Thursday, November 10, 2011

Për ku kështu Anastas?”


Pak ditë më parë kryetari i PS-së ironizoi në rrjetin social Twitter, zëdhënësen e PD-së me batutat e dy aktorëve të mëdhenjë, tek “Pylli i Lirisë”, (ose filmi me Vlashin), Lazër Filipi dhe mamaja e mikut tim të shtrenjtë Cimi, Margarita. Fatmirësisht të dy i kemi gjallë. Por nuk është “sebepi” i këtij shkrimi filmi dhe as artistët, packa se politika ka filluar të bëhet më artistike me filma, batuta, rrjete sociale pse jo edhe libra. Në të vërtetë ajo që më “ndezi gjakun” për të shkruar dicka në letër, ishte asambleja e fundit e PSSH-së, partisë së cilës unë i fala një pjesë shumë të bukur të jetës sime, rininë.

Sa herë që ka kongrese në PSSH më kap një lloj entuziazmi i papërshkruar. Më kujtohet vetja ime për herë ta parë delegat në 2003 dhe po kandidat për të hyrë në KPD. Të gjithë e kujtojmë atë kongres të 2003. Kongresi që i parapriu gjithckaje që po ndodh sot. Që nga ndarja e Ilir Metës nga PSSH , rënia në pikiatë e aksioneve të PSSH në elektorat për pasojë pas 1 viti e gjysëm humbje e pushtetit dhe ngjitja në skakierën politike ose lancimi i kryetarit aktual, Rama.

E pra në atë kohë në sallën e TOB-it isha në mes të dy figurave shtyllë të PSSH-së. Në një anë Dritëro Agolli dhe në anën tjetër, ngjitur Musa Ulqini. Emocione të mëdha për një të ri që për herë të parë është delegat dhe po për herë të parë kandidon për KPD-në e partisë, sot Asamble. Pikërisht kjo asamble dhe hyrja e shumë personazheve publike dhe dashamirëse të partisë sime socialiste, më shtyu të bëjë batutën time me modifikim. Të më falë skenaristi Kico Blushi për ndryshimin e origjinalit. Ndoshta do të vijë një ditë që do t’i kushtojmë edhe një rresht copyrigh-it dhe të drejtës së autorit. Unë sapo e bëra për të qenë i qetë.

Për ku kështu Anastas? Sinqerisht kur mësova emrat e rinj që iu shtuan atyre ekzistues të asamblesë së PSSH-së, më cuditi fakti që shkelet apo jo statuti që përcakton qartë numrin e tyre. Gjithsesi një parti në opozitë ndonjëherë është mirë që të bëjë edhe tolerime, sidomos kur ka shumë vite në opozitë dhe kur shoqëria është më bërë më globale dhe universale. Gërshetimi i grupeve të interesit, figurave publike, akademikëve apo edhe artistëve padyshim që hap një garë për listën e 140 deputetëve të ardhshëm në 2013. Gjithmonë nëse nuk do të ndodhë si me listën e 2009-ës, që sipas batutave mes nesh kishte tre lista në kokën e kryetarit, atë të mëngjesit, drekës dhe darkës.

Nëse emra të tillë si ai prof. Angjelit, Musa Ulqini, Lili Nushi, Adrian Berberi, Bashkim Zeneli, Kozeta Fino apo Etleva Bisha, etj., dhe për të vazhduar me emra të tjerë si prof. Petrit Malaj, Artan Lame, etj., do të ishin futur para pak vitesh, motorri i PS-së nuk do të kishte punuar me "kohë të pjesshme" dhe sot ajo do të ishte në pushtet. Por me sa duket ajo që i ndodhi kryetarit në 2003 kur unë dhe disa të rinj të tjerë nuk e lamë të dilte pa votë në atë kongres, nuk ishte bërë mësim. Ndryshe nga c’farë ai tha në fjalimin e atij kongresi, për të mos folur për fjalimin në konferencën e PS-së Tiranës, akoma më i ashpër.

Por sot këta emra përbëjnë shpresë për kryetarin e PSSH-së Rama dhe nëse ai përmbahet kësaj liste për të qenë ata deputetët e ardhshëm të parlamentit, atëherë mendoj se është e gjetur. Packa se në mendjen e shkrimtari Rama, kjo lëvizje e ka një shkak. Frika se mos një hemoragji tjetër shpërthen në PSSH nga kërcënimi i takimeve pompoze të prof. Malaj. Të mbushura këto me shumicën e anëtarëve më të rinjë të asamblesë së Partisë Socialiste në kongresin e fundit. Është ky shkaku edhe pseasgjë nuk është e sigurt, pasi luhatjet e këtij kryetari për përzgjedhjen e ekipeve janë të njohura. Kam frikë se do të ndodhë si me Musa Ulqinin. Në darkë ishte deputet dhe në mëngjes jashtë listës.

Por kryetari e thërriti sërish Musain nën armë. E ku do të shkonte ai pa Musain? Kush e di se sa i ka shqyer sytë kur pa Musain në rreshtin e parë të takimeve të prof. Malaj-t. ai që i dha fitoren tre herë rresht në krye të shtabit të tij elektoral dhe një humbje kur ai nuk e drejtoi këtë fushatë. Por bashkë me Musain janë edhe shumë të tjerë. Prof. Angjeli i cili edhe pse ft. Musain e bënë me tesër partie në njësinë bashkiake no. 2 sot e humbur prej socialistëve, në atë kohë prof. Angjeli deputet. Së bashku me ta dhe shumë të tjerë. Ndaj e gjithë kjo situatë e ka hak një batutë filmi: “Le të vijë dhe Musai me të vetë”. Është sërish i madhi Reshat Arbana që thërret Mond Hasantaren mikun tim, “Nexhipi” në filmin “Ja vdekje, ja liri”. Dhe sot vërtet që PSSH është në unison të plotë me titullin e këtij filmi që më pëlqen aq shumë. 

Por mungojnë në këtë listë, (ndoshta padashur ose me qëllim) disa njerëz të suksesshëm. Mungon Goro i Himarës. Ai që i mësoi të gjithë në PSSH se sa e parëndësishme është në këto kohëra sigla e partisë dhe sa të fëlliqura janë pazaret politike që bëhen në kurriz të elektoratit. Pikërisht atë që nuk po lexon sot i gjithë spektri politik. Sikur te kishim ca Goro.. Ndaj mendova ta modifikoj batutën e kryetarit Rama të para disa ditëve: “Për ku kështu Anastas?”. Dhe me prof. Angjelin nënkuptojmë të gjithë ata socialistë të cilët dhanë dhe japin kapacitetet e tyre të pakursyera për PSSH-në, kur i thërrasin nën armë apo në zborin socialist. Vetëm që PSSH të vijë në pushtet, packa se sot pëlqehen nga kryetari i rradhës ose ai i përjetshmi i saj. Nesër nuk e di!

1 comment:

  1. hahaha.. e bukur kjo ... Po sikur Anastasi te ishte superticioz... drejt 13 (2013) ters... Kongrese te Tjera na Presin...

    ReplyDelete