Sunday, December 19, 2010

"Rrugë e gjatë për në shtëpi"


Asgjë nuk duket matanë xhamit, e shoqëruar me një lëvizje pa fund të fshirëseve të tij. Dhe shiu i rrëmbyeshëm që gjatë gjithë rrugës ka zgjedhur të përplaset mbi makinë. Gomat zhtyen lehtë dhe duken sikur triumfojnë mbi gropat e mbushura me ujë. Brenda kabinës nuk pipëtin asgjë, vec kollitjes së herë pas hershme të ndonjë shoku. Gjithcka e lagësht këtë javë të parafundit të vitit, në prag të krishtlindjeve. Fusha të gjera të përfshira nga uji. Ftohtë sa më s’ka. Dhe ne vazhdojmë të ecim, në këtë rrugë të gjatë të kthimit për në shtëpi. Në sy kemi gjithcka pamë këtë ditë sa të shkurtër dhe të gjatë. Njerëz të mbetur në mes të hallit me ujë shumë, pafundësi. Ishuj të tërë, copa toke të rrethuara nga mbretëria e ujit dhe personazhe të ngjashëm me Robinson Cruso. Presin aty, një fije shprese nga andej matanë, bregut më të madh të tokës së shpresës. Jelekët fosforeshentë dhe shenja paqeje mbi to, siluetat tona. Koka e rëndë nga lodhja e pritjes, për ditën kur këtu do të jetë sërish tokë. Uji, kjo dhuratë e cmuar e zotit sot është pjesë e pandarë e shkatërrimit të ëndrrave të tyre. Në mes të vendit edhe kisha e fshatit. Famullitari nuk pret më besimtarët, por qela duket më e mbushur se kurrë. Një masë uji e ka pushtuar për të mos e bërë më të dukshme. Por kokat vazhdojnë të kthehen si gjithmonë vetiu nga ajo. Pak shpresë. Qiejt pushtohen nga skuadriljet e helikopterëve, por askush s’ka ndërmend t’i zbresë këtij zogu me helika të celikta. Këtu duhet të shkruhej muzika më e dhimbshme klasike e të gjitha kohërave. Notat muzikore duhet të shoqëroheshin nga koret e fatkeqëve për ndihmë. Gjithcka nën ujë dhe shkatërruar. Prona, pasuria, bagëtia, zairet e dimrit, divani, dhoma e gjumit, krevati, televizori. Vërtet kohë për muzikë klasike me shije të holla dhimbjeje. Pse jo edhe pak elegji. 

Nuk do të doja kurrë të përshkruaja c’ka pashë dhe c’po shoh ende në sytë e mi. Të gjalla më kanë ngelur fytyrat e cdo fatkeqi që më rastisi të shoh këtë ditë. Edhe flokët e lagur të atij burri që qëndronte pas sinorit të tij, pa e ditur që nga ky moment dhe deri sa të përpihej mbretëria e ujit nuk do të kishte. Sa bukur, një mbretëri apo një botë pa sinorë. U futa sërish në mendime, ndoshta edhe si për të hedhur tutje këtë rrugë të gjatë të kthimit për në shtëpi. Edhe pse kolla e shokut vazhdonte të prishte qetësinë e bashkëudhëtarëve të kësaj makinë. Madje ndonjë prej tyre edhe fle. Fle edhe shoqja jonë e vetme që erdhi sot për t’i dhënë më tepër ndjenjë këtij solidarizimi. Fle me kokën tek dritarja teksa ndricohet ndonjë moment nga shkëndijat e vetëtimave, thellë atje tej në horizontin që mezi shquhet. Më pas një zhurmë e zgjatur grishëse në ajrin e lagësht të këtij dimri, që sapo ka trokitur. 

Dhe unë sërish futem në imagjinatën time, në botën e gjerë dhe pa sinorë. Saktësisht, si ajo masë toke e madhe që pashë sot, e pushtuar nga uji. Sikur gjithë bota të ishte kështu?! Por sërish, dikush do mendonte të vendoste flamurë dhe kurrëfarë shenjash. Pa sinorë nuk mund të kishte ekzistencë të botës, do mendonte ai, të gjithë. Madje edhe debatet shpesh prej tyre nisin dhe krijohen, marrin udhë. Kjo është e imja, kjo është e jotja. Kufijtë. Por këtu nuk ka nevojë për kufi. Vecse atëherë kur uji do të shkojë, do shfaqen gropat e gardheve që i morri rrjedha, nga prita e pazotë për të ndalur vërshimin e pabesë të masës së ujit. E papërshkruar dhimbja, por edhe kënaqësia që kjo mbretëri e zhytur në ujë nuk ka kufi. S’ka ndarje. Të gjithë të barabartë dhe të pambrojtur përballë “armikut tek porta”, katastrofës. Mbretëria më e qetë që do ta kishte zili gjithkush ta mbretëronte. Njerëz të kthyer në skllevër të besimit për një ditë pa masë uji, dhe toka që cdo ditë e më shumë bëhet më e largët nga dita kur u punua. Begatia më e hidhur e fatit të një bujku. Të korrat më të dhimbshme, trazuar bashkë me zhurmën e ndonjë kafshe të harruar e pa marrë nga rrjedha. Pjesë e gjithë kësaj heshtje, në këtë mbretëri uji sot isha edhe unë. 

Edhe pse heshtjen sërish ma prishi kolla e shokut, nga ajo mbretëri akull e ftohtë prej ujërash, në mes të fushës. Po mendoja momentin që sot do të isha duke pirë një kafe me miqtë e mi, dhe jo në këtë rastësi mendimesh për toka të pushtuara nga uji. Madje edhe pa parë personazhin me flokët të lagur, me fatin e keq të pandarjes nga uji. Përherë lagësht në shpirtin e vet. Në imagjinatën timë një botë e tërë, mbretëri uji pa kufi. Tani që po e mendoj sërish, them me vete më mirë që zgjodha prekjen e kësaj lirie të padetyrueshme. Shije e pasugjerueshme dhe vullnet i lirë për të qënë atje. Por sërish heshtjen ma prishi zhurma e njëjtë e kësaj ecje të nxituar dhe rruge të gjatë për t’u kthyer në shtëpi.

No comments:

Post a Comment