Saturday, February 26, 2011

"Ditari i Xhejms-it"

Emri im është Xhejms. Punoj me gruan më të fuqishme të botës. Hillary-n. gruaja e ish-presidentit më të përfolur dhe po kaq më të fuqishëm të dekadës së fundit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Billy-n e madh. Sot, në këtë ditë me diell, pafund si një ditë pranvere po zbres në aeroportin e Sarajevës. Ndoshta më mirë që jam pak disi i zhvendosur nga era e barotit diku larg andej nga vendet e Lindjes së Mesme. Pak më qetë në këtë pjesë të globit që të parët lider tanët kur filloi të funksiononte politika e jashtme e quanin “fuci baroti”. Hedh vështrimin larg dhë shquaj ato pak pallate të larta të shpuara nga plumbat. Mendoj se këtë fat kanë demokracitë e brishta dhe tkurrjet nacionale. 

Sapo po kthehem nga një mision pak a shumë i pakuptimtë që nuk e di pse ma kishin bërë kaq të vështirë bashkëpunëtorët e mi. Atje tej, paksa larg meje ka vendosur kokën dhe fle i paqetë ndihmësi im. Është e disata herë që ai sillet vërdallë kësaj hapësire. Në Bosnje për të qetësuar etnitë dhe në Shqipëri për të qetësuar palët, aktorët e skenës politike. Të njëjtën gjë u mundova të bëjë dhe unë i shtyrë prej tij. Në pamje të parë më linte të kuptonte që ishte i dorëzuar. Por sot, sapo rrotat e avionit u mblodhën për të nisur ngritjen e tij drejt qiellit, kuptova dhe heshta me këmbënguljen e tij. Më kot e morra si një njeri që bën zhurmë dhe nuk di të zgjidhë gjërat. Sot teksa erdha dhe vendosa duart e mia mbi plagën e kësaj demokracie në progres, kuptova që dorëzimi përpara kokëfortësisë nuk është luks i tepërt. Kisha takuar shumë syresh prej tyre. Atje në vendin tonë sa të gjerë dhe të gjatë. Askush nga ata nuk ngjante me njëri-tjetrin. Fundja pse duhet të ngjanin. Por të njëjtin mendim ama e kishin. Të kundërt me gjithcka që vërtitej rreth tyre. Dhe sërish mendova se progresi është i gjatë dhe i vështirë. Dhe bashkë me të edhe demokracia që ata kërkojnë të implementojnë dhe populli të shijojë frytet e saj. 

Këto mendoja teksa avioni filloi të ulte rrotat përpara se të ishim në pistën e stërgjatë të sarajevës. Me siguri do dilnin të na prisnin të dy nacionet. Më saktë përfaqësues nga të dyja kahet e popullit boshnjak. Nuk e di sa do ishte qëndrimi në këtë vend të pakuptimtë për nga mënyra e funksionimit por cuditërisht i qetë dhe i interesuar për të na dëgjuar. Për t’i këshilluar. Ata janë boshnjakët. Këta ballkanas që kërkojnë të jenë të parë në një shtet të ndarë në dy republika. Fundja ne si politikë na intereson kjo dhe aspak imam-ballajdia e famshme e Sarajevës. Nejse se me gjellët nuk jam edhe aq keq. Madje kur kujtoj që hëngrëm goxha në Tiranë pak më shumë se para një ore. Një corbë të gatuar keqas nga disa kuzhinierë së bashku. Disa që të lnin përshtypjen se vetëm këtë lloj zanati nuk dinin të bënin. Kur më thanë se për t’u marrë vesh nuk do të ishte e veshtirë për të folur me ta pasi shumica e dinë anglishten në majat e ginshtërinjve u kënaqa pa masë. Mendova do të jenë popull inteligjent pavarësisht se tani m’u kujtua përkthyesja që sa herë më ngatërroi në konferencën e shtypit. Më pat thënë edhe ambasadori ynë aty se kjo gjuhë ka një të keqe të madhe pasi ka shumë kuptime. Gjithsesi fakti që aktorët dinin anglisht më qetësoi, por cuditërisht kuptova që ata s’flisnin gjuhën e njëri-tjetrit. Madje që urreheshin edhe me shikime me njëri-tjetrin. 

Teksa po mendoja se cdo të ndodhte me zbritjen time në Sarajevë, më erdhi papritur kjo koincidencë e paparë. Jemi në Ballkan. Në vetëm pak kilometra larg njerëzit nuk merren vesh me njëri-tjetrin. Pse jo ata që udheheqin demokracitë. Këtë nocion mjaft të gjerë, bibël për ne amerikanët e lirë. Mos gjej të njëjtin terren edhe këtu në Bosnje? Sërish futem në mendime. Po shkojë të shohë se si funksionojnë dy nacionalitete. A zihen ata apo grinden më saktë me njëri-tjetrin. Dy kahe që grinden sapo i lashë pas. Vetëm disa minuta më parë. Por dy kahe nga i njëjti komb ama. Një komb që jeton në një vend të vogël që ky mjet i madh fluturues e përshkon në vetem 10 minuta. Një komb që kohë më parë u vizitua nga kundërshtari ynë politik më i egër. Ai dhe i jati që na pat dërrmuar në cdo betejë elektorale ne demokratët. 

Dhe simpatia për vendin tonë më mbajti disi në humor se do të arrija të gjeja gjuhën. Ndryshe nga ndihmësi im që ishte berë si i shtëpisë me këshillat e tij. Ndryshe nga ai që sa herë i ishte prishur qetësia nga ndodhi të pazakonta. Ndryshe nga ai që sa herë mund të ketë menduar dorëheqjen. Ndryshe nga ai që më vinte në mëngjes në zyrë me një filxhan kafe filtër në dorë dhe duke tundur kokën dukej sikur thoshte: “My boss, të lutem më ngarko një detyrë tjetër. Në atë vend të lutem mos më co më. Ata dinë anglisht por nuk flasin gjuhën e njëri-tjetrit. Ata duan amerikën por s’duan njëri-tjetrin. Ata duan të jetojnë në demokraci por s’dinë të respektojnë institucionet. Ata duna të jenë të lirë por s’lexojnë asnjë fjalë nga libri i shenjtë i kushtetutës. Ata flasin në emër të populit por nuk e shohin në sy dhe nuk e dëgjojnë atë. Ata duan të jenë retorika e ditës por nuk dinë se kush janë limitet, principet. Ata kanë në dorë ta bëjnë atë vend por s’ja kanë haberin se si bëhen. Ata janë demokraci në progres por mbeten nxënës të ngelur në klasë nga padituria”. 

Tani më erdhi ndër mend t’i shkojë tek vendi i tij dhe ta zgjojë nga ndonjë ëndërr me paqe dhe me demokraci, pasi e kemi lënë pas hapësirën e atij vendi ku këto lloj ëndrrash janë të ndaluara. Duket i lodhur dhe besoj se duhet ta cojë në një vend tjetër, disi më të favorshëm për të. Fundja c’farë faji ka ndihmësi im që shkon në një vend ku dinë anglisht dhe flasin rrjedhshëm por cuditërisht nuk dinë gjuhën e njëri-tjetrit.

Wednesday, February 23, 2011

Eno Cacaj: Newsletter Veneto Banka Janar - Shkurt 2011

Eno Cacaj: Newsletter Veneto Banka Janar - Shkurt 2011: "BULETIN INFORMATIV: REVISTA “IL MILIONE” Përshëndetje! Gjejmë rastin t’ju njoftojmë se në publikimin e fundit të revistës “Il Milione”, ..."

Thursday, February 17, 2011

"E vogëla ti, Shqipëria ime"


Ajo fle matanë. Madje edhe qan. Është shumë e vogël. Aq e vogël sa nuk sheh kë ka përballë. Aq e vogël sa nuk dallon orët. As ditët. As zërat. Vetëm pak dritë që vjen nga thellësia e tunelit. Dhe vetëm pak zëra që i kumbojnë në veshë si të ardhur nga humbëtira. Sepse ajo është shumë e vogël. E ndihmon të ushqehet një rrëke e vogël qumështi. Dhe ajo pretendon të rritet. Shumë e vogël. Unë e qteësoj duke i kënduar këngë. Më gënjen vetja se e qetësoj. Por prapë ajo qetësohet. I pëlqen t’i flasësh ëmbël. Fundja kush nuk do donte t’i flisnin qoftë edhe një sekondë kështu. Nuk e di kush vjen dhe e viziton. Ende nuk i njeh miqtë tanë të vërtetë. Do t’i njoh me kohë. Fundja pse jo dhe armiqtë. Herët për t’i njohur edhe ata. Është shumë e vogël.

Kështu je dhe ti Shqipëria ime. Aq e vogël sa edhe ti nuk i njeh as miqtë dhe armiqtë. Ty që nuk t’u gjend kurrë as fillimi dhe as fundi. E nise dhe ti me të qara. Tunde botën. Pastaj të dhanë për të pirë. Të mësuan nina-nanat e para. Madje me zë dhe melodi të huaja. Edhe t’i asgjë nuk dije. Sapo po ndaheshe prej të ftohtit atë fund shkurti ’91. Po kërkoje të kundroje erën e luleve që paralajmërojnë pranverat. Të gënjeu mendja. Shumë qaje dhe ti. Ishe e vogël. Pa e ditur se c’do të ndodhte me ty. Nga do të priste timoni. Kush do ishte qumështi për ty, që do të furnizonte me gjak kapilarët e zhvillimit. Rrogat e punonjësve. Bukën e përditshme të një familje të madhe. Dhe vrik të erdhi haberi i parë. Madje dy habere. Një që s’do të të linin të vdisje për bukë. Dhe një tjetër që prej trupit tënd do të shkëputeshin filizat. Ato krijesa qumështore që të patën dhënë aq bukuri me të qarat e tyre. Dhe shkuan ata. Përplasën brirët dhe fatet nëpër metropolet e europës. Asaj shtrigane që nuk u ngop kurrë me rrugëtimet tona. Ti ishe e vogël. Por ama të mbetën disa të tjerë. Ata që do të të bënin të pushoje. Të rriteshe. Të ecje edhe ti si vendet e tjera. Edhe ato në pak a shumë ato vite vendosën të qanin si ty. Edhe atyre u kënduan në veshë ninullën “demokraci”. Por ato patën fatin të rriteshin më shpejt. Jo se edukatorja e tyre ishte më e zonja. Jo. Vetëm këtë s’do ta pranoja kurrë. Ty ta patin fajin vetvetja. Ti doje të ishe e lirë dhe më e bukura e botës por ty të mungonte dicka. Largëpamësia. Keqmësimi. Përbuzja dhe urrejtja për njëri-tjetrin. Ajo që unë s’do uroja kurrë të të ndodhte. Ti ja besove fatin tënd disa prindërve të keq. Aq të keq sa nuk të mësuan se kush ishte udha e drejtë. Drita në fund të tynelit. Zëri në atë humbëtirë hallesh dhe karakteresh të panumërta. Madje edhe dashakeqe. 

U tallën me ty. Plot 20 vite. Askush nuk të morri për dore të të conte në kopësht. Të të mësonte një këngë. Më e bukura këngë të mos urresh. Dhe më e thjeshta këngë të jesh e edukuar. Dhe ti sërish ngele po aty ku u nise. Madje edhe më keq. Tani më e vjetër teksa mban mbi shpinë plot 20 vite. Pse e katandise veten kaq keq. Pse ja besove fatin të paudhëve që të nxorrën si plackë në mes të rrugës. Tani je dhe pa filizat e bukur që u shkëputën nga trupi yt për një fat më të mirë. Larg prej teje. Tani je bërë grinjare. Të qetësojnë. Madje sa keq kur të thonë se këtë punë ke. Tani je katandisur më keq se atëherë. Ta thashë prapë më duket. Po po më keq. Se tani nuk je më e vogël. Më e vogël si ajo krijesa ime që po fle matanë. Më fal po qan matanë. Më fal akoma më keq po bën shamatë matanë. Fundja edhe ajo si ty. Si ty si atëherë që grindeshe dhe bëje shamataë. Dua të ha. Dua të bëhem shtet. Dua të jem e zonja. 

Dhe gjithcka të ofruan. Madje edhe pare pa fund. Për rrugë. Shkolla. Spitale. Institucione. Pa viza. Të hapën dyert dhe ti sërish zgjodhe të grindeshe. Por këtë herë më keq. Nëse atëherë qaje se ishe fëmijë. Sot je një plakë e rrudhur dhe e plakur. Karrakatinë nga të gjithë ata që të rropën. Të zhvatën. Të huaj dhe të tutë. Pse jo edhe ndonjë serb. Nga ata armiqtë që krijesa ende nuk e di c’farë janë. Po ti e ke luksin t’i njohësh. Je e madhe. Madje t’u ofrosh edhe mundësi të pasurohen në kurrizin tënd. Ku ku nane mjerë ti. Sa shpejt u plake dhe u rrudhe. Më saktë të rrudhën. Nuk e di c’farë duhet të bësh por ki kujdes. Nëse atëherë të pushuan me ninulla dhe pilula demokracie. Sot ti duhet të ndryshosh vetë. Një herë të mësuan dhe as kanë kohë të merren me ty. Ndaj ndrysho. Mendoj se ende ke kohë. Fundja shpresa vdes e fundit. Nejse unë ika tani andej matanë, të pushojë “Shqipërinë” time të vogël.

Wednesday, February 16, 2011

Newsletter Veneto Banka Janar - Shkurt 2011



BULETIN INFORMATIV: REVISTA “IL MILIONE”


Përshëndetje!

Gjejmë rastin t’ju njoftojmë se në publikimin e fundit të revistës “Il Milione”, Presidenti i Gruppo Veneto Banca dhe Veneto Banka sh.a., z. Flavio Trinca, Ju drejtua me një mesazh urimi të gjithë klientëve dhe bashkëpunëtorëve të bankës sonë për vitin 2011. Revista “Il Milione” publikohet në dy gjuhë të huaja (italisht dhe anglisht), dhe shpërndahet në gjithë Europën duke Ju informuar mbi arritjet e bankave dhe shoqërive financiare që janë pjesë në Grupin Veneto Banka.


Të rejat më të fundit nga Veneto Banka Sh.A.?

1. Veneto Banka, ”mjaft agresive” në vitin 2010

Vitin 2010, mund ta quajmë një vit i suksesshëm, kjo falë rezultateve financiare të shkëlqyera që Veneto Banka arriti në aktivitetin e saj bankar në Shqipëri. ”Mjaft agresive”, e quan bankën tonë revista prestigjioze ekonomike ”Monitor”, në numrin e saj të dt. 6 dhjetor 2010.

Një volum pune i jashtëzakonshëm i punonjësve të Veneto Banka gjatë vitit 2010. Nëse pothuajse të gjitha bankat e sistemit bankar shqiptar shënuan rritje të Aktiveve me 20% (Raporti i Shoqatës së Bankave), Veneto Banka arriti të ketë një rritje prej 40%. Po kështu edhe të Huasë me 52%, ndërkohë që shumë banka të tjera u rritën deri në 10%. Rritje kanë patur edhe depozitat, me 41%, ç’ka tregon siguri për Veneto Banka si një bankë 100% italiane pjesë e Gruppo Veneto Banka.

2. Lucio Luigi Gaita, do të jetë Drejtori i Përgjithshëm i Veneto Banka

Në dt. 18 janar 2011, Televizioni Ekonomik SCAN TV, publikoi lajmin e mëposhtëm:
“Luigi Lucio Gaita është drejtori i ri i Veneto Banka. Ndryshimi ka ardhur për t’i dhënë një shtysë aktivitetit, në përputhje me ambiciet e grupit italian, që e bleu ish-BIS Banca dy vjet më parë.
Zoti Gaita vjen në krye të Veneto Banka pas një eksperience të gjatë në sektorin bankar në Itali, ku detyra më e fundit ka qënë ajo e Zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm të BancApulia, pjesë e Gruppo Veneto Banca. Përmirësimi i rezultateve financiare në vazhdimësi, mund të jetë arsyeja që grupi italian ka sjellë një nga njerëzit e vet për të çuar më tej projektin e saj.” – SCAN TV, Ersuin Shehu.

Të reja nga Gruppo Veneto Banca

1. Gruppo Veneto Banca arrin të hyjë në zonën e 10 grupeve bankare më të mëdha në Itali, kjo në një periudhë fare të shkurtër si pasojë e rezultateve finanziare të shkëlqyera gjatë vitit 2010.

2. Veneto Banca, fiton cmimin e vendit II-të si: “Banka më e sigurtë nga niveli i sigurisë në Europë”.

3. Veneto Banca krahas pjesmarrjes në shumë aktivitete sociale, kulturore dhe sportive tashmë është sponsor zyrtar i tre ekipeve të futbollit të Serie A, Juventus, Bari dhe Lecce.


Duke ju falenderuar për bashkëpunimin.

Me respekt,

Eno CACAJ
Departamenti Mercato e Prodotti

Sunday, February 13, 2011

Politikë, Zoti nuk ka kohë për ty.


Sot politika u zhvendos në dy fronte të ndryshme, njëra aplë në kishë dhe tjetra në një mort që po zgjat prej disa ditësh. Sot politika vendosi të ishte protogoniste dhe përpara kamerave në dy vende të shenjta. Në shtëpinë e zotit dhe në shtëpinë e një prejt të ndjerëve të bulevardit. E pra nëse deri më sot i patëm lënë terren politikës për të vendosur për hallet tona, sot politika tentoi të arrijë në tempullin e zotit. E thashë edhe më lart njëri në shtëpinë e zotit, tjetri në shtëpinë e atij që zoti zgjodhi ta merrte jo për fajin e vetë dhe as për cështje preference. Fatkeq!

Vazhdojmë të jemi të dehur pa e kuptuar që vetë i kemi mitizuar kahet politike në mënyrë të përsëritur. Ashtu sic thotë satiristi, ose më saktë një nga penat më të forta të momentit, P.J. O’Rourke. Pushteti në vende si ky yni ose më saktë politika, përkufizohet prej tij “si t’i japësh një adoleshenti makinë dhe uiski”. Dhe nga e gjithë kjo zallamahi nga mbajtja peng e popullit prej politikës, nuk do shumë mend se përse gjërat nuk ecin. Madje politika tenton të organizojnë edhe tubime politike në kishë, pse jo edhe mort për qëllime apo rrethana të caktuara. Dhe nga e gjithë kjo histori me po të njëjtit personazhe kush janë ata që preken? Ne dhe vetë ne, me dashje apo pa dashje. Me qëllim apo pa qëllim. Ne jemi kufomat që priten të varrosen kur zoti e ka shkruar. Pse jo boss-ët tanë. Ata sot ishin në kishë. Ishin në shtëpinë e mortit.

Nuk ka fatalitet më të madh se sa ky pas talljes dhe përbuzjes me karrigen kryeministrore të cdo kryeministri në këto 20 vite se sa mbajtja peng e një kombi të tërë prej politikës. Prej kafeve në hollin e Rogner apo Sheraton. Prej skortave të makinave me fenelinë që përshkojnë bulevardin kryesor të Tiranës. Prej cdo lloji dërgate që pyet më parë nëse ka haviar se sa kush janë aktorët që duhet të luajnë këtë dramë. Nuk ka ëndërr më të keqe se sa kjo që na ra në pjesë për të parë. Në këtë vend ku dielli lind “sakllam” dhe perëndon po “sakllam”. Në këtë vend që s’dihet ku buron një lumë dhe ku ndahet një det. Në këtë vend që edhe stinët po bëhen lëmsh me njëra-tjetrën. Mos vallë na e ka fajin zoti. Jo! Ai sot i lejoi kryeministrit të vendit të fliste në kapelanin e asaj kishe të ndërtuar bukur. 

Ditë e djelë. Ditë meshe. I gjithë populli nuk do t'ja dijë c’është politika. Por ajo tenton sërish. Madje edhe imponohet. Hyn në kishë dhe do të mbajë fjalime. A thua janë ato fjalime që peshkopët u drejtojnë njerezve që duartrokasin mbrojtësit dhe dëshmorët e ligjit. I pari që më vjen në mendje, Xhovani Falkone. Mos ju duket vetja i tillë gjë, apo mos duan të mitizohen si ai. Kush janë vallë këta që i mësojnë kaq keq sa të shkelin dhe përdhosin altarin e kishës. Asaj kishe që pagëzon fëmijët ëngjëll dhe dërgon njerëzit në botën e përtejme, pa politikë dhe vec lule dhe heshtje. 

Kam qenë para disa kohësh në një meshë. Ditë e djelë si kjo e sotmja. Në Itali. Peshkopi një njeri i ditur që rrezatonte vec mirësi, po këto fjalë nxirrte prej goje. S’pashë politikanë që t’i flisnin popullit. T’i tregonin Garibaldin apo Aldo Morron. Sepse kisha është e shenjtë. Ashtu si dhe shtëpia e mortit. Nuk ka nevojë për kamera dhe fjalime. Nëse ke vendosur të flasësh me zotin zgjidh të pëshpërisësh në heshtje. Vetëm ashtu ai të dëgjon. Mendon se do ta ketë mendjen tek fjalimet e tua? Apo tek të gjithë ata politikanë që ulërasin dhe bërtasin si ty, madje edhe në kishë. Kur mërzitem unë prej teje dhe nga ato që shoh e dëgjojë. Kur mërzitet ky popull që vazhdohet të mos i jepet dum gjërave dhe problemeve. Halleve dhe derteve. Imagjino zoti. Ai nuk ka kohë për ty!

Sunday, February 6, 2011

"Koncert në vitin 2011"


Kur kryeministri anoncoi në mbledhjen e qeverisë tentativën e rradhës për të kontaktuar një prej yjeve të momentit në muzikën botërore, më erdhi në mend direkt filmi që aq shumë e shohim dhe nuk ngopemi me batutat e tij. Koncert në vitin 2011 vendosa t’ja modifikoja disi emrin. Ka plot elementë të ngjashëm me skenarin e punuar me aq mjeshtëri të këtij filmi me realitetin e sotëm. Megjithatë Lady Gaga apo Beyonce nuk do të bënin kurrë atë që bënë ato dy këngëtare teksa hoqën këpucët dhe i ngjëshën këmbët e tyre të buta në baltën e Myzeqesë. Sërish vendi ynë ka ngelur mbrapa dhe po e njëjta tablo përsëritet. Shumë familje vuajnë sot për bukën e gojës dhe kanë mungesa elementare të mbërritjes së informacionit në betejën e tyre të përditshmë për mbijetesë. Qeveria nuk arriti t’u plotësonte shumë nga ato pika që u prezantuan në programin elektoral. Një prej tyre informacioni. Ka rrezik se Shakira apo Ammy nuk do të arrijnë të mbërrijnë me dozat e tyre të shpresës tek sofrat e varfra me bukë dhe kripë të familjeve shqiptare. 

E pra ndaj duket sikur e ndolla disi që është i njëjti skenar. Po kështu edhe xhandari zëvendësohet me policin e ditëve të sotme. Ai polic që del në trotuarin e bulevardit kryesor, përpara kryeministrisë dhe instruktohet se si të godasë popullin. Më pas bëhet një me turmën dhe nuk pranon as ujin në bidonin plastik që i ofrohet për të lagur sytë nga gazi lotsjellës që mbërriti nga mbrapa. Ka frikë edhe psë turma e do. Është aty edhe komandanti i tij që merr dhe pret urdhëra për të goditur pse jo edhe për të vrarë. Edhe ai i ngjashëm dhe i tallur në maksimum për gatishëmërinë për të qenë afër boss-ëve të tij. Më pas e gjithë ajo zallamahi katrahure që sjell mbërritja e dy artisteve në provincë, me realitetin e ardhjes së Lady Gaga në këtë katrahurën që vetë e nisëm dhe po vetë e bitisëm.

Të organizosh koncerte për të sjellë sadopak shpresë në të gjitha rrjetet sociale dhe grupet e interesit të këtij populli pas asaj dite të ngarkuar me emocione nuk mendoj se është një ide e keqe. Edhe këtë herë politika sjell në vëmendje të publikut heqjen e mendjes nga fenomenet negative. Anipse muzika apo edhe vetë arti janë të plagosura nga humbja e shpresës se dicka do të ndryshonte. Dhe ajo që preket më shumë është e para arti, sporti, cod gjë që ka të bëjë me socialen. Para disa ditësh takova një nga artistët më të shquar të këtij kombi. E pyeta për një shfaqje të shtyrë dhe shkakun pse. Se sheh si janë njerëzit më tha? Si të tramaksur. Mendon se na e kanë ngenë të vijnë të na shohin në atë sallën tonë mondane pas ministrisë së rendit? Po kështu edhe sporti. Shumë ndeshje po degjenerojnë dhe të parët që akuzohen janë arbitrat. Cdo gjë duket e qetë në dukje por pak e rnëduar pas kuintave. Duhen regjizorë të aftë dhe skenaristë të zotë që të sjellin sërish spektatorin në sallë, më saktë shpresë në sytë e tyre. 

Ky koncert që kërkohet të zhvillohet me cdo kusht i ngjan sadopak pushtimit të skenës së Scorpionsave në Moskë. Edhe në atë kohë Perestrojka ende kishte shanse për ndryshimin e mendjeve të sovjetikëve tashmë rusë pas ndarjes së mega-republikës. Njerëzit e ftohtë sfiduan temperaturat dhe iu ngjeshën sheshit për të kënduar “wind of change” e yjeve të rrokut të asaj kohe. Kështu do të bëjnë edhe shqiptarët nëse vjen Shakira. Më shumë e trumbetoi kryeministri shqiptar edhe pse në atë bulevard që do të zhvillohet koncerti ende në cepin e tij janë tee vende të ndryshme me qirinj. Ky koncert do t’i paraprijë sezonit turistik apo celjes së fushatës elektorale kjo mbetet për t’u parë. 

Pra skenari është shumë i qartë. Me 5 apo 10 milionë dollarë që do të mund të shkonin për restaurimin e Teatrit Kombëtar, do të duhen për të sjellë shpresën e shqiptarëve dhe sigurinë e europianëve. Nga të gjitha këngëtaret që nominoni kryeministri asnjë prejt yre nuk kishte në faqen e tyre si axhendë vendin tonë. Mendoni se pas atyre pamjeve ka ndonjë europianë që do të shkelë këtë tokë. Shumë prej ambasadave të vendeve të BE-së u nisën sms bashkëatdhetarëve të tyre, braktisni Shqipërinë. Përse nuk u mendua që t’u kërkohej këtyre ambasadave ruajtja dhe garantimi i sigurisë dhe rendit. Paprekshmëria e tyre përpara se të nxitojmë t’i mbushim mendjen dhe xhepat me euro Beyonce-s.

Nëse kryeministri sjell në Shqipëri një prej këtyre katër divave të muzikës botërore, nuk do të jetë ndonjë cudi e madhe. Shumë prej tyre kanë ardhur në këtë vend. Vite më parë La Bouche që nuk e di se si m’u kujtua, bash në ato vite të arta të drejtimit të shtetit shqiptar në të gjitha format nga e djathta. Dhe më pas kryeministri ra, në më pak se 1 vit nga ai koncert i paparë në stadiumin që u premtoi shqiptarëve po para disa ditësh. Pra të gjitha manovrat e kryeministrit sillen drejt perceptimit të qetësisë dhe largimit të vëmendjes nga dhuna dhe vandalizmi i opozitës sipas tij. Megjithatë përpara se të mendohet për këto rrugëzgjidhje të lehta në letër dhe mëse të realizueshme, mendoj se ka plot të tjera. Një prej tyre garantimi i investimeve të huaja aktuale në Shqipëri. Kemi treguar që anarshimë më të madhe e kemi të theksuar tek prona private. Ngritja e një komisioni nga ana e kryeministrit për garantimin e kapitaleve të huaja dhe dëmshpërblimi i tyre në rast shkatërrimi është një masë e jashtëzakonshme që duhet të dilte nga goja e kryeministrit. Padyshim që këshilltarët e tij duhet t’ja kishin sugjeruar këtë aksion mjaft të dobishëm për qetësimin e klimës së biznesit të huaj. Tek një investitor i huaj që ka bërë investime në miliona euro në vendin tonë dhe ka punësuar me qindra punonjës nuk ka se si t’i kthehet shpresa kur dëgjon si zgjidhje “la la latë” e Lady Gaga. 

Po kështu edhe krijimi i një Agjensie Sigurimi për Bizneset me aq para sa do të harxhoheshin për ardhjen e Shakirës, mund të ishte një tjetër hap i matur dhe i mirëmenduar i qeverisë shqiptare nëse e ka marrë seriozisht atë që ndodhi dhe që s’duhet të ndodhte, i kujtdo qoftë faji. Nuk kthehet shpresa e njerëzve me një koncert të vetëm. Qoftë edhe nga një koncert në javë. Populli gëzon dhe harron kur punon, madje kur punon shumë. Koncertet vijnë pas pune dhe pas fitimit të bukës së përditshme dhe nëse nuk dëshirojmë të shohim skenare të ngjashme me atë të pas Koncertit të vitit 1936 në Lushnje. Prej andej nga filloi edhe katrahura e 1997. Aq keq dhe me pasoja sa mund të rrezikojmë edhe silikonet apo buzët e Lady-t, Amy-t e me rradhë, kur të shpërthejmë nga shfrenimi i përsëritur deri në dhunë. Duke u bërë sërish Headline të mediave më prestigjioze të botës. Do Zoti Jo!

Wednesday, February 2, 2011

“Dua Vizën time”



E sigurt që sapo të ma lexojnë këtë thirrje do të thonë ky s’qenka mirë. Paska lajthitur. Por sot më të lajthitur mendoj se janë europianët, (amerikanët disi më në kohë). Pse jo edhe të shashtisur. Ne që nxituam të shohim lidhjet online nga kufijtë tanë. Nëna që s’kishte parë djalin dhe kështu me rradhë. Sot jemi kthyer në një ekuacion me shumë të panjohura për europianët. Pak kush prej tyre mund të mendojë se ndoshta më mirë do të ishim me viza. Turma e gurëve dhe breshëritë në bulevard pak më shumë se 1 muaj nga lirimi nga zinxhiri, e ka një shkak. Amulli e paparë sot nëpër korridoret e ngushta të Europës. Ky vend nuk e harron vesin e vjetër, atë të sjellurit frikë dhe pështjellim. Më keq kur klasa politike nuk gjen dot gjuhën e dialogut, për faktin e vetëm që Europa nuk pranon trokitje me panik. Madje edhe kur e ka portën të hapur. Nëse deri dje Europa kërcënonte se nuk të liberalizojë vizat, asaj sot nuk i ka ngel gjë tjetër vec të përjashtojë bie fjala Federatën e Futbollit apo Saimirit Stratit’i heqë Guiness-at se nuk po lë rradhë për të tjerë.

Sot Europa ka në dorë vetëm të implementojë pjesën e saj radikale. E cuditur vetëm nga fakti se si ky vend i Europës që aspiron hyrjen në BE, madje edhe vetëpropozohet, qeveriset nga e djathta dhe vazhdon prodhon dhunë në rrugë, madje edhe në institucione duke mos i respektuar ato. Fatalitet i pakrahësueshëm dhe i pandeshur më parë. Nuk ka patur lider politik të djathtë europianë dhe miksim me të majtën, se sa kjo që po i ndodh asaj sot me Shqipërinë. Por Europa i ka harxhuar të gjitha "municionet" bashkë me bataren e fundit të liberalizimit të vizave dhe është e qartë se vetëm dialog nuk do të ketë. Ajo sot e di që nuk i shkon për shtat kërcënimi sepse nuk ka argumenta. Edhe opozitën nuk mund ta ndalë në marshimin e saj pasi do të akuzohej për mosrespektim të lirive dhe principeve themelore të funksionimit të demokracisë. Asaj demokracie që ajo aspiroi të implementonte në këtë hapësirë më pask se 28 mijë km2. 

Sërish nesër nga salla e VIP-it të Aeroportit Nënë Tereza do të vijë një i dërguar për të sjellë këtu zërin e Europës, a thua nuk mjaftojnë këtë ambasadorë që po përfliten sa majtas dhe djathtas s kurrë më parë. Dhe sërish cdo të dërguari do t’i qëllojë i njëjti fat. Fat i keq për të për mospërmbushje misioni, por fati më i keq është për klasën politike shqiptare dhe si rrjedhojë për popullin shqiptar. Ky popull që sic edhe e shprehu gjeniu i letrave shqiptare, Kadare, nuk e meritonte të shikonte shfaqje të shëmtuara dhe të përsëritura, nga ato shfaqje që e bëjnë spektatorin të mendojë një orë e më parë braktisjen e sallës. Në këtë rast të vendit, pse jo edhe më komod se sa rastet kur i qepej maleve dhe paguante vdekjen me para për të kaluar detin matanë. 

Dhe këtu ngelet rregjizori, skenaristi dhe të gjithë aktorët që morrën pjesë në këtë shfaqje të shëmtuar që konkludoi me ikjen e spektatorëve dhe pasigurinë dhe pendimin e europianëve. Ndoshta ishte pak shpejt të hapnin dyert. Sërish i frikësuam ata nga mosgjetja e qoftë edhe një gërme në ato ligjet që miratojnë ata 140 burra dhe gra në parlament. Tashmë gjithcka është ezauruar dhe të qenit vend anëtar i NATO-s dhe hyrje në Europë pa viza ne e kemi përkthyer ose parë si ndeshje miqësore dhe pa probleme që trainierit i duhet të kolaudojë formacionin. Por në të vërtet ky ishte një provim shumë i vështirë që tani më shumë se kurrë i jep të drejtë atij deputetit hollandez që na quajti ashtu si na quajti. 

Sot të gjithë ngelëm në klasë dhe për më tepër që shkollës sonë i rrezikohet edhe heqja e licencës për paaftësi dhe si rrjedhim na kthehen sërish rradhët e gjata për viza, duke na seleksionuar si njerëz me apo pa probleme sociale, mendore pse jo edhe shëndetësore. Edhe pse përpara nesh këto duhet t’u kryheshin atyre që na kthyen sërish mbrapa. Edhe pse ata janë sërish të favorizuar pasi dërgojnë sekretaret e tyre për tërheqjet e pasaportave. Të djathtë apo të majtë. Pa asnjë lloj ndryshimi. Ndërsa ne jemi në anën e europianëve, të shashtisur nga cka na ndodhi, por sërish me viza për t’i takuar, ata europianët, për t’u treguar sërish që u nxituat teksa na hoqët siguresën e shpërthimit.