Beteja në distancë që po ndodh sot mes pushtetit lokal dhe atij qeverisës, duket se e ka një shkak. Palët duket se nuk lëshojnë pe dhe këtë po e vuajnë qytetarët. Më komod fshatarët, përpos atyre të lindur me këmishë që banojnë në rrethinat përreth Tiranës, që nuk duket se ka shumë interes se c’po ngjet realisht. Problemet e tyre vërdallosen drejt ndarjeve territoriale dhe problemeve me ujin e pijshëm apo energjinë. Pra edhe këtu ka probleme pasi ndarja territoriale dhe administrative, është pjesa e tortës “pushtet lokal”, pra ajo më me interes. Ka shumë elementë që demokracia jonë e brishtë të mos krijojë incidente përplasje të pazakonta. Tre janë elementët që dua të sjellë në vëmendje.
I pari ka të bëjë me përplasjen e drejtpërdrejtë të dy pushteteve, që padyshim do të habiste edhe teoritë “makiaveliane”. Lufta për pushtet është vërtet një sindormë mjaft e prekshme për natyrën gjaknxehtë të shqiptarit. Sikur kjo luftë të ndodhte në ndonjë vend skandinav natyrisht që qytetarët nuk do të gjendeshin në trafik për orë të tëra. Për të mos folur për voglushët e punonjësve të adminsitratës shtetërore apo sektorit privat, të cilët ngelën të bllokuar për orë të tëra në trafik. Pra të gjitha shtresat e një shoqërie të tërë, tashmë të emancipuar u prekën nga kjo luftë e ethshme pushtetesh. Nëse këtu ka vend për ndonjë arsye më të qartë se kaq, atëherë arsyetimi se si lufta për pushtet prek gjithmonë shoqërinë bëhet më e pranishme. Kjo bëhet akoma më e ethshme kur shoqëria ka interes dhe ndikohet nga politika. Atëherë kjo sjell padyshim luftën dhe përplasjen e pushteteve, për pushtet. Dhe sërish njerëzit dhe grupet e interesit ngelen në po atë kryqëzim dhe stanjacion. Me sa duket këto grupe nuk e mendojnë që makthi që i ka mbërthyer nuk marrin dhe japin progres dhe standarte të tjera jetese, ashtu sic do të mund t’i kishte hije këtij kombi në zemër të Europës.
Nëse sot pushteti qëndror flet dhe sillet si pushteti lokal dhe ai lokal anasjellstas, shoqëria shqiptare bëhet akomë më e konfuzuar për të paguar taksat lokale, për të mos paguar tarifat e kasave fiskale, për të mos paguar taksat e pastrimit, të TV-së apo të tjera. Pra edhe edukimi për të paguar taksa për sa konsumon apo sa m2 vend zë vetë në hapësirën publike me emrin tokë. C’edukimi i shoqërisë shqiptare ka ardhur vetëm në sajë të kësaj lloj përplasje pushtetesh që shumë politologë dhe filozofë e kanë trajtuar me shumë vëmendje. Ajo që nuk i ndodh cdo lloj demokracie në Europë, aty ku na pëlqen të marrim modelet, është evitimi me cdo lloj cmimi i përplasjes së pushteteve. Të gjithë i pamë c’ka ndodhi këto ditë sërish në Napoli. Mendoni se kryebashkiaku i Napolit, presidenti i rajonit dhe kryeministri i Italisë u përplasën mes deklaratave pa krye dhe akuzat “e bërë e ti e bëra unë”. Dhe për më tepër që koincidenca qëlloi që vetë Presidenti Italian Napolitano është një napolitan as më shumë e as më pak se sa Presidenti ynë Topi, që përshkon cdo mëngjes bulevardin dhe sheshin Skënderbej me skortën e tij.
E pra ky është realiteti i përplasjeve së pushteteve në këtë demokraci të brishtë që ende nuk ka zgjidhur problemin e përballjes së vitit të ardhëshëm. Kur ende dita për t’u votuar për një nga pushtetet nuk ka ardhur, mbarë opinioni gjendet në këtë lloj kutie të pandorës apo cdo lloj alibie tjetër, pa fund dhe krye. Të prishësh natën atë që njëri pushtet ka ndërtuar ditën është vërtet element që duhet trajtuar me sukses. Edhe pas vitit ’90 prishëm gjithcka, pasi kujtuam se gjithcka do lulëzonte vetëvetiu, packa se e paguam shtrenjtë me ngeljen pa punë madje edhe pa bukë teksa erdhën nga jashtë ndihma. Sërish po ndodh e njëjta gjë. Hyrja në Europë pa viza duket se dha sindromat e para të prishjes së asaj se cka krijuam, këtë rradhë duke zbatuar rekomandimet e insititucioneve europiane, madje edhe paratë e tyre. Mendoni se konfuzioni që kemi në vetvete, nxitimi dhe tërësëllimi edhe për të shkelur tabelat e qarkullimit rrugor madje edhe të trafikut, do të jetë dëshmi aftësie e vlerësuar në Europë.
Shpronësimi një tjetër handikap, pse të mos themi prona për të cilën të dyja pushtetet përplasin shpesh herë të dyja grupet pretendente për pronësi. Po edukata për të mos paguar taksa për sa bën pis sdo t’u bjerë në sy europianëve. Për të mos folur për bërjen pis dhe injorancën e plotë për ambientin dhe ndotjen e tij, fondamentale për një europian. Vetëm për skandalin e plehrave të Napolit si pasojë enjë mini-përplasje të interesave, do t’i shkaktojë Italisë një gjobë të majme dhe sanksone të ashpra Italisë. Ndërsa ne mjafton të themi se jemi pjesë apo e këtij pushteti, evitojmë gjithcka nga këto shpenzime të kota sipas nesh nga buxheti i familjes. Madje edhe kur parkojmë vend e pa vend. Për të mos folur nga karrotrecët dhe ngjyrat e uniformave të policëve nën emër të përfaqësimit të këtij apo atij pushteti. Edhe këtu në sajë të aribtraritetit dhe përplasjes së pushteteve abuzohet pa fund, madje edhe duke mos informuar publikun për oraret dhe tarifat e parkingut, vendet se ku duhet të parkosh dhe sa duhet të paguash. Përfundimi marrje arbitrare të makinës me karrotrec dhe abuzim në emër të luftës dhe bërjes gjasme të funksionimit të njërit prej pushteteve.
Dhe përballë tyre sërish halli në kryqëzim. Për të mos folur për përplasje të forta deri në shkeljen e kushtetutës, sic bëri pak kohë më parë, kryebashkiaku më i kontestuar i pushtetit lokal, ai i Himarës. Prona ka ngelur peng e moszgjidhjes se i përket Shqipërisë apo vendit fqinj. Më e rëndë kjo e fundit dhe mëse e vërtetë, madje duke e veshur edhe me misterin e viktimave të rastësishme. Dhe përse gjithë kjo? Vetëm për arsyen e vetme të përplasjes së pushteteve, prekjes së interesave jashëzakonisht të rrezikshme për identitetin e një treve të gjerë dhe me mjaft histori dhe traditë sic është ajo e Himarës. E pra nëse kemi një rast bllokimi të trafikut. Një rast tjetër të prishjes së një bulevardi. Kjo e fundit mendoj se është tragjedi dhe loja më e ndyrë që ndodh nën hijen e përplasjes së dy pushteteve të cilat e sigurt që i rrahin krahët shkelësit më të madh të ligjit në Shqipëri që nga koha e “Dum Babës”, Haxhi Qamil. Cdo lloj historie apo rastësie e ngjashme me të, nuk bën gjë tjetër duke sjellë akoma më shumë amulli tek interesi mbarëshoqëror, madje duke na bërë akoma më të padenjë në sytë e Europës. E vetmja gjë që nuk duhet të na ndodhte, vecanërisht tani.
No comments:
Post a Comment