Thursday, February 17, 2011

"E vogëla ti, Shqipëria ime"


Ajo fle matanë. Madje edhe qan. Është shumë e vogël. Aq e vogël sa nuk sheh kë ka përballë. Aq e vogël sa nuk dallon orët. As ditët. As zërat. Vetëm pak dritë që vjen nga thellësia e tunelit. Dhe vetëm pak zëra që i kumbojnë në veshë si të ardhur nga humbëtira. Sepse ajo është shumë e vogël. E ndihmon të ushqehet një rrëke e vogël qumështi. Dhe ajo pretendon të rritet. Shumë e vogël. Unë e qteësoj duke i kënduar këngë. Më gënjen vetja se e qetësoj. Por prapë ajo qetësohet. I pëlqen t’i flasësh ëmbël. Fundja kush nuk do donte t’i flisnin qoftë edhe një sekondë kështu. Nuk e di kush vjen dhe e viziton. Ende nuk i njeh miqtë tanë të vërtetë. Do t’i njoh me kohë. Fundja pse jo dhe armiqtë. Herët për t’i njohur edhe ata. Është shumë e vogël.

Kështu je dhe ti Shqipëria ime. Aq e vogël sa edhe ti nuk i njeh as miqtë dhe armiqtë. Ty që nuk t’u gjend kurrë as fillimi dhe as fundi. E nise dhe ti me të qara. Tunde botën. Pastaj të dhanë për të pirë. Të mësuan nina-nanat e para. Madje me zë dhe melodi të huaja. Edhe t’i asgjë nuk dije. Sapo po ndaheshe prej të ftohtit atë fund shkurti ’91. Po kërkoje të kundroje erën e luleve që paralajmërojnë pranverat. Të gënjeu mendja. Shumë qaje dhe ti. Ishe e vogël. Pa e ditur se c’do të ndodhte me ty. Nga do të priste timoni. Kush do ishte qumështi për ty, që do të furnizonte me gjak kapilarët e zhvillimit. Rrogat e punonjësve. Bukën e përditshme të një familje të madhe. Dhe vrik të erdhi haberi i parë. Madje dy habere. Një që s’do të të linin të vdisje për bukë. Dhe një tjetër që prej trupit tënd do të shkëputeshin filizat. Ato krijesa qumështore që të patën dhënë aq bukuri me të qarat e tyre. Dhe shkuan ata. Përplasën brirët dhe fatet nëpër metropolet e europës. Asaj shtrigane që nuk u ngop kurrë me rrugëtimet tona. Ti ishe e vogël. Por ama të mbetën disa të tjerë. Ata që do të të bënin të pushoje. Të rriteshe. Të ecje edhe ti si vendet e tjera. Edhe ato në pak a shumë ato vite vendosën të qanin si ty. Edhe atyre u kënduan në veshë ninullën “demokraci”. Por ato patën fatin të rriteshin më shpejt. Jo se edukatorja e tyre ishte më e zonja. Jo. Vetëm këtë s’do ta pranoja kurrë. Ty ta patin fajin vetvetja. Ti doje të ishe e lirë dhe më e bukura e botës por ty të mungonte dicka. Largëpamësia. Keqmësimi. Përbuzja dhe urrejtja për njëri-tjetrin. Ajo që unë s’do uroja kurrë të të ndodhte. Ti ja besove fatin tënd disa prindërve të keq. Aq të keq sa nuk të mësuan se kush ishte udha e drejtë. Drita në fund të tynelit. Zëri në atë humbëtirë hallesh dhe karakteresh të panumërta. Madje edhe dashakeqe. 

U tallën me ty. Plot 20 vite. Askush nuk të morri për dore të të conte në kopësht. Të të mësonte një këngë. Më e bukura këngë të mos urresh. Dhe më e thjeshta këngë të jesh e edukuar. Dhe ti sërish ngele po aty ku u nise. Madje edhe më keq. Tani më e vjetër teksa mban mbi shpinë plot 20 vite. Pse e katandise veten kaq keq. Pse ja besove fatin të paudhëve që të nxorrën si plackë në mes të rrugës. Tani je dhe pa filizat e bukur që u shkëputën nga trupi yt për një fat më të mirë. Larg prej teje. Tani je bërë grinjare. Të qetësojnë. Madje sa keq kur të thonë se këtë punë ke. Tani je katandisur më keq se atëherë. Ta thashë prapë më duket. Po po më keq. Se tani nuk je më e vogël. Më e vogël si ajo krijesa ime që po fle matanë. Më fal po qan matanë. Më fal akoma më keq po bën shamatë matanë. Fundja edhe ajo si ty. Si ty si atëherë që grindeshe dhe bëje shamataë. Dua të ha. Dua të bëhem shtet. Dua të jem e zonja. 

Dhe gjithcka të ofruan. Madje edhe pare pa fund. Për rrugë. Shkolla. Spitale. Institucione. Pa viza. Të hapën dyert dhe ti sërish zgjodhe të grindeshe. Por këtë herë më keq. Nëse atëherë qaje se ishe fëmijë. Sot je një plakë e rrudhur dhe e plakur. Karrakatinë nga të gjithë ata që të rropën. Të zhvatën. Të huaj dhe të tutë. Pse jo edhe ndonjë serb. Nga ata armiqtë që krijesa ende nuk e di c’farë janë. Po ti e ke luksin t’i njohësh. Je e madhe. Madje t’u ofrosh edhe mundësi të pasurohen në kurrizin tënd. Ku ku nane mjerë ti. Sa shpejt u plake dhe u rrudhe. Më saktë të rrudhën. Nuk e di c’farë duhet të bësh por ki kujdes. Nëse atëherë të pushuan me ninulla dhe pilula demokracie. Sot ti duhet të ndryshosh vetë. Një herë të mësuan dhe as kanë kohë të merren me ty. Ndaj ndrysho. Mendoj se ende ke kohë. Fundja shpresa vdes e fundit. Nejse unë ika tani andej matanë, të pushojë “Shqipërinë” time të vogël.

No comments:

Post a Comment