai si gjithmonë i ashpër, ndoshta ndonjëherë edhe i pafat. Po do kërkoj rastësinë. Të paktën më mirë të ndeshem me të në metropolet e denja të europës që nuk na zgjidhi kurrë një hall, se sa të endem i paqartë me të ardhmen time. Dua të bëhem i dobishëm. Nuk dua të më tallë e ardhmja. As të kem për boomerang të shkuarën. Të paktën asaj bote që do t’i përplasë brirët dhe hallin tim ja di gjuhën. Mbase mjafton sikur të mos merrja vesh nga asgjë. Do të më vijë keq për miqtë, shokët, dashamirësit. Do t’i mërzisë armiqtë. Them do t’i mërzisë pasi sikur ishin mësuar me luftërat e mia që nuk bëjnë kurrë keq. Do ngelem pa rrufitur kafenë dhe pa zënkën e përditshme, ekskluzive për vendin tonë, vonesa. Se harrova duke rrufitur 30 minuta kafenë. Atje në Europë pihet në këmbë, 2 minuta. Gjithcka nxiton dhe askush s'ta ka ngenë të të japë muhabet dhe të të thotë se sa dashnore ka kryeministri. Hall i madh, besa. 

Do të iki. Them shtëpinë mos ta marrë shumë të madhe. E di që do më vijnë nga mbrapa shumë miq. S’kam nge t’i presë dhe përcjellë. E mandej t’i joshë rehati im, punë cdo ditë. T’u shkojë në mendje edhe atyre dhe t’i ngjishen atij realiteti. Më zë frika për një moment se e di që do ta prishim pa frikë edhe atë botë që nxiton cdo ditë në hallin dhe punën e vet. Do bëhemi kurioz, e sigurt. Sa para ka ky përballë? Pse ka dy mace dhe një qen? Me ca i mban? Pse s’na flet kur na shikon tek shkalla? Vëret se kisha menduar asnjëherë, por sot më shumë se kurrëdo. Poshtë dritares sime, në bulevard. E përsëris shpesh herë këtë se imagjino të isha në periferi. Vërtet si duhet të jetë në periferi? Pra dje poshtë dritares sime pashë një plumb të kishte përshkruar tej e tej.  S’doja ta bëja publike. Jam ambientuar disi me këtë realitet. Por këtë fakt s’arrita ta fsheha dot. E pa një italian. S’ka rëndësi se kush është. Më tha duhet të ikim. Punojmë në një bulevard të një kryeqyteti, dhe plumbi që na ka përshkruar kanatin e dritares është mysafir i paftuar në zyrën tonë. 

C’duhet të ndodhte më shumë? Kohë më parë italianë të tjerë, ose më saktë europianë dhe qytetarë të G8, më thanë luks i paparë. Jeni m’u në mes të bulevardit. Përballë me Quirinalen. Por kjo ndërtesë sot është vërtet rrezik. Dhe luks i tepërt ta kesh përballë. Ose më saktë disi më anash. Përballë do të jetë parlamenti i ardhëshm. Pas disa vitesh do të jetë në krye një forcë tjetër politike. Sërish edhe atë do ta sulmojnë. Dhe sërish më shkon mendja tek plumbi. Nuk po e gjej dot. Këtë herë më kaloi pa e parë dhe pa e gjetur. Herën tjetër për të mos të ma gjetur miqtë e mi në trup, po iki. Ndaj më jepni një ndihmë. Ta gjej dhe ta mbaj si kujtim i shtrenjtë dhe fatsjellës. Ose më mirë një mendim, për sa lexuat më sipër. Ctë bëj të rri apo t’u them të gjithëve: Mirupafshim!

Thursday, January 20, 2011

"Fati i Bollanos"


Të kesh fat, po fat ama nuk është një gjë e keqe. Edhe punët të të shkojnë vaj, akoma më mirë. Si ai vaji i ullirit i Himarës që rrjedh në enën e kallajtë. Sidomos kur merresh me politikë dhe të urren pothuajse 90% e popullsisë. Edhe pse me deklarata tronditëse të zgjimit të krenarisë kombëtare, ai është sërish aty komod dhe i patrazuar. Epo ai është Bollano, dhe askush tjetër si ai nuk ka trazuar aq keq urat e miqësisë apo të urrejtjes së dy popujve. Të grekëve nga matanë detit dhe kufirit. Dhe të shqiptarëve me c’ka mban kjo tokë deri në Kosovë. Flet serbes në emër të himarjotëve, pasi ka shkelur gjithcka, edhe ligjet dhe zakonet e pashkruara të dhimbjeve. I etur për vëllavrasje, se arsye tjetër nuk ka të ngrë postoblloqe për të hyrë në Himarën e të gjithë shqiptarisë. Në atë gji të bukur që venecianët e pagonin me flori qoftë edhe një ankorim anijeje të tyre. Edhe pse sot Bollano nuk lejon të ankorohet asnjë skaf apo varkë, vetëm pse mban në direk flamurin shqiptar. Ai është sërish aty dhe i patrazuar. Herë me kostum dhe herë me tuta sporti. Një ish-nënpunës ushtrie, sot ka vënë në rresht, ashtu sic ëndërron cdo ushtarak, një shtet të tërë. Deklarata më e fundit e tij: “Do të kandidoj sërish, dhe do vlerësojë ofertën e cdo partie, e djathtë apo e majtë”. E pra këtë politikë të brishtë dhe të egër, me plot arrogancë, nuk e ka sfiduar askush si ai.

Bollano sot ndihet mjaft komod. I takon të zgjedhë atij se me kë do të luajë. Sali Karpov ose Edi Kasparov. Kë prej këtyre do të sfidonte në tavolinën me katrorë të shahut politik. E gjithë politika e zënë mat si mos më keq, si kurrë më parë. Strateg më të madh në politikë, pa marrë asnjë lloj séance trainimi nga politika, i trainuar nga mësuesit e tij që shkojnë dhe i bëjnë fresk. Mjerë politika shqiptare pra. Arriti ta shiste Himarën tonë si një tokë helene. Madje i ndërroi dhe emrat shqiptarëve në gjendjen civile. Nuk pyeti për shenjat sinjalistike dhe shkeli edhe kushtetutën. Askush s'i tha një fjalë. Fresk dhe vetëm fresk, në këmbim të rrahjes së shpatullave nga ndonjë pseudo-politikan grek. Dhe ai sot flet kaluar, sikur të ishte Giuliani që u hodh në mes të rrënojave për shpëtimin  e jetëve në të dy kullat binjake.

Po c’farë të mire kemi parë prej këtij njeriu që ta lëmë të përdhosë skakierën politike, madje ta sfidoj atë? Kur në vend që të zbresim për në Himarë, flemë gjumë nëpër makina, turizëm? Dhe ai na bllokon pasi po kalojmë në tokën e "vet". Në atë tokë që ai kurrë nuk ja dha atij që vërtet e ka, duke i katandisur himarjotët në jabanxhinj të përjetshëm, madje dhe pastrues nëpër rrugët e Athinës. Për atë Himarë që nuk i ndërtoi një ujësjellës dhe e la të thahet pa ujë. Për atë Himarë që e la pa një shëtitore dhe pa plazh. Dhe ai sërish ofendon. Madje edhe gazetarët, kur jo më larg se dje teksa cdo fjalë e nxorri greqisht, në përvjetorin e Omonia-s, serbes. Ashtu sic di vetëm ai t’i bëjë punët. S’na mbetet gjë tjetër vec të themi: “Pac fatin e Bollanos!”

Monday, January 17, 2011

"S.O.S. nga plagët e vjetra"


Shumë shpejt në fakt për t’i quajtur plagë të vjetra. Ato teksa janë hapur. Dhe kanë mbi vete shumë dëshmi dhe fakte tronditëse. Sikur ta kishim parë edhe një herë me vëmendje, kohën kur filluan të hapeshin, do të binim të gjithë dakort se shumë shpejt u hapën dhe shumë pasoja krijuan. Por ato tashmë janë plagë të një trupi të sëmurur keq. Diagnoza është shumë e dhimbshme. Korrupsion. Ndryshe nga vendet e europës atje ku duam të ngjishemi edhe me forcë ndonjëherë, këtë të fundit menduam se sit a zhvillojmë me sekserë, të fortë dhe të zgjuar trazuar bashkë. Besa fort i menduar mirë ky lloj koktjeli. Ka forcën dhe mendjen brenda. Mushti dhe aroma e dehin njerëzinë dhe i japin të kuptojnë që kjo është një pije që të zë kollaj dhe të trullos aq keq sa ske shanse të reagosh. Dhe vërtet që të gjithë jemi te dehur. Mandej edhe të paaftë për të reaguar. Por përsëri trupi ka plot plagë, aq sa është shumë vonë për të thërritur ndonjë doktor-expert të kësaj fushe për të na rregulluar. C’nuk bëmë për ta parandaluar. Hodhëm mbi trup gjithëfarë penicilinash, serumesh, etj. Por përsëri sëmundja ka agravuar aq shumë sa edhe unë edhe ti jemi vetëm sehirxhinj ose qejflinj të kësaj sëmundjeje. Mandej edhe postuam numra se ku denoncohej. Ngritëm zyra të posacme dhe u kënaqëm teksa flisnim serbes me atë që po denonconte. Në pamje të parë dukej sikur do kishte sukses. Thonë që në kemi qënë me kohë spiuna të gjithë si komb. Si një herë mot-motit i gjithë populli ushtar, pse jo edhe spiuna. Nuk funksionoi. Trupi është shumë i sëmurë dhe nuk ka ilac që i bën derman. Ai vazhdon të hajë mishin e vet si oktapodi këmbët. Se di pse m’u kujtua kjo kafshë. Ndoshta nga filmi që na ka mbetur I gjallë, që jo më kot makina e regjimit të asaj kohe na e servirte për të parë dhe dalluar c’bëhej në botën e përtejme. Vrasje, mafia, shantazhe, atentate. Tutje botë e ndyrë dhe me plot probleme. Mirë kemi ndër ara, fusha dhe kantjere. Por ja erdhi dhe kjo ditë që oktapodi të mos jetë më një servirje e bukur në pjatën me fruta deti. Ai është sot pjesë e pandarë e cdo risie në këtë vend që shumë shpejt dhe larg shkoi me pjesën e pandarë të kapitalizmit: korrupsionin. Filloi pas viteve ’90. zëvendësoi trastat dhe ato pak fruta e perime të kopshtit me thasët plot lekë dhe xhepat plot dhe të pashkundur. Mbarimi i hallit ka një cmim. Ka një Pazar. Ka përherë një prerje leku dhe një preferencë valute. Asnjëherë nuk ndjehet i rrezikuar. Madje përherë ka dhe të fortë që i marrin masat që punët të shkojnë në rregull. Pse jo edhe vullnetarë nga halli. Imagjinoni sikur të gjitha demokracitë në europë të shoqëroheshin nga të fortët, trupat e ngjeshur. Sikur Berlusconi të kishte nja 10 nga këta trupat dhe t’I dërgontë të zgjidhte hallet lart e poshtë. Apo Sarkozy. Dhe më tej, Zapatero apo Papandreu Morra për shembull vetëm disa prej vendeve mesdhetare deri diku, me karakter të fortë dhe burrëror. Edhe aty ka korrupsion, por ja kaq tragjik nëpërmjet të fortëve që sjellin dhe ndjellin vec plagë, shpirtërore dhe fizike. Edhe përreth nesh, në vendet ballkanike ka korrupision, madje I egër deri në atentate. Por funksionon një pjesë e atij ligji që I forti është I fortë për të bërë të fortin në palestër apo në atë lloj sporti që I jepet mundësia. Jo në sportin e jetëve apo zgjidhjes së halleve të njerëzve. Aty plaga bëhet më e rnëdë. Hapet sërish dhe tronditja shfaqet egër në horizontet e makthit të jetëve tona. Të identifikohemi nëpërmjet politikbërësve më të fortë nuk është gjë tjetër vecse mungesë inteligjence dhe frikë dhe panik nga paaftësia. Mendjet e zgjuara në europën e qytetëruar nuk i ngatërrojnë kollaj krundet me miellin. Ato dinë se si funksionojnë gjërat dhe plagën kur e shohin që është plagë, mendojnë vetëm si ta shërojnë. T’I hapësh rrugën të fortëve do të thotë që republika nuk duhet të quhet republikë parlamnetare por e të fortëve. Të gjithë e kemi ndër në sy dramën “Arturo Ui”. E pra sot kjo dramë bëhet edhe më tronditëse. Trusti i lulelakrës nuk është më një luftë për një perime, por një sëmundje për të sëmurur gjithë trupat e shoqërisë sonë. Sot dhe dje, gjatë gjithë këtyre viteve Arturot i kemi patur aq pranë, sa duket sikur jemi ambientuar me ta. Sot mbarë shoqëria ka rënë pre e sa e sa skandaleve dhe sërish përpiqet të hajë këmbët e saj nga padituria e zgjidhjes një herë e përgjithmonë të kësaj gangrene. Dhe sërish në të gjitha llojet e mundshme të ekzistencës së saj qelizore, quhet sëmundje dhe vec sëmundje. E gatshme për të përpirë ne dhe ekzistencën e qenieve tona. Të paaftë, për të bërë asgjë. S.O.S.

Wednesday, January 12, 2011

Unë & Ti, "poshtërsi"





Që unë dhe ti mendojmë ndryshe…
Kam kohë që e di…
Që nga koha që vendosa të të flisja: ej demokraci
Unë të them ti ja fut kot…
Dhe me idetë e mia mendjen nuk ta mbush dot…
Ti më përgjigjesh me qesëndi…
Dhe unë idioti që po të prish ty këtë qetësi…
Unë të them ti flokët pse si bën gërshet…
Ti më përgjigjesh… këtë e di vetë…
Unë të them pse shan… pse bërtet…
Ti më thua këtë e bën ti mor i shkretë…
Unë të them pse mendon keq…
Ti më përgjigjesh… e di cdo me thuash…
këtë botë ti i vetëm dot nuk e ndreq…
Unë të them këtej… këtej kalon e vërteta…
Ti më thua ka kohë që ka kaluar kometa…
Unë të them kujdes mos abuzo…
Ti më thua dokrra mua mos më trego…
Unë të them je bërë pis…
Qelbesh erë… në pasqyrë veten e ke parë…
Qoftë edhe një herë…
Ti më thua aha, tani do iki… kam për të flerë…
Unë si idiot të pyesë…
Po si gjumi të zë…
Ti më thua… sa kokën në jastëk nis e vë…

Poshtërsi të quan një botë e tërë…
Më fal që po ta them, me gjysëm zëri…
Dhe nga mërzia skuqem i tëri…
Ti vazhdon me qesëndinë tënde…
Dhe s’të bën asgjë përshtypje…
Edhe këtë akuze ke vendosur ta hedhësh tutje…
Me pak trillime dhe përtypje…
Botë e maskarenjve… të quajti filan filozof…
Pa e ditur që shembuj si ti, jane vec bllof…
Ti vazhdon e qetë dhe e patrazuar…
Bashkë me ujin e qelbur që erë ka filluar…
Lëkura daulle të është bërë nga paftyrësia…
Ndaj në emër të flet ligësia…
Dhe ti kënaqesh teksa  thua…
Cudia më e madhe zgjat vetëm tre ditë…
Ndaj edhe këtë herë do t’ja hedhësh…
Poshtërsi mos ki frikë…

Ti dhe Unë


Që unë dhe ti mëndojmë ndryshe…
Kam kohë që e di…
Që nga koha që vendosa të të flisja: ej demokraci
Unë të them ti ja fut kot…
Dhe me idetë e mia mendjen nuk ta mbush dot…
Ti më përgjigjesh me qesëndi…
Dhe unë idioti që po të prish ty këtë qetësi…
Unë të them ti flokët pse si bën gërshet…
Ti më përgjigjesh… këtë e di vetë…
Unë të them pse shan… pse bërtet…
Ti më thua këtë e bën ti mor i shkretë…
Unë të them pse mendon keq…
Ti më përgjigjesh… e di cdo me thuash…
këtë botë ti i vetëm dot nuk e ndreq…
Unë të them këtej… këtej kalon e vërteta…
Ti më thua ka kohë që ka kaluar kometa…
Unë të them kujdes mos abuzo…
Ti më thua dokrra mua mos më trego…
Unë të them je bërë pis…
Qelbesh erë… në pasqyrë veten e ke parë…
Qoftë edhe një herë…
Ti më thua aha, tani do iki… kam për të flerë…
Unë si idiot të pyesë…
Po si gjumi të zë…
Ti më thua… sa kokën në jastëk nis e fle…

Sunday, January 9, 2011

Ceku Veneto Banka

Nëse keni një llogari rrjedhëse pranë Veneto Banka mund të pajiseni me një bllok çeqesh i cili ka 10 faqe duke e përdorur për kryerjen e pagesave të ndryshme. Pagesat e çeqeve varen nga disponibiliteti i fondeve në llogarinë tuaj. Ceku Veneto Banka, "Best Image 2011"... Sherbimet bankare me Cek sot jane sherbimet me te kerkuara dhe me cilesore per klientet qe paguajne palet e treta duke kursyer ne kohe dhe duke perfituar nje sherbim mjaft te vlefshem... "Ceku Veneto Banka, perhere prane teje"