Sunday, February 13, 2011

Politikë, Zoti nuk ka kohë për ty.


Sot politika u zhvendos në dy fronte të ndryshme, njëra aplë në kishë dhe tjetra në një mort që po zgjat prej disa ditësh. Sot politika vendosi të ishte protogoniste dhe përpara kamerave në dy vende të shenjta. Në shtëpinë e zotit dhe në shtëpinë e një prejt të ndjerëve të bulevardit. E pra nëse deri më sot i patëm lënë terren politikës për të vendosur për hallet tona, sot politika tentoi të arrijë në tempullin e zotit. E thashë edhe më lart njëri në shtëpinë e zotit, tjetri në shtëpinë e atij që zoti zgjodhi ta merrte jo për fajin e vetë dhe as për cështje preference. Fatkeq!

Vazhdojmë të jemi të dehur pa e kuptuar që vetë i kemi mitizuar kahet politike në mënyrë të përsëritur. Ashtu sic thotë satiristi, ose më saktë një nga penat më të forta të momentit, P.J. O’Rourke. Pushteti në vende si ky yni ose më saktë politika, përkufizohet prej tij “si t’i japësh një adoleshenti makinë dhe uiski”. Dhe nga e gjithë kjo zallamahi nga mbajtja peng e popullit prej politikës, nuk do shumë mend se përse gjërat nuk ecin. Madje politika tenton të organizojnë edhe tubime politike në kishë, pse jo edhe mort për qëllime apo rrethana të caktuara. Dhe nga e gjithë kjo histori me po të njëjtit personazhe kush janë ata që preken? Ne dhe vetë ne, me dashje apo pa dashje. Me qëllim apo pa qëllim. Ne jemi kufomat që priten të varrosen kur zoti e ka shkruar. Pse jo boss-ët tanë. Ata sot ishin në kishë. Ishin në shtëpinë e mortit.

Nuk ka fatalitet më të madh se sa ky pas talljes dhe përbuzjes me karrigen kryeministrore të cdo kryeministri në këto 20 vite se sa mbajtja peng e një kombi të tërë prej politikës. Prej kafeve në hollin e Rogner apo Sheraton. Prej skortave të makinave me fenelinë që përshkojnë bulevardin kryesor të Tiranës. Prej cdo lloji dërgate që pyet më parë nëse ka haviar se sa kush janë aktorët që duhet të luajnë këtë dramë. Nuk ka ëndërr më të keqe se sa kjo që na ra në pjesë për të parë. Në këtë vend ku dielli lind “sakllam” dhe perëndon po “sakllam”. Në këtë vend që s’dihet ku buron një lumë dhe ku ndahet një det. Në këtë vend që edhe stinët po bëhen lëmsh me njëra-tjetrën. Mos vallë na e ka fajin zoti. Jo! Ai sot i lejoi kryeministrit të vendit të fliste në kapelanin e asaj kishe të ndërtuar bukur. 

Ditë e djelë. Ditë meshe. I gjithë populli nuk do t'ja dijë c’është politika. Por ajo tenton sërish. Madje edhe imponohet. Hyn në kishë dhe do të mbajë fjalime. A thua janë ato fjalime që peshkopët u drejtojnë njerezve që duartrokasin mbrojtësit dhe dëshmorët e ligjit. I pari që më vjen në mendje, Xhovani Falkone. Mos ju duket vetja i tillë gjë, apo mos duan të mitizohen si ai. Kush janë vallë këta që i mësojnë kaq keq sa të shkelin dhe përdhosin altarin e kishës. Asaj kishe që pagëzon fëmijët ëngjëll dhe dërgon njerëzit në botën e përtejme, pa politikë dhe vec lule dhe heshtje. 

Kam qenë para disa kohësh në një meshë. Ditë e djelë si kjo e sotmja. Në Itali. Peshkopi një njeri i ditur që rrezatonte vec mirësi, po këto fjalë nxirrte prej goje. S’pashë politikanë që t’i flisnin popullit. T’i tregonin Garibaldin apo Aldo Morron. Sepse kisha është e shenjtë. Ashtu si dhe shtëpia e mortit. Nuk ka nevojë për kamera dhe fjalime. Nëse ke vendosur të flasësh me zotin zgjidh të pëshpërisësh në heshtje. Vetëm ashtu ai të dëgjon. Mendon se do ta ketë mendjen tek fjalimet e tua? Apo tek të gjithë ata politikanë që ulërasin dhe bërtasin si ty, madje edhe në kishë. Kur mërzitem unë prej teje dhe nga ato që shoh e dëgjojë. Kur mërzitet ky popull që vazhdohet të mos i jepet dum gjërave dhe problemeve. Halleve dhe derteve. Imagjino zoti. Ai nuk ka kohë për ty!

No comments:

Post a Comment