Wednesday, February 2, 2011

“Dua Vizën time”



E sigurt që sapo të ma lexojnë këtë thirrje do të thonë ky s’qenka mirë. Paska lajthitur. Por sot më të lajthitur mendoj se janë europianët, (amerikanët disi më në kohë). Pse jo edhe të shashtisur. Ne që nxituam të shohim lidhjet online nga kufijtë tanë. Nëna që s’kishte parë djalin dhe kështu me rradhë. Sot jemi kthyer në një ekuacion me shumë të panjohura për europianët. Pak kush prej tyre mund të mendojë se ndoshta më mirë do të ishim me viza. Turma e gurëve dhe breshëritë në bulevard pak më shumë se 1 muaj nga lirimi nga zinxhiri, e ka një shkak. Amulli e paparë sot nëpër korridoret e ngushta të Europës. Ky vend nuk e harron vesin e vjetër, atë të sjellurit frikë dhe pështjellim. Më keq kur klasa politike nuk gjen dot gjuhën e dialogut, për faktin e vetëm që Europa nuk pranon trokitje me panik. Madje edhe kur e ka portën të hapur. Nëse deri dje Europa kërcënonte se nuk të liberalizojë vizat, asaj sot nuk i ka ngel gjë tjetër vec të përjashtojë bie fjala Federatën e Futbollit apo Saimirit Stratit’i heqë Guiness-at se nuk po lë rradhë për të tjerë.

Sot Europa ka në dorë vetëm të implementojë pjesën e saj radikale. E cuditur vetëm nga fakti se si ky vend i Europës që aspiron hyrjen në BE, madje edhe vetëpropozohet, qeveriset nga e djathta dhe vazhdon prodhon dhunë në rrugë, madje edhe në institucione duke mos i respektuar ato. Fatalitet i pakrahësueshëm dhe i pandeshur më parë. Nuk ka patur lider politik të djathtë europianë dhe miksim me të majtën, se sa kjo që po i ndodh asaj sot me Shqipërinë. Por Europa i ka harxhuar të gjitha "municionet" bashkë me bataren e fundit të liberalizimit të vizave dhe është e qartë se vetëm dialog nuk do të ketë. Ajo sot e di që nuk i shkon për shtat kërcënimi sepse nuk ka argumenta. Edhe opozitën nuk mund ta ndalë në marshimin e saj pasi do të akuzohej për mosrespektim të lirive dhe principeve themelore të funksionimit të demokracisë. Asaj demokracie që ajo aspiroi të implementonte në këtë hapësirë më pask se 28 mijë km2. 

Sërish nesër nga salla e VIP-it të Aeroportit Nënë Tereza do të vijë një i dërguar për të sjellë këtu zërin e Europës, a thua nuk mjaftojnë këtë ambasadorë që po përfliten sa majtas dhe djathtas s kurrë më parë. Dhe sërish cdo të dërguari do t’i qëllojë i njëjti fat. Fat i keq për të për mospërmbushje misioni, por fati më i keq është për klasën politike shqiptare dhe si rrjedhojë për popullin shqiptar. Ky popull që sic edhe e shprehu gjeniu i letrave shqiptare, Kadare, nuk e meritonte të shikonte shfaqje të shëmtuara dhe të përsëritura, nga ato shfaqje që e bëjnë spektatorin të mendojë një orë e më parë braktisjen e sallës. Në këtë rast të vendit, pse jo edhe më komod se sa rastet kur i qepej maleve dhe paguante vdekjen me para për të kaluar detin matanë. 

Dhe këtu ngelet rregjizori, skenaristi dhe të gjithë aktorët që morrën pjesë në këtë shfaqje të shëmtuar që konkludoi me ikjen e spektatorëve dhe pasigurinë dhe pendimin e europianëve. Ndoshta ishte pak shpejt të hapnin dyert. Sërish i frikësuam ata nga mosgjetja e qoftë edhe një gërme në ato ligjet që miratojnë ata 140 burra dhe gra në parlament. Tashmë gjithcka është ezauruar dhe të qenit vend anëtar i NATO-s dhe hyrje në Europë pa viza ne e kemi përkthyer ose parë si ndeshje miqësore dhe pa probleme që trainierit i duhet të kolaudojë formacionin. Por në të vërtet ky ishte një provim shumë i vështirë që tani më shumë se kurrë i jep të drejtë atij deputetit hollandez që na quajti ashtu si na quajti. 

Sot të gjithë ngelëm në klasë dhe për më tepër që shkollës sonë i rrezikohet edhe heqja e licencës për paaftësi dhe si rrjedhim na kthehen sërish rradhët e gjata për viza, duke na seleksionuar si njerëz me apo pa probleme sociale, mendore pse jo edhe shëndetësore. Edhe pse përpara nesh këto duhet t’u kryheshin atyre që na kthyen sërish mbrapa. Edhe pse ata janë sërish të favorizuar pasi dërgojnë sekretaret e tyre për tërheqjet e pasaportave. Të djathtë apo të majtë. Pa asnjë lloj ndryshimi. Ndërsa ne jemi në anën e europianëve, të shashtisur nga cka na ndodhi, por sërish me viza për t’i takuar, ata europianët, për t’u treguar sërish që u nxituat teksa na hoqët siguresën e shpërthimit.

No comments:

Post a Comment