Pas fjalimit në kongresin e fundit të kryetarit të PSSH-së Edi Rama, pamë që tonet e tij ishin shumë të zbutura. C’ka lë të kuptojë se ky qëndrim duhet parë në të dyja anët e medaljes, Ramën pa pushtet, jo më kryetar i bashkisë më të madhe në vend. I zhveshur nga interesat që ndërthureshin me këtë bashki si tendera, leje ndërtimi, punësime, etj. Dhe si e tillë edhe një farë zbutje e formës së “rrebelimit” të një pjese të konsiderueshme të udhëheqësve më të lartë të PSSH. Disa të deklaruar dhe disa në heshtje. Dhe ana tjetër, përgatitja e opinionit për atë që do të ndodhte dhe ndodhi. Marrëveshjes së bashkëpunimit me pozitën, duke respektuar fjalë për fjalë atë c’ka i ka sugjeruar BE-ja. Anipse janë oponentët e Ramës brenda partisë së madhe socialiste, që e kanë trumbetuar me forcë këtë si një handikap i PSSH-së me ndërkombëtarët.
Njëra anë e medaljes.
Duke nominuar në asamble shumë emra të lakuar si mbështetës të ish-kryetarit Nano, Rama padyshim që ka shënuar një "autogol" të gjithckaje që ai ka përsëritur në media apo në takimet me bazën më parë. Kjo jo për faktin se këta personalitete të “Sheshit Austria” nuk e meritojnë emrin në listën shumë emërore të Asamblesë së PSSH-së. Por se Rama i kthehet edhe një herë asaj që ai mendoi se e hodhi pas shpine. Të kaluarën e PSSH-së. Me këto emra, Rama e sigurt që ka menduar edhe se si të sfumojë LMN-në, duke i shkëputur asaj një pjesë të mirë, deri edhe duke e izoluar atë. Pa e ditur se kjo Lëvizje e pati një shkak. Dhe shkaku përvecse ai vetë nuk mund të supozohet të jetë gjë tjetër.
Legalizimi i fraksioneve në PSSH ishte një nga presionet më të mëdha që dikur dyshja Meta-Rama i ushtronin ish-kryetarit Nano, (referuar librit të Ramës “Kurbani”). Por kur ky i fundit vendosi të mos i dëgjonte, solli rrjedhje votash tek PSSH dhe për rrjedhojë kalimin në opozitë. E njëjta situatë edhe për Ramën. Nuk po vjen dot në pushtet. Dhe kjo mund t’i atribuohet kryekëput edhe kësaj. Përcarja e PSSH-së që ai ndolli dhe solli në spektrin e majtë duke mos e bërë atë kompetitive, packa se Rama edhe në kongresin e fundit e quajti dy herë humbjen si vjedhje të përsëritur të votave. Derisa shkaktoi ilaritet të pakrahësuar tek kryeministri i Shqipërisë, Berisha duke e etiketuar këtë të fundit si ‘kalama”. E sigurt që kjo deklaratë nuk i takon për shtat një kryetari opozite, por tashmë ajo doli prej gojës së tij në foltoren e tempullit socialist para një jave. Dhe legalizimi i fraksioneve në PSSH është sot jo më një risi. Ajo c’ka do të ndodhë më pas vlen të analizohet. Por padyshim që kjo është një fitore e madhe e socialistëve që mendojnë ndryshe nga kryetari Rama. Ashtu sic dhe vetë Ai dikur, kur sapo kishte ngrohur në xhep teserën e PSSH-së.
Ana tjetër e medaljes. Zbutja e toneve dhe ulja në tryezë me pozitën, mendoj se është një tjetër fitore e "mendimit ndryshe" të PSSH. Janë ata që kanë këmbëngulur me forcë se bojkoti dhe prishja e marrëdhënieve të bashkëpunimit me faktorin ndërkombëtar nuk është në dobi të PSSH-së dhe do ta mbajë atë akoma më larg nga pushteti. Atë që ëndërron kryetari i saj pothuajse cdo ditë. E sigurt që BE-ja kërkon më shumë të dijë se sa i aftë do të jetë Rama nëse ata i hyjnë aksionit politik për zhbërjen e "mitit" PD në krye të shtetit shqiptar. Por nëse ky lider që ata kërkojnë të investojnë politikisht këto dy vitete e ardhshme nuk bind, ateherë përse duhet të shpejtojnë vajtje-ardhjet në korridorin ajror Bruksel-Tiranë.
Por sot “miti” i mospranimit të kushteve apo sugjerimeve të BE-së ra, dhe kjo lëvizje e papritur e Ramës lexohet në një llogjikë të ftohtë edhe si dorëzim pa kushte. Rama pa pushtet (bashkiak), po na tregon që di të jetë edhe i dëgjuar. I butë. Madje të bëjë edhe batuta me kryetaren e parlamentit. Pra Rama po qesh. Ndoshta mund edhe ta ketë zbutur libri i sapo hedhur në treg. Dhe kjo e qeshur e Ramës pati menjeherë reagime pozitive nga ana e Brukselit. I pari komisioneri Fyle, i cili ka patur shumë herë besim tek gjetja e dialogut mes palëve politike. Ndoshta edhe të tepruar ndonjëherë. A thua është shqiptar?! Por fakti që Rama qeshi duket se do sjellë erë të mirë të raporteve të PSSH-së me BE-në. Atë që sic e theksova më lart ka kërkuar në cdo kohë LMN-ja. Ndoshta edhe për shkakun e disa lëvizjeve periferike të tipit kafe me Blushin, debate banale si ai në Kombinat, etj., të cilat nuk ia sfumuan dot presion ndaj Ramës asaj.
Por a është vërtetë gati Rama për të ardhur në pushtet? Natyrisht që furnizimi me emra “të rinj i repartit socialist", është një prej atyre që vërtet se funksionon për të ardhur në pushtet, sipas Ramës. Packa se me shumë prej tyre e ka… Rama (kuptohet se për c’farë e kam fjalën). Sot ardhja në pushtet e PSSH-së është padyshim objektivi kryesor i të gjithë socialistëve, dhe me këtë teori Rama kërkon të grishë emocionin e socialistëve. Por përse nuk mendoi kështu në vitin 2009 është pyetja ime? Për të mos shkuar më tej me një pyetje tjetër tendencioze. A do të jenë këta të fundit kabinet i ose trupa qeverisëse? Po me të tjerët që shënoi vetëm disfata si do të luhet? Do të jenë lojtarë formacioni apo rezerva?
Pra nga një pyetje me sa duket dolën shumë të tilla. Unë nuk jam orakull që të di përgjigjet sipas Ramës, aq më tepër që ai shquhet për ndryshimin e mendjes (jo stabël në mendime dhe qëndrime politike), sidomos në minutat e fundit. Një e tillë e pamë të ndodhte sërish në kongresin e fundit të PSSH, kur në minutat e fundit vendosi emrin e Gjergji Goros në listën shumë emërore të Asamblesë dhe po në minutat e fundit të publikimit të emrave fitues e hoqi atë.
Të tilla arsye më bëjnë të mos mundohem të kem një përgjigje, por vetëm të presë të shohë njerëzit "hije" me të cilët Rama do të formojë kabinet in e tij qeveritar në mendje dhe më pas t’ja prezantoj atë mbarë opinionit për të kërkuar votën, në letër. Fakti që dy prej vendeve që ne jemi më shumë të lidhur dhe të varur, Italia dhe Greqia kanë kabinet e teknicienësh, më lë të kuptojë që Rama duhet me patjetër të gjejë “harvard-istët” ose “bokoni-stët” e tij. I ka patur në Asamble apo ata që sapo "katapultoi", kjo mbetet për t’u parë. Mua vec më gëzon fakti që Rama nuk është më Ai i pari. Tani Ai është “Rama që qesh”.

No comments:
Post a Comment