Friday, December 31, 2010
Nje vit i mbare po troket...
Cdo te ishte valle jeta...
Sikur njeriu mos te shpresonte...
Qofte edhe nje nate te vetme...
Si mbret me te tijte te festonte...
Cdo te ishte valle jeta...
Sikur Ti mos te dije te uroje...
Dhe vec miresi e fjale te embla...
Te nxirrje prej shpirti dhe goje...
Cdo te ishte valle jeta...
Sikur Ti ndane vatres miza dhe merzine te vrisje...
E pak me tutje vec te trembje macen...
Ndane oxhakut tek dremiste...
Cdo te ishte valle jeta...
Sikur pemen pa drita dot nuk do zbukuroje...
365 dite jane te uruarat...
Ashtu sic nise... ashtu do shkoje...
Cdo te ishte valle jeta...
Sikur sot hatermbetjet t'i linim...
Hakmarrjen ta pushonim nga puna...
Dhe gjume ne sy mos te vinim...
Cdo te ishte valle jeta...
Sikur ata qe fatet ne dore na kane...
Nje sms te na uronin...
Ata ne rruge te tyre dhe ne tonen...
Do nisnim serish do shkonim...
Cdo te ishte valle jeta...
Pa miresi dhe fjale te embla trazuar...
Ndaj lexoje kete urim...
Nje vit i ri... i bukur pas pak ka per te filluar...
Ki shprese... dhe ki shume besim...
Dielli serish do lind...
Dhe mengjesi serish do jete agim...
Muzgu me lodhje... vec meditim...
Ndaj vjen tek ty... i paster dhe i cilter...
Ky urimi im... Gezuar 2011 !!!
Sunday, December 19, 2010
"Rrugë e gjatë për në shtëpi"
Asgjë nuk duket matanë xhamit, e shoqëruar me një lëvizje pa fund të fshirëseve të tij. Dhe shiu i rrëmbyeshëm që gjatë gjithë rrugës ka zgjedhur të përplaset mbi makinë. Gomat zhtyen lehtë dhe duken sikur triumfojnë mbi gropat e mbushura me ujë. Brenda kabinës nuk pipëtin asgjë, vec kollitjes së herë pas hershme të ndonjë shoku. Gjithcka e lagësht këtë javë të parafundit të vitit, në prag të krishtlindjeve. Fusha të gjera të përfshira nga uji. Ftohtë sa më s’ka. Dhe ne vazhdojmë të ecim, në këtë rrugë të gjatë të kthimit për në shtëpi. Në sy kemi gjithcka pamë këtë ditë sa të shkurtër dhe të gjatë. Njerëz të mbetur në mes të hallit me ujë shumë, pafundësi. Ishuj të tërë, copa toke të rrethuara nga mbretëria e ujit dhe personazhe të ngjashëm me Robinson Cruso. Presin aty, një fije shprese nga andej matanë, bregut më të madh të tokës së shpresës. Jelekët fosforeshentë dhe shenja paqeje mbi to, siluetat tona. Koka e rëndë nga lodhja e pritjes, për ditën kur këtu do të jetë sërish tokë. Uji, kjo dhuratë e cmuar e zotit sot është pjesë e pandarë e shkatërrimit të ëndrrave të tyre. Në mes të vendit edhe kisha e fshatit. Famullitari nuk pret më besimtarët, por qela duket më e mbushur se kurrë. Një masë uji e ka pushtuar për të mos e bërë më të dukshme. Por kokat vazhdojnë të kthehen si gjithmonë vetiu nga ajo. Pak shpresë. Qiejt pushtohen nga skuadriljet e helikopterëve, por askush s’ka ndërmend t’i zbresë këtij zogu me helika të celikta. Këtu duhet të shkruhej muzika më e dhimbshme klasike e të gjitha kohërave. Notat muzikore duhet të shoqëroheshin nga koret e fatkeqëve për ndihmë. Gjithcka nën ujë dhe shkatërruar. Prona, pasuria, bagëtia, zairet e dimrit, divani, dhoma e gjumit, krevati, televizori. Vërtet kohë për muzikë klasike me shije të holla dhimbjeje. Pse jo edhe pak elegji.
Nuk do të doja kurrë të përshkruaja c’ka pashë dhe c’po shoh ende në sytë e mi. Të gjalla më kanë ngelur fytyrat e cdo fatkeqi që më rastisi të shoh këtë ditë. Edhe flokët e lagur të atij burri që qëndronte pas sinorit të tij, pa e ditur që nga ky moment dhe deri sa të përpihej mbretëria e ujit nuk do të kishte. Sa bukur, një mbretëri apo një botë pa sinorë. U futa sërish në mendime, ndoshta edhe si për të hedhur tutje këtë rrugë të gjatë të kthimit për në shtëpi. Edhe pse kolla e shokut vazhdonte të prishte qetësinë e bashkëudhëtarëve të kësaj makinë. Madje ndonjë prej tyre edhe fle. Fle edhe shoqja jonë e vetme që erdhi sot për t’i dhënë më tepër ndjenjë këtij solidarizimi. Fle me kokën tek dritarja teksa ndricohet ndonjë moment nga shkëndijat e vetëtimave, thellë atje tej në horizontin që mezi shquhet. Më pas një zhurmë e zgjatur grishëse në ajrin e lagësht të këtij dimri, që sapo ka trokitur.
Dhe unë sërish futem në imagjinatën time, në botën e gjerë dhe pa sinorë. Saktësisht, si ajo masë toke e madhe që pashë sot, e pushtuar nga uji. Sikur gjithë bota të ishte kështu?! Por sërish, dikush do mendonte të vendoste flamurë dhe kurrëfarë shenjash. Pa sinorë nuk mund të kishte ekzistencë të botës, do mendonte ai, të gjithë. Madje edhe debatet shpesh prej tyre nisin dhe krijohen, marrin udhë. Kjo është e imja, kjo është e jotja. Kufijtë. Por këtu nuk ka nevojë për kufi. Vecse atëherë kur uji do të shkojë, do shfaqen gropat e gardheve që i morri rrjedha, nga prita e pazotë për të ndalur vërshimin e pabesë të masës së ujit. E papërshkruar dhimbja, por edhe kënaqësia që kjo mbretëri e zhytur në ujë nuk ka kufi. S’ka ndarje. Të gjithë të barabartë dhe të pambrojtur përballë “armikut tek porta”, katastrofës. Mbretëria më e qetë që do ta kishte zili gjithkush ta mbretëronte. Njerëz të kthyer në skllevër të besimit për një ditë pa masë uji, dhe toka që cdo ditë e më shumë bëhet më e largët nga dita kur u punua. Begatia më e hidhur e fatit të një bujku. Të korrat më të dhimbshme, trazuar bashkë me zhurmën e ndonjë kafshe të harruar e pa marrë nga rrjedha. Pjesë e gjithë kësaj heshtje, në këtë mbretëri uji sot isha edhe unë.
Edhe pse heshtjen sërish ma prishi kolla e shokut, nga ajo mbretëri akull e ftohtë prej ujërash, në mes të fushës. Po mendoja momentin që sot do të isha duke pirë një kafe me miqtë e mi, dhe jo në këtë rastësi mendimesh për toka të pushtuara nga uji. Madje edhe pa parë personazhin me flokët të lagur, me fatin e keq të pandarjes nga uji. Përherë lagësht në shpirtin e vet. Në imagjinatën timë një botë e tërë, mbretëri uji pa kufi. Tani që po e mendoj sërish, them me vete më mirë që zgjodha prekjen e kësaj lirie të padetyrueshme. Shije e pasugjerueshme dhe vullnet i lirë për të qënë atje. Por sërish heshtjen ma prishi zhurma e njëjtë e kësaj ecje të nxituar dhe rruge të gjatë për t’u kthyer në shtëpi.
Wednesday, December 15, 2010
"Të mjerët"
Është titulli i një prej librave më të dashur, me kopertinën më të dashur. Një pikturë e dhimbshme, me portretin e një të moshuari të mjerë. Flokë të bardhë të shkujdesura përreth kokës nga era e kohës, e marrë, e mjerë. Sa herë shikoja kopertinën e këtij libri, aq më shumë e kuptoja brendinë e tij, me shumë pak interes për ta lexuar. Nga ata libra të rrallë që kanë një fat pak interesant në kërshërinë e lexuesit, të tradhëtuar nga kopertina. Fat i hidhur i një libri. Po në fakt tamam si një libër është cdo lloj episodi i një jete. Nga ato episode që kanë fatin të hidhen në letër. Dhe nga ato episode që nuk e kanë këtë fat, dhe shuhen bashkë me kujtimin e tyre. I tillë do të jetë edhe ky episod që po ndodh sot. Gjithcka po merr trajtën e nje feste, por në të vërtetë është një libër me fatin e “tradhëtuar” nga kopertina. Kanë menduar pak njerëz të hedhin bojën me penela. Edhe shkëndija zjarr në ajër. Fishekzjarre. Dhe përsëri ky është një libër i lexuar, pa asnjë lloj kërshërie për tu shfletuar. Do të vijë një kohë pas ikjes së të mjerëve në këtë episod të ri dërgatash për në europë, me det apo me tokë, që do të shkruhet një libër. Shumëkush nxitoi të japë opinionet e para. Analiza pa fund. Euro në rritje. Frikë për azilkërkues. Mjekësi që i the fund hallit të këtij populli. Biznesmeni që s’do të kacafitet nëpër rradhat e gjata të ambasadave. Noterë dhe burokratë zyrash për një vulë dhe ca para bakshish. Shpurë ambasadorësh dhe ahengxhinjë mejhanesh për të patur një vizë. Më keq se kaq, ajo që do vuajë pas kësaj kryqëzate të mjerësh je ti nënë. Shamizezë dhe e kërrusur si nga hera. Më e dhimbshme këtë rradhë. Bash si sokaku i shkretë i një fshati me pamje nga deti i thellë dhe gjithë tallaz nga kjo ikje e bujshme. Kushdo po mundohet ta shesë si arritje këtë ikje të mjerësh. Ikje prej tokës mëmë dhe humbje në humbëtirat e metropoleve të zhurmshme të asaj europe.
Dhe më pas vaj. Shtëpia shkretohet dhe qeni angullin vajin e ikjes së të zot. Kali nuk hedh më trokun për një barrë dru në majë të malit. Dhe nëna mban në gji foton dhe celësin e shtëpisë së mbyllur me dryn nga marrazi. Ikje e dhimbshme, mes të ftohtit dhe një dëbore të bardhë që kurrë nuk pati shtruar në këtë tokë të nxehtë. Shumë kohë pa dëgjuar fjalën ikje. Që nga kohërat e gurëve të ikjes ndanë asaj kodre që shikonte përherë nga rruga mos pikaste ardhjen e mërgimtarit. Edhe sot sërish i njëjti episod. Karvanët janë zëvendëuar me barqet e avionëve që ngrenë në ajër mbarë shpresat e këtij vendi. Varkat dhe lundrat me buriet lajmëtare të trageteve që kërcasin kockat nëpër detin e harbuar nga fati i hidhur i udhëtarit. Dhe pas një Shqipëri që do të ndihet përherë e më e shkretë. Si ajo shtëpia kërcu e vetme ndanë asaj kodre mbi detin e gjerë plot shpresë. Drita nuk do të jetë më e ndezur dhe shtëpia s’do të presë më njerëz për gëzim dhe mort. Një plakë e vetme që vjedhurazi hedh pas here shikimin nga rruga. Pret gumëzhitjen e kësaj shtëpie më e shkretë në këtë tufan dhe erë acar të këtij dimri. Qeni leh sërish tinëzisht braktisjen e të zot. Macja mjaullin dhe nuhat gjumin letargjik nën ngrohjen e zbehtë të një velenxe, të lënë aty prej të zotë. Janë këta të mjerët e tjerë prej natyrës dhe fatit përse zoti i krijoi për të qenë afër dhe larg njerëzve. Flakët e qiririt ndricojnë zbehtë shtëpinë dhe trarët kanë filluar të lëkunden. Kërcitja e tyre këtë dimër të athtë bëhet më e pranishme. Dritaret përcjellin nga jashtë tufanin që po troket. Dyert kanatë janë të mbyllura me shul dhe nëna e vetme sillet vërdallë për të humbur kohën pa ata. Pa gumëzhitjen e zakonshme të këtij oborri. Cikriku ka ndaluar në kovën e fundit të dalë prej pusit të thellë. Fati i mjerë i kësaj shtëpie, si të gjitha shtëpitë që do mbyllen. Nuk po them sot as nesër. As vitin tjetër. Por me siguri që një ditë do të mbyllen. Si atëherë kur nuk ditën c’të bënin më në këtë vend. Por më me guxim. Këtë herë po shkojmë duke festuar. Të mjerët.
Saturday, December 11, 2010
"Ti, hakmarrje"
E hidhur je Ti hakmarrje…
gaboi kush të tha gjellë e ftohtë…
thikë e mprehtë e ngjeshur thellë në mish…
vaterlo, shtrirje kufomash plotë…
E hidhur je Ti hakmarrje…
të con peshë zemrën hov…
lebetitet qenia njerezore…
armën për t’u hakmarrë nuk gjen dot…
Keq je mësuar Ti hakmarrje…
edhe mua mësove më kot…
unë që kur nuk pata bërë kurrë keq në këtë botë…
Më thërrite… se di…
c’nuk bërë deri sa më gjete…
kush e di në sa shkretëtira u hoqe zvarrë…
sa shumë rremove nëpër dete…
Heshtë më dhe kur s’pata as duar…
armë, dhe luftë për të filluar…
kur shënjestër kurrë s’pata shquar…
më fal të godita… mirë dhe ndoshta pa u menduar…
Ti mendon se isha unë, gabohesh…
hakmarrje... Ti lajktare… hokatare…
edhe pse pa fund më joshe... si të ishe një lozonjare…
më mësove të rend drejt teje…
dhe gjakun të ngopem, duke e parë të rrjedhë ndër deje…
Më the nuk ka rëndësi shpina, as kraharori kundërshtarit…
as klithma, dhe as gur xixa prej strallit…
sytë kur t’i shndritin nga kënaqësia…
e egër si era, dhe tufani që vjen prej malit…
E hidhur hakmarrja…
kur s’e kisha provuar më parë… s’e di…
e desha më të ëmbël luftën dhe kundërshtarin…
si atëherë dhe tani…
E ëmbël hakmarrja…
tani që e provova serish…
kundërshtar i rrallë, i përpjekur dhe i vështirë…
se sa më shijoi… kurrë nuk do ta dish…
Edhe pse në kishë sa shumë…
për të të mos njohur dhe ndeshur në rrugën time u luta…
në okeljon e këtij kapelani…
fati i kundërshtarit tim hakmarrje…
nga gëzimi dot nuk më mbani…
Dhe tani në heshtje do strukem sërish…
nëse kush më bie në qafë e di…
fat hakmarrës… fund i trishtë…
Thursday, December 9, 2010
Rock Politik i se Enjtes
1. Rolls Royce i Princit Charles u godit sot nga studentet duke shenuar keshtu skandalin e pare mbreteror pas "aksidentit" te Princeshes Diana. Ndaj jane marre masat per "blerjen" e nje Benz-i te blinduar, si ne Shqiperi. 2. Vazhdojne rrefimet e ish-studenteve ne mediat shqiptare dhe video e takimit me Aline. Na kishte marre malli per Shakohoxhen qe pas sharjes live shqip-shqip. 3. Niki Vendola, "Obama" i ri i Italise sipas "La Republica". Berlusconit kundershtarit te tij i ka ecur me shijet e "cokollatave" ne fakt.
Wednesday, December 8, 2010
Requiem për 20 vitet e sipërmarrjes demokraci
Në një dhomë të vogël ishim kur dëgjuam për herë të parë Zërin e Amerikës. Babai se di pse vendosi ta sinkronizonte atë stacion dhe të dëgjonte prej aty një zë të cuditshëm. Ishte ai lajmëtari ose predikuesi i ditëve të demokracive tona. Edhe sot, si ato mbasdite të pragfillimit të erërave dhe stuhive me pluralizëm, më kumbon ai zë. Vitet kaluan dhe të gjitha andrallat ja lanë vendin realitetit. Atëherë vërtet flisnim për kaos, anije, ikje dhe vetëm ikje. Sot urrejtja dhe ikja ja kanë lënë vendin zgjidhjes së hallit me cdo forcë dhe iniciativën tënde. Kështu është përkthyer për shumicën e shqiptarëve ardhja e demokracisë. Të duhet të hapësh një dyqan poshtë pallatit, mjafton të dish ku është shumica dhe përpara teje do të të rreshtohen blerësit, me apo pa para në dorë. Cdo iniciativë që ka të bëjë me daljen në mëngjes nga dera e shtëpisë i ngjan hapjes së një biznesi, një dyqani. Edhe ai që pakush e di i dha zoti të bëjë korrupsion. Edhe ai e hap një dyqan, një market. Mjafton të zgjidhë hallin e dikujt në nevojë dhe paratë mbërrijnë në darkë në shtëpi ose në llogarinë bankare.
Sot edhe më vonë të gjithë ata që morrën inisiativën për të mikëpritur pluralizmin, e kuptuan më mirë se kushdo që demokracia është një sipërmarrje. Ashtu si miku im Flamuri që ka një rrobaqepsi dhe i duhet të punojë nga mëngjesi në darkë t’u sigurojë punë 400 punëtorëve të ndërrmarjes së tij. “Isha me 3 fëmi sot jam me 1200.” - më tha një ditë. Sikur 1 punëtor x 3. Ja këtë lloj armate i ngjeshëm demokracisë. Menduam se do merreshim të gjithë me politikë dhe do vendosnim të gjithë për atë që do na qeveriste. Atë që do meritonim. Sot edhe pse votojmë të lirë nuk dimë se ku na shkon vota. Menduam se dikush do na priste të qanim hallin, një zyrë pritje për popullin, zyra e deputetit, se di c’farë. Por nëse nuk është Flamuri është dikush tjetër. Jetët tona kanë kohë që janë sipërrmarje dhe për më tepër nesër që do kemi kufirin e hapur. Edhe andej matanë po e njëjta procedurë, po ato sipërmarrje. Dhe jetët tona përballë fatit dhe lutjeve të atyre studentëve apo profesorëve. Dje ish-udhëheqësi i priti. Po sot kush na pret. Më saktë pas 20 vitesh kush na pret?
Një doktor që na merr paratë për një operacion, si tek shtetërori dhe më shumë tek privati. Një zyrtar që na merr rryshfet pa u lodhur. Një familje me shumë pak të ardhura, vdes nga skamja. Një student që nuk i njihet diploma në këtë mish-mash nga MASH, (Ministria). Një pensionist që s’ka lekë të paguajë faturën afrofe të CEZ-it. Një ushtarak që lirohet nga detyra pa të drejtë, pas hyrjes në NATO. Një paraplegjik që proteston për të drejtat e tij. Një njeri që fle në cati të shtëpisë së përmbytur. Një fshatar në përiferi të Tiranës që ha gjyle kokës. Një njeri që i kanë marrë pronën. Një peshkatar që s’blen dot naftën. Nuk siguron dot bukën. Mendoni se halli i tyre është më i vogël se sa ai i qindra studentëve para 20 vitesh. Ku e ku. Sa larg! Po këta dhe shumë shtresa të tjera të interesuara si ato që ishin për demokraci, kush i pret? Askush tjetër vecse Flamuri dhe të gjithë Flamurët, pasi asnjë nga ata që merituam të na qeverisë në këto 20 vite nuk i priti t’i dëgjojë vetëm një herë të vetme. Demokracia sot mund të përkthehet si një sipërmarrje, por që s’ke nevojë për pajisje me licencë.
Sunday, December 5, 2010
"Shtëpi për artin, shtëpi për sportin"
Të gjitha revolucionet në botë janë udhëhequr prej shpirtit të artistit. Prezenca e tyre apo përqafimi i frymës së cdo lloj kauze, ka bërë të ngrihen peshë qeniet njerëzore. Gavrosh-ët kurrë nuk kanë munguar majë barrikadave. As D’Annunzio-t dhe as Beethoven-ët nëpër revolucionet e pastave, birrës apo salcices. Pra është kjo ajo që i druhen të gjithë liderët në botë. Shumë larg kjo me realitetin tonë. Bëhet më i plotë si kuadër i një tabloje, kur ishin artistët dhe sportistët ata, që duket se e ndollën rënien e mitit apo simbolit të këtij kombi për gjysëm shekulli. E pra ata si në cdo kohë nuk pyesin. As për rock-un dhe stilin e modës prej bohemi, dhe as për xhinset dhe orët super atlantic. Nuk ka forcë në botë që e ndal shpirtin e tyre. Vetëm nëse i lë pa shtëpi, në qiell të hapur. Aty ata preken dhe fillojnë harbohen në tekste vargjesh, nota pentagramesh, gola dhe rekorde pa fund. Dhe këto i rrëzojnë të gjitha pabesitë që bëhen duke i nëpërkëmbur, duke u përpjekur t’u vrasësh shpirtrat. T’i lësh pa shtëpi ata, ata që udhëheqin revolucionet, ata që e sigurt që do ta gjejnë një strehë. Për të krijuar, kënduar, shënuar, ngritur peshë flamurin, krenarinë dhe gjoksin me medalje të një kombi të tërë, në vetëm pak minuta. Dhe s’ka arsye përse të mos i kesh frikë. S’ka arsye pse mos t’i prekësh aty ku u dhemb shpirti.
Sot arti nuk ka shtëpi. Ka vetëm një teatër që vazhdon të struket cdo ditë e më tepër në ambientin e një ministrie, që vazhdon të sjellë pështjellim nën zemrat e lira të shpirtrave të artistëve. Ata nuk bëjnë zë. Nuk cirren dhe as nuk ulërasin, kur duhet të vajtonin. Ata presin vetëm momentin që shpirti i tyre rebel të kalojë caqet, dhe të provokojë revolucionet. S’ka shtëpi për Saimir Stratin, të vetmin Guiness me lavdi nga të gjitha shqipet në botë. Nuk ka një sallë ku Saimiri të ekspozojë punët e tij, të gjitha ato që bëjnë cdo vit nja 10 burra, të marrin avionët dhe të vijnë në Shqipëri për t’i certifikuar. E sigurt që ndoshta edhe bezdisen por "kënaqen" disi, kur i shohin këto punë nëpër magazina të vjetra, të sajuara dhe të lëshuara pa qera nga dashamirësit. Dhe sërish cdo vepër e Saimirit endet dhe ecejaket, nëpër rrugët plot makina dhe bori të këtij "supermarketi" idiot vjedhësish të lavdive. Cdo ministër i rradhës kulture, nxiton të tregojë para të huajve se e do shumë Saimirin, dhe të gjithë Saimirët, që më shumë na lëvdon bota se sa ne. Ne s’kemi sy dhe as kemi për të patur, packa se sikur të kishim një shtëpi për artin, do të kishim edhe ca turistë më tepër, nga ata që rrekemi duke rrahur gjoksin se na erdhën për bukuritë tona me peisazh plehristik.
Sot nuk ka shtëpi për djalin nga Librazhdi të kthyer nga Anglia, me punë të vlerësuara guri edhe nga vetë mbretëresha. Sot nuk ka shtëpi me një expres kafeje apo caji për Ndricim Xhepën, Artur Gorishtin, Bujar Asqeriun, Birce Haskon, Margarita Xhepën, Timo Fllokon, Tinka Kurtin, Anila Bishën, Lazër Filipin, etj. Sot nuk ka shtëpi arti për Gaqo Cakon, Avni Mulën, Pirro Cakon, Kozma Dushin, Osman Mulën, Alfred Kacinarin, etj,. Ka vetëm lokale dhe bare me muzikë live, që bujtin artistët për ahengje. Sot duhet që ata të kishin një shtëpi, por me sa duket dikujt nuk i intereson që të jenë të tërë bashkë. Kanë frikë se mos diskutojnë sërish për të përmbysur regjimet. Edhe pak frikë s’duhet të mungonte, sikur të ishin të gjithë bashkë e sigurt që dicka do të ndodhte. Ja përse i druhen të gjithë ata që kërkojnë të jenë në qendër të vëmendjes. Politika diletante e këtij kryeqyteti. Diletante për të vetmen arsye se kërkon artificialisht dhe me shkak të jetë epiqendër e diskutimit të gjithckaje. Jo të një shtëpie apo klubi arti, si dikur Lidhja e Shkrimtarëve, ku të diskutoheshin dhe kritikoheshin të gjitha veprat, festivalet, panairet e librit, etj. Sot nuk ka shtëpi për shkrimtarët. Kadare e pi kafen në një lokal pa leje afër liqenit. Kandidati për cmimin Nobel. Dritëroin e kam parë duke drekuar në restorantin e X-it. Trishtuese. Një miku im shqiptar më tha që jam me fat se kam parë Alen Delonin, kolosin e kinemasë franceze, duke lexuar gazetën në qendër të Parisit. Ndihej i lumtur. Ndërsa ne i shohim cdo ditë dhe nuk vajtojmë bashkë me ta fatin e tyre të shpërndarjes nëpës smogun e Tiranës.Trishtuese sërish.
Sot sporti nuk ka një shtëpi. Federatat janë kthyer në biznese dhe vetëm Certifikata e QKR-së i dallon nga ai, pasi cdo gjë kryhet si biznes. Ambient me qera, sekretaret, stafi që paguhen nga xhepat e Presidentëve. Kafene, agjensi, lloto dhe lavazhe që rrethojnë stadiumet, pallatin e sportit. Edhe dy klube të stilit "madrilen" apo "ajax", janë kthyer në qendra shpronësimesh dhe kalime sa nga ajo tek kjo ministri. Ndodhi me Partizanin dhe sot po ndodh me Dinamon. Dikujt s’i pëlqen të flitet në kohë moderne edhe për mitet. Do ai të jetë miti. Do që gjithcka të vërtitet rreth tij. Sa narciziste dhe po aq poshtërore. Si dikur Hitleri mendoi. Edhe ai mendonte me cdo kusht si të sundonte botën. Dhe ia “arriti”. Kështu po ndodh edhe sot, tek ne.
Rasti më i freskët Dinamo. Për të tjerat dhe me të tjerat ka mbaruar punë, më saktë të gjithë bashkë kanë menduar se si të mbaronin punë. Dinamo sot kërcënohet të dalë prej shtëpie dhe të katandiset në muhaxhire. Edhe ajo duhet të shikojë hallin. Ishte pak larg vëmendjes në fakt, pasi ishte disi i aneksuar dhe nuk dukej. Jo si Teatri, Kinemaja, Lidhja, Galeria, etj. Po dikujt i ra rruga nga Kompleksi dhe hop e bëri telefonin gati. Tha: "Klubi Dinamo, duhet të prishet". Pale se sa pallate të bukur bëhen në gjithë këtë sipërfaqe. Packa se investohet cdo vit që Dinamo të luajë dhe të përfaqësojë Shqipërinë në Europë. Dinamo duhet të shkatërrohet sepse ekzistenca e saj trondit, ashtu si edhe Ata që përmenda më lart. Ashtu si Saimiri, mjeshtri i Guiness-ave. Pse duhet të vijnë nga jashtë europianët për të vizituar punët e tij? Më mirë të vijnë të shohin si po begaton dhe lulëzon ky vend. Nga injoranca!
Saturday, December 4, 2010
"Të gjitha rrugët të cojnë në Shkodër"
"Të gjitha rrugët të cojnë në Shkodër": "Uji që sot po mbyt Shkodrën për të disatën herë brenda një viti, po tregon sërish që jemi një shtet diletant dhe i paorganizuar për të tilla..."
"Të gjitha rrugët të cojnë në Shkodër"
Uji që sot po mbyt Shkodrën për të disatën herë brenda një viti, po tregon sërish që jemi një shtet diletant dhe i paorganizuar për të tilla qamete. Kryetarja e Parlamentit, për fat ende banore e Shkodrës, para dy ditësh u hakërrehej deputetëve të opozitës se ata, pozita, janë në ballë të aksionit për evakuim. Por kjo nuk është se e zgjidh këtë cështje. Situata qëndron aty stoike dhe e dhimbshme, për të gjithë ata që po e vuajnë aktualisht këtë tragjedi. Qytetarët e Shkodrës. Kjo situatë na nxjerr edhe një herë në breg të detit stuhinë që vazhdon ta kemi ndër vedi. Sikur Migjeni apo ndonjë Migjen tjetër i ngjashëm me të do të ishte gjallë do të thërriste fort: "Ah si s’kam një grusht të fortë!".
Ka një shprehje simbolike në gjithë këtë katrahurë përpara ardhjes së krishtlindjeve dhe vitit të ri. Ato ditë të mbushura me frymë shprese dhe lutje për lumturi dhe begati. Vecse nën ujë këtë rradhë. Të gjitha rrugët të cojnë në Shkodër! Edhe të gjitha ujërat e HEC-eve më të mëdhenjë të vendit. Ato që prodhojnë energji elektrike pa fund dhe paratë nuk e dimë se ku shkojnë. Dhe për më tepër ende jemi pa drita. E pra të përmbytesh nga prurjet e shumta, duke mos patur drita njëkohësisht, kjo është një tragjedi më vete. Po ndiqja dje në një nga mediat që pretendon se po monitoron situatën, Ministrin e Mbrojtjes. Mirë deri këtu por fakti që kërkon ndihmë prej NATO-s, duke qenë vend anëtar i saj është një tragjedi më vete. U mundova të zë veshët dhe mos të dëgjoja deklarata të tjera të papërgjegjshme të ministrit të rradhës. Pas asaj të kthimit të eshtrave të Ismail Qemalit, kjo e dyta më e fortë në vetëm pak kohë. Të jesh vend anëtar i NATO-s dhe të mos menaxhosh dot as situata të tilla, jo natyrore do të thotë dështim. Kanë dështuar masat emergjente të efektivave, që ju i quani të afta për misione paqeruajtëse si në Afganistan, Bosnje apo Irak. E pra kur nuk keni mjete dhe trupa të nevojshme, për t’i ardhur në ndihmë vetëm një qyteti, cdo të mendonim nëse vendin e godiste një ciklon, tornado apo uragan. Mendoni se me 10 kamiona dhe 20 ushtarë, zgjidhet halli në Shkodër? Të pretendosh dhe t’i mëshosh fort faktit, madje edhe të festosh si vend anëtar i NATO-s, do të thotë të jesh i përgatitur për cdo lloj situate. Mendoni ju se vendet e tjera të NATO-s nuk e dinë se përse mbytet sërish Shkodra?
Zëvendësimi i specialistëve të HEC-eve, atyre të argjinaturave dhe deri tek ata të tokave me militantë, vecanërisht në një zonë si Shkodra e lidhur me të djathtën prej vitesh, ka sjellë këtë situatë. As më shumë e as më pak se sa flakja në rrugë e njerëzve të aftë, dhe punësimi partiak i personave të papërgjegjshëm, madje edhe në shërbimet sinoptikane. Prishja e kanaleve dhe të gjithë infrastrukturës ujore të një qyteti dhe të rrethinave të tij, nuk i shuan dot aspak hamendësitë se përse shkodranët preferuan të ndërtojnë anës lumit, apo ndanë liqenit.
Elementë të tjerë që i vishen rastësisë se përse të gjitha rrugët të cojnë në Shkodër, ka pafund. Mjafton të përmendësh sigurimin dhe dëmshpërblimin që shteti apo kompanitë private duhet të bënim në këto momente. Sapo plasi Gërdeci për të shpëtuar shumë e shumë gjëra nga kjo histori, u tha direkt se do të ketë kompesim për qytetarët. Po për shkodranët që sot po humbasin gjithcka kanë prej ujit, pasi një gjyle plas dhe nuk vazhdon më të bucasë, cdo të ketë. Për të mos folur për grabitësit që po përfitojnë nga fjetja e shtetit për të kontrolluar qoftë edhe me barka të marra me qera cdo lagje nga ato pak lagje sic pretendojnë. Uji dhe të gjitha problemet shëndetësore që pasojnë, janë të panumërta. Mjafton të përmendim ato të mushkrive, lagështirën dhe gjithcka tjetër e ngjashme me të, që o t’i bëjë qytetarët shkodranë të jenë të rrezikuar në cdo cast. Për të mos vazhduar me epideminë që po rrezikon realisht qytetin.
Elementë të tjerë që i vishen rastësisë se përse të gjitha rrugët të cojnë në Shkodër, ka pafund. Mjafton të përmendësh sigurimin dhe dëmshpërblimin që shteti apo kompanitë private duhet të bënim në këto momente. Sapo plasi Gërdeci për të shpëtuar shumë e shumë gjëra nga kjo histori, u tha direkt se do të ketë kompesim për qytetarët. Po për shkodranët që sot po humbasin gjithcka kanë prej ujit, pasi një gjyle plas dhe nuk vazhdon më të bucasë, cdo të ketë. Për të mos folur për grabitësit që po përfitojnë nga fjetja e shtetit për të kontrolluar qoftë edhe me barka të marra me qera cdo lagje nga ato pak lagje sic pretendojnë. Uji dhe të gjitha problemet shëndetësore që pasojnë, janë të panumërta. Mjafton të përmendim ato të mushkrive, lagështirën dhe gjithcka tjetër e ngjashme me të, që o t’i bëjë qytetarët shkodranë të jenë të rrezikuar në cdo cast. Për të mos vazhduar me epideminë që po rrezikon realisht qytetin.
Nuk ka shtet në Europë që këtë dukuri nuk do ta shikonte me shqetësim. Ka shumë raste që pozita akuzon opozitën se po i prish punë duke folur keq për të tek Europa. Sot opozita shqiptare ka të drejtë të bërtasë, ulërasë, të cirret më shumë se të gjitha herët e tjera. Mendoni se si do të udhëtojnë shkodranët mbas datës 15 dhjetor, dita e parë e shqiptarëve pa viza, me epidemi. E kam thënë në cdo rast që shqiptarët e sëmurë dhe me probleme shëndetësore, e shqetëson më shumë Europën se sa krimi, droga apo prostitucioni. Kam frikë së në këtë rast do ta paguajmë të gjithë. Pastaj ka të drejtë qeveria të shpallë gjendjen e katastrofës natyrale. Po prej një epidemie që e kishim vërtet në dorë ta zgjidhnim në kohë.
Me kushte higjeno-sanitare skandaloze në sajë të papërgjegjshmërisë së politikave të shëndetësisë për guiness në këtë millenium të ri, e sigurt që një ditë do të katandisemi në lavra laboratorike. Sot Shkodra është pa ujë dhe pa drita. Pa ujë sepse edhe nëse do të ketë ujë ai do të ishte i zi, katran me bojë. Sa muaj duhen që uji të kryejë ciklin e plotë të dizifektimit dhe deri në përdorim. Pa drita sepse cdo masë do të sillte tjetër tragjedi dhe me përmasa akoma më të mëdha. Pra sot Shkodra po jeton ditët e saj më të këqija dhe ndaj të gjitha rrugët sot të cojnë në Shkodër.
Me kushte higjeno-sanitare skandaloze në sajë të papërgjegjshmërisë së politikave të shëndetësisë për guiness në këtë millenium të ri, e sigurt që një ditë do të katandisemi në lavra laboratorike. Sot Shkodra është pa ujë dhe pa drita. Pa ujë sepse edhe nëse do të ketë ujë ai do të ishte i zi, katran me bojë. Sa muaj duhen që uji të kryejë ciklin e plotë të dizifektimit dhe deri në përdorim. Pa drita sepse cdo masë do të sillte tjetër tragjedi dhe me përmasa akoma më të mëdha. Pra sot Shkodra po jeton ditët e saj më të këqija dhe ndaj të gjitha rrugët sot të cojnë në Shkodër.
Subscribe to:
Comments (Atom)




