Ata janë dy ish-sportistë. Të dy vijnë nga i njëjti klub, më i përfoluri kohët e fundit, Dinamo. Të dy jetuan në pak distancë kohore në po të njëjtin mjedis të kulturuar sportiv. Njëri basketbollist dhe tjetri volejbollist. Të dy, thënë më bukur, djem Tirane. Të asaj Tirane që në 8 maj do t’i japin jetë shumë parashikimeve se si do t'i presë timoni, majtas apo djathtas. Dhe sot ata të dy janë politikanët më të klikuar. Beteja është e tyre dhe "topi" është në parketin e pallatit të sportit, i zhvendosur në qendër të Tiranës. Një gardh larg nga ministria që drejton njëri prej të dyve. Dhe vetëm disa hapa larg nga selia e partisë që drejton tjetri. Njëri do të kalojë gardhin dhe do ta pijë kafenë po tek i njëjti lokal, dhe tjetri në rast humbje, do të zhvendoset pak metra më tutje, me këmbë natyrisht falë ndryshimit rrënjësor të Sheshit “Skënderbej” nga po ai.
Nëse për njërin prej tyre sot u bë publik kandidimi, për tjetrin ende nuk dihet gjë. Të dy janë sportistë dhe e dinë mirë cdo të thotë fshehje e formacionit që do ndeshet në parket. Kryebashkiaku aktual ende nuk e ka shpallur kandidimin. I pëlqejnë surprizat edhe pse e di që përballë tij qëndron një kundërshtar po në të njëjtën gjatësi, sa ai. I aftë për të parë më larg se sa gjithë ne të tjerët që jemi disi më të shkurtër. Ministri që ai po sulmon më shumë kohët e fundit, me shkakun se prej tij mendohet të jenë urdhëruar vrasësit e 4 personave në bulevard. Gjithsesi, "derbi blu dinamovit", sot luhet në Tiranë dhe për Tiranën. Janë shumë vite që kjo bashki është majtas. Bashkia më e madhe në vend, ku trendi i cmimeve për banesat i kalon 1000 euro/m2. Po kështu bashkia që ka një buxhet disa herë më të lartë se sa bashkitë e tjera. Projekte ambicioze dhe qendra e zhvillimit ekonomik, social-kulturor dhe e gjithë biznesit në këto 28 mijë km2, tokë Shqipërie.
Pas një drejtimi me shumë probleme për mungesë numrash në Këshillin Bashkiak, falë martesës së dështuar më LSI-në. Me buxhete të miratuara apo të hedhura poshtë, përballë një armate këshilltarësh mjaft të përzgjedhur nga e djathta apo saktësisht Partia Demokratike, kryebashkiaku aktual do të përballet në pranverë me kundërshtarin e tij më të zotë që ka aktualisht pozita. Një ministër i cili e pat dërrmuar keq dy vjet më parë në Elbasan. Mjaft aktiv dhe punëtor në drejtime fushatash elektorale. Një i ri që erdhi nga jashtë për t’i dhënë më shumë "turbo" dhe "start" makinës dhe fitores politike të drejtuar nga lideri historik i saj Berisha. Natyrisht që është kundërshtari më i fortë që mund të kishte kjo parti. I pakrahësueshëm me të tre të mëparshmit. Dy të larguarit dhe i fundit që ende performon në qeverinë blu. Dhe ai sot ndihet më i fortë se kurrë. Sepse beteja është e tij dhe kundërshtari rozë po mat forcat nëse vërtet do të përballet apo jo me të në pranverë. Pse jo që e gjithë beteja politike tash e mbrapa është e tyre. Janë ata dy "luanët" e skuadrave respektive dinamovite, që do të ndeshen dhëmbë për dhëmbë tash e mbrapa.
Nëse Basha arrin të triumfojë përballë Ramës apo cdo lloj kundërshtari tjetër nga Partia Socialiste, atëherë fitorja do të marrë përmasa historike. Do të jetë ai ylli që do të udhëheqë këtë forcë më vonë, madje do të arrijë të zbehë deri në shuarje edhe kthimin e Topit në rast mos-rikandidimi të tij në fund të mandatit. Sot të gjitha rrugët të cojnë tek një profilizim i luftës së dy liderëve të rinj. Njëri që i hodhi peshqirin e "nokautit" liderit historik të së majtës Nano. Madje duke i mohuar edhe anëtarësimin në partinë që ai reformoi dhe ndryshoi me mundim. Dhe tjetri që falë triumfit të tij, do të arrijë të betonojë staturën e tij politike në Partinë Demokratike. Tashmë në kërkim të lindjes së një lideri të ri dhe daljes në pension me apo pa dëshirë të kryetarit dhe kryeministrit aktual.
Pra kjo betejë pranverore edhe sikur kryebashkiaku aktual Rama nuk merr pjesë në garë apo jo, do të zhvillohet në Tiranë dhe për Tiranën. E para sepse socialistët do të ndezin motorrat për të mposhtur me vota atë që ata cdo ditë i kërkojnë dorëheqjen poshtë dritares. E dyta sepse duke e mposhtur Bashën kanë fituar betejën për kryeqytetin teksa zgjedhjet lokale kanë përmasa mjaft strategjike. E treta për të zgjidhur një herë e përgjithmonë opinionin e lëkundur dhe të sulmuar nga ana e demokratëve se në këtë hapësirë mjaft të madhe gjeografike dhe strategjike ka 20% lejeve për ndërtim pallatesh. Pse jo madje fund i shumë problemeve të ndryshme si Unaza e Madhe, trafiku, taksat apo mbikalimet, minibashkitë, lejet e pallateve, etj.. E gjitha në tërësinë e saj e përkthyer si bezdisje e një lufte të egër decentralizimi pushtetesh. Dhe e fundit, përforcimi i opinionit ndërkombëtar se socialistët votohen në shumicë nga elektorati, ashtu sic edhe pretendohet në të kaluarën e afërt si ajo e zgjedhjeve të vitit 2009.
Por sot më shumë se kurrë edhe në rast humbje të bashkisë nga ana e socialistëve, po përforcohet mendimi se skakiera politike shqiptare ka nevojë për njerëz të rinj, fytyra të reja dhe liderë të rinj. Nëse Partia Socialiste me ardhjen e Ramës iu nënshtrua një ndryshimi radikal edhe pse me qejfmbetje nga ana shumë të larguarve, të merituar apo të pamerituar, sot rradha i ka ardhur Partisë Demokratike. Mund të jetë kjo formula që nën-sekretari amerikan mund të ketë sjellë nga Shtëpia e Bardhë vetëm pak ditë më parë. Bindja e Ramës për të hyrë në zgjedhje, kjo me një pakt në heshtje, mban firmën e tij. Të gjitha shanset janë që të jetë ai përballë dinamovitit tjetër pas dy viteve, në po të njëjtat pozita si ai sot me qeverinë aktuale, në cdo lloj përballje dhe përplasje nervash dhe pushtetesh. Por kjo mund të ketë edhe një kosto që shumë prej socialistëve nuk do të bien dakort. Humbja e Bashkisë së Tiranës në rast fitoreje të Bashës nuk do të përtypet lehtë, edhe pse pozitat e Ramës brenda partisë janë mjaft të forta. Por afati i skadencës për demokratët është në prag. Një qeveri e lëkundur dhe e sulmuar pak muaj më parë, qëndron në këmbë me shumë pak vota. Dhe gjasat janë që Basha të marrë po të njëjtën tagër politik në rast fitoreje si kryebashkiak i Tiranës. Për koincidencë edhe rezidenca e tij e re, vetëm pak hapa larg nga selia historike me vetëm një "kopje celësi".
Nëse të gjitha këto opinione të mësipërme nga ana ime nuk dalin, atëherë të dy ata mbeten djem shumë të talentuar që patën veshur po të njëjtën bluzë, atë të Dinamos së lavdishme ,sot me qera në shtëpinë e vetë, me shkresë të firmosur nga po ish-volejbollisti i vet, sot ministër. Si dy ish-"blue boys" të mirë dhe të mbarë. Djem Tirane, për Tiranën.

No comments:
Post a Comment