Saturday, March 19, 2011

Newsletter Veneto Banka - Mars 2011


1.   Veneto Banka, banka me rritjen më të madhe të aktiveve dhe të depozitave në sistemin bankar gjatë vitit 2010. Kjo pas publikimit nga ana Shoqatës së Bankave të analizës të treguesve financiarë për bankat e nivelit të dytë në Shqipëri. Kështu totali i aktiveve në vitin 2010, në krahësim me vitin 2009 u rrit me 49%. Rritja më e madhe në sistemin bankar i përket edhe depozitave me 55%, ndërkohë që portofoli i kredisë u rrit me 60%. Ky rezultat vjen si pasojë e një pune voluminoze nga ana e rrjetit të filialeve të Veneto Banka gjatë vitit 2010.


2.   Z. Lucio Gaita, Drejtori i Përgjithshëm i Veneto Banka, pas miratimit nga ana e Bankës së Shqipërisë të dokumentacionit të paraqitur nga ana e Gruppo Veneto Banca për këtë post. Drejtori i ri z. Gaita vjen në Shqipëri për të drejtuar Veneto Banka, pas një eksperience të gjatë në sistemin bankar italian, duke mbajtur kohët e fundit postin e zv. Drejtorit të Përgjithshëm të Banca Apulia, një nga bankat lider të Rajonit të Puglia-s me rreth 70 filiale, e cila u bë pjesë e Gruppo Veneto Banca vitin që shkoi.


3.   Edhe dy filiale të reja Veneto Banka në Shqipëri gjatë vitit 2011. Do të jenë qytetet e Lezhës dhe të Kavajës që do t’i shtohen rrjetit aktual prej 8 filialesh, duke u bërë kështu jo vetëm prezent me filiale në qytetet kryesore të Shqipërisë por edhe pothuajse gjatë gjithë vijës bregdetare të vendit tonë. Kështu pas Shkodrës, Durrësit dhe Vlorës do të jenë këto dy qytete të tjera bregdetare ku Veneto Banka synon të ketë suksesin e qyteteve të mëparshme.


4.   “Depozita Extra”, një produkti i ri, në prag të përvjetorit të parë të Veneto Banka në Shqipëri (dt. 25 Mars 2010, ceremonia e zyrtarizimit e cila u organizua në Hotel Sheraton). Një produkt mjaft i vlefshëm për klientët të cilët kursjenë para, duke i investuar ato në depozita afatgjata, 1, 2 dhe 3 vjecare, nga ku interesat përfitohen cdo 1 muaj, 3 ose 6 muaj. Hapja e një depozite Extra është falas dhe interesat e përfituara kalojnë në llogarinë rrjedhëse të klientit sipas cdo periudhe të përzgjedhur nga ana e klientit.


5.   E-banking është shërbimi më i ri, i përsosur sipas të gjitha parametrave të një banke me standarte të larta, si nga ana e shpejtësisë ashtu edhe nga ajo e përdorimit dhe sigurisë. Me anë të këtij shërbimi mjaft profesional, klientët e Veneto Banka do të kenë mundësi të përdorin pothuajse të gjitha shërbimet bankare kryesore, që ofron banka jonë nëpërmjet internetit në cdo kohë, pa qenë nevoja të jenë prezentë në bankë.



Friday, March 11, 2011

Zgjedhje, për të kaluar rradhën


Edhe pak ditë, dhe në ekranet e TV-ve do të shfaqen fytyrat e kandidatëve për kryebashkiak dhe spotet e partive politike. Në lagjet tona do të fillojë gara për vendin se ku do të ngjiten posterat e tyre dhe trendi më i fundit, ai i hapjes së zyrave elektorale. Aty ku populli do të takojë kandidatin dhe do të mësojë se kush janë prioritetet dhe politikat që do të ofrojë ai. Lista, kuti votimi, komisione, takime, kontestime, sondazhe, gjithcka që do të prodhojë e djela e dytë e fillim majit. Por ka dhe nga ata njerëz që nuk e onepsin këtë lloj klime duke zgjedur largimin e tyre për jashtë vendit. Por unë do të merrem me ata që do të rrijnë të shuajnë kurozitetin e tyre se kush do të fitojë. As më shumë dhe as më pak askush. Madje pa frikë do të dëmtohemi nga klima e keqe e atmosferës zgjedhore, para sezonit turistik. Më saktë në kulmin e afatit kohor, kur shumë prej ndërrmarjeve apo bizneseve të huaja që operojnë në vendin tonë synojnë të kapin buxhetin e vitit. Një vit i mbrapshtë i filluar keq që në muajin e parë, si të mos mjaftonte viti që lamë pas. Vit ndër më të vështirët për ekonominë globale, imagjinoni ekonominë tonë, një “gazoniere” e ngjeshur dhe e sajuar mes shumë “suitave rezidenciale” të ekonomisë europiane. Nëse vërtet pushteti lokal do të ishte një instrument i ndarë dhe i pavarur nga punët dhe hallet e përditshme të qeverisë, atëherë me shumë siguri që do të kishte interes. Më një ligj të sajuar, gjoja i decentralizuar, pushteti lokal sot është hallka më e ngathët e gjithë lëvizjes së mekanizmit pushtet. Dhe fitorja e kujtdo kandidati që nga ai në sheshin skënderbej dhe deri në konispol apo në dukagjin, për dikë që e di mirë se si funksionojnë gjërat nuk do të përbënte aspak interes.

Megjithatë lufta përqëndrohet në qytetet e mëdha. Aty ku lejet e pallateve apo hoteleve buzë detit janë epiqendra dhe retorika e ditës. Por edhe nëse në këto qytete pushteti apo fitorja e një posti si kryebashkiak shikohet si fitim i madh, duhet të marrim parasysh rënien drastike të interesit për sektorin imobiliar, kjo jo vetëm për vendin tonë. Pra sado të rreken ata që merren me statistika apo studime se vërtet ky sektor nuk ka patur rënie, unë mund t’ju siguroj se është në krizë të thellë, ndoshta kurrë më parë që nga lancimi i tij si industri. E tillë vlen edhe për investimet që ndoshta të huajt do të bënin në këto qytete. Imazhi i dëmtuar i 21 janarit, përpos ashtu sic edhe e përmenda më lart, një ndryshimi të pothuajse të gjithë klimës jo të shëndoshë për investime në Europë, është një tjetër element se hedhja e shiritit kuqezi në qafën e cdo kryebashkiaku apo kryekomunari, do të jetë një ornament më shumë folkloristik dhe dekor. Askush prej tyre ende nuk ka shpalosur qartë se kush janë prioritetet. Se si ai do të mundë të sjellë apo nxisë investimet, se si do të mund t’i thithë ato. Kush janë mekanizmat dhe instrumentat. Avantazhet dhe materialet studimore se kush janë ato që vërtet do të krijonin mjedis të pëlqyer për investime. Unë do të sjellë në vëmendjen tuaj dy raste. I pari është kryebashkiaku i Barit. Në vetëm pak kohë vuri në jetë një projekt ambicioz për eleminimin e trafikut në këtë qytet i kthyer në gangrenë për të gjithë ata që zbarkojnë nga rajone të ndryshme të Puglias për të punuar. Autobus pick-up në cdo 5 minuta që marrin shoferët pasi kanë parkuar një tarifë simbolike në tre mega-parking kryesore në tre cepat e periferisë së qytetit. Armatë bicikletash dhe motorrësh vetëm dhe vetëm për të të mos vonuar për të arritur në destinacion, me të vetmin qëllim që qyteti të mos ketë trafik dhe të mos ndotet. E pra nuk ka se si të jetë ndryshe këtij realitetit tonë dhe retorikës pafund se jam këtu për të bërë këtë, apo njëri prej jush, slogane boshe që shoqërojnë fushatat elektorale.I dyti rast vjen nga Gjeorgjia. Pasi ndoshta mund të mendohet që ende nuk i afrohemi dot standartit italian. Në vetëm pak vite përpos cmimit si vendi me më pak korrupsion në Europë, Gjeorgjia sot po tërheq investitorët e huaj falë një fushate marketingu të paparë deri edhe në cdo numër në të përjavshmen “The Economist”. E fundit që më tërhoqi ishte shitja për 1 dollar i një aeroporti, i qytetit të dytë më të madh gjeorgjian. Dhe kjo e gjithë inisiativë e një kryebashkiaku dhe bashkisë që ai drejton, si një promocion i përbashkët me logon “Invest in Georgia”. Nuk u morra me hulumtime se është po e njëjta forcë që qeveris edhe në atë lokale të këtij qyteti. Ajo që më tërhoqi është ajo që nuk e gjejmë asnjëherë në vendin tonë. Gjuha e përbashkët për të bërë investime strategjike në dobi të gjithë publikut të këtij apo atij qyteti. Kush nga kryebashkiakët e Sarandës apo Vlorës që vizitohen prej turistëve u kujtua se si mund të ndërtohet një mini-aeroport. Kush prej tyre mendoi se si turistët nuk duhet të bëjnë peligrinazh dhe të rrezikojnë jetën duke zbritur për në det nga qafa e një mali 1200m të lartë. Janë vërtet të interesuar për zhvillimin e turizmit horrror? Kush janë rrugët e tjera si ato detare apo ajrore që do të zëvendësonin këto ecejake të përvitshme për pak turistë më shumë. Për të mos folur për trafikun e rënduar dhe rraskapitës që duhet të shijonë turistë në cdo qytet bregdetar. Mjaftohemi të rrekemi se erdhën kaq apo aq turistë dhe harrojmë që këta turistë kërkojnë të shohin gjëra ndryshe nga ato që ofrojnë mjedise të ngjashme si ky i yni. Kush nga kryebashkiakët vendosi një anije në dispozicion të plazhistëve, që nga koha e Nedinit në Vlorë, kryetari i ish-komitetit ekzekutiv që bëri një plazh model dhe vendosi edhe anije për xhiro në Gjirin e Vlorës. E pra kjo do të thotë që edhe këto palë zgjedhje do të jenë zgjedhje për të kaluar rradhën, ngjyrosje e hartës elektorale me rozë apo blu. Dhe ne sërish përpara ekranit për të bërë tifozllëk sikur të mos kishim vërtet asnjë punë tjetër për të bërë.

Saturday, March 5, 2011

Welcome Fenomeni Lek Plepi


I gjithë opinioni publik, të paktën ai opinion që ka mundësi ë ketë akses në internet është përqëndruar tek ky fenomen. Dashur pa dashur edhe unë, për të mos iu shkëputur pjesës më pikante të mbarë shoqërisë: kuriozitetit. Të gjithë rendim për të mësuar të vërteta dhe se c’farë fshihet pas këtij personazhi që vjen sot nga periferia dhe trondit jetën aktive dhe virtuale të metropolit. Shumë klikime në Youtube dhe mjaft fansa që marrin pjesë në jetën aktive virtuale që ky personazh zhvillon nëpërmjet teknologjisë internet. Dhe Leka sot është padyshim shumë i klikuar, që na erdhi krejt papritur dhe natyrshëm në retorikën e ditës, duke lënë mënjanë debatet dhe ngërcin politik, pse jo edhe dozat e nacionalizmit. E gjithë shoqëria virtuale “haitek” rrotullohet rreth këtij personazhi dhe pret me padurim të rejat që do të shoqërojnë pozicionim e tij. C’farë do të prodhojë ai dhe e ardhmja e tij? Pa frikë e zymtë. Pa frikë, pa fund dhe krye.

Ai vjen prej shumë kilometrash larg këtij metropoli që ka njohur ngritjen dhe uljen e shumë personazheve të tjera publike dhe jo-publike. Prej andej nga ku gjakmarrja duhet të ishte refreni i ditës. Prej një zonë të thellë të malësisë së një qyteti që kohë e pa kohë e shohim të zhytur në ujë. Prej atij qyteti që vetëm pak kohë më parë dëgjuam dhe pamë makrabitetin e vrasjes së një pastori për gjakmarrje. 

E pra sot Leka ka bërë atë që për momente të shumta që zënë atë pjesë të ditës sonë të harrojmë këtë fenomen të rëndë, kur duhet të mendonim për ekzistencën dhe mbrojtjen e qenies njerëzore. Teksti i këngëve të tij “stupid” dhe muzika e bërë vetëm prej një vegle muzikore, tingëllojnë shumë dhimbshëm në arsyen dhe mendimin tonë shoqëror. Media i kushton një vend te vecantë dhe e mitizon duke krijuar hendeq mjaft të mëdha në përceptimin e tij në shoqëri. Pse jo edhe shkarkime emocionale të tipit “Lek Mania”, vecanërisht në periferi, në ato qytete ku deputët apo të gjithë ata që i pështillen biznesit për marrjen e votës, janë banorë dhe pjesmarrës së halleve të tyre në vetëm një muaj që zgjat fushata elektorale. Më pas aty mbretëron qetësia e mbretërisë së Lekës me shokë, pse jo të republikës së tyre dhe ne duhet të bëjmë vetëm certifikimin e shpalljes së tyre. Mitizimi i tyre zgjat vetëm pak. Mjafton një shfaqje në televizion, një hapësirë e shkurtër mediatike e shoqëruar me publicitet, dhe të gjithë ne mbërthehemi dhe bëhemi pjesë e diskutimeve për këto lloj personazhesh. Për të sfumuar të tjera formate në TV si Big Brother, të shoqruara me një audiencë të gjerë mediatike. Për të mos folur për formate që provokojnë lindjen dhe personalizimin e politikanëve të vegjël si ai pak ditëve më parë. 

Dhe për të mos vazhduar me formate të tipit “fëmi i vogël dhe i ëmbël shiko fotografinë dhe fantazo”. Të gjitha këto elementë që tregojnë se kjo shoqëri dhe për më tepër ata që do të na pasojnë po mësohen keq. Aq keq sa kujdesi apo edukata prindërore s’do të mjaftonte as për një jetë të tërë. Në ato qytete që rutina është një aromë mbytëse dhe padituaria i ka zënë vendin edukimit. Kafeja dhe bilardo, librit dhe dijes. Xhiro para gjimnazit dhe xhirimi i gomave, ambientit dhe mjedisit. Të gjitha këto para syve tanë duke i aprovuar me heshtjen tonë. Të një shoqërie të tërë, e dehur nga ngarkesat emocionale dhe shkarkimeve të një bulevardi të mbushur me afera dhe me të gjitha llojet e interesave.

Dje më rastisi të isha në Lezhë. Një qytet as më shumë e as më pak i ngjashëm me atë qytet ku Leka kryen PR e tij virtual me ata 50 mijë fansa të ndryshëm nga e gjithë Shqipëria dhe jashtë saj. Një kafe e rrufitur në cast në një bar në qendër të qytetit u bë lajm i ditës. Dhjetëra sms të tipit “ke ardhur në lëzhë dhe nuk na kë thënë”. Sa shpejt u hap ky lajm a thua pas nesh ishin vënë të gjithë qeniet humane të këtij qyteti. Kryebashkiaku një djalë i ri i studiuar në Itali që e fliste italishten ndoshta më mirë se italianët e punës sime, s’mund të fshinte me urdhërin e peshkut, dy dosa të mëdha nga 250 kg që shëtisnin në bulevardin kryesor të lezhës. Të atij bulevardi që padashur dje iu ngjesha dhe unë retorikës dhe refrenit të përditshëm. Dhe si të mos mjaftonte kjo në të dalë na ndali policia duke na thënë vetëm që keni të fala prej Benit, personit që njohëm rastësisht aty dhe që mund të bëhej pikë referimi për ne në këtë qytet. Ishte një shaka e Benit, e cila nuk mund të sfumonte qëlllimin tonë që padashur kishim shkuar në një qytet të tipit “Lekë Mania”, për të hapur një filial banke dhe për të punësuar dhe hequr nga lista e varfërisë 10 familje. Për të mos folur për kapitalin në miliona euro që do të derdhej apo të merrej prej kësaj hapësire gjeografike diku afër Republikës së Lekës. 

E pra ne ishim vetëm disa personazhe prodhimtarë, që iu munduam t’i ngjisheshim këtij realiteti që shoqëron sot periferinë. Imagjinoni Lekën dhe të gjithë Lekët që do ta pasojnë atë pas lancimit. Dhe të gjitha këto pasi në këtë vendin tonë u lanë pas dore politikat edukative dhe periferia u përdor për të mbushur atë kuti që vendoset cdo 4 vjet në mesin e një klase shkolle. Në ato klasa ku mësuesit nuk dinë ende se ku është ngritur shkolla e parë shqipe. Në ato qytete ku niveli intelektual, shoqërohet me eksod masiv drejt kryeqytetit ose jashtë Shqipërisë dhe që bizneset e kanë të vështirë të gjejnë qofte edhe një roje ndërrmarje të aftë, imagjinoni drejtues. Në ato qytete ku cdo gje duket e qetë por vdekja është paralajmërimi më tronditës dhe fenomeni Lekë cështje e ditës. 

Nuk është se më shqetëson mitizimi i një personazhi i cili padyshim do të humbë si të gjitha personazhet rastësore që ka prodhuar “bulevardi” i kryeqyteti. E di që ai do të harrohet dhe të zëvendësohet nga pluhuri i harresës, si gjithë të tjetrët përpara tij. Por unë kam frikë për të vetmen gjë se pas tij do të gjendet me patjetër një Lekë tjetër. Nuk do ta ketë emrin Lekë por do ta ketë bie fjala Gjolekë. I ndryshëm nga ai, ky do të vijë prej jugut. Aty ku probleme të tjera ndeshen cdo ditë, edhe pse janë zona relativisht më të zhvilluara se sa ajo e Dukagjinit të largët, prej nga vjen Leka.

Dhe për ta mbyllur kam dëshirë të sjellë në vemndjen tuaj Ismet Ozel-in me këto vargje në vijim ku edhe unë bera as më pak e as më shumë atë që ai shkruan:

Sa një dru që s'jep fruta 
të padobishme le t'jenë këto shkrime të mia.
Askush duke synuar frutat e tij
le t'mos ketë shkas të gjuajë gurë degëve.
Këto shkrime le të jenë të padobishme
sa një dru shumëdegësh, shumë i shtrembër.
Atëherë marangozët
s'do ta shohin të vlerë ta presin e gdhendin.
Sa një dru trungbosh, vrimëgjerë, i parrëshirë
le të jenë të padobishme këto shkrime të mia.
"Nuk vlen për djegie ky dru,"-le të thonë,
le të mos e djegin.
Prap të padobishme le të jenë!
Si një dru, le të jenë këto shkrime të mia:
Që rrënjët i ka në tokë,
degët kah qielli.
Mbase askush s'e mbjell në bahçe,
e as s'e vënë në bulevardin e qytetit.
Por, nëse në një vend të largët e të thatë
një udhëtar i trulluar
gëzohet e freskohet
ngase gjeti një dru
ku do ta mbështesë shpinën e do të çlodhet,
më mjafton kjo!

Wednesday, March 2, 2011

Djemtë e Dinamos, “Blue Boys”


Ata janë dy ish-sportistë. Të dy vijnë nga i njëjti klub, më i përfoluri kohët e fundit, Dinamo. Të dy jetuan në pak distancë kohore në po të njëjtin mjedis të kulturuar sportiv. Njëri basketbollist dhe tjetri volejbollist. Të dy, thënë më bukur, djem Tirane. Të asaj Tirane që në 8 maj do t’i japin jetë shumë parashikimeve se si do t'i presë timoni, majtas apo djathtas. Dhe sot ata të dy janë politikanët më të klikuar. Beteja është e tyre dhe "topi" është në parketin e pallatit të sportit, i zhvendosur në qendër të Tiranës. Një gardh larg nga ministria që drejton njëri prej të dyve. Dhe vetëm disa hapa larg nga selia e partisë që drejton tjetri. Njëri do të kalojë gardhin dhe do ta pijë kafenë po tek i njëjti lokal, dhe tjetri në rast humbje, do të zhvendoset pak metra më tutje, me këmbë natyrisht falë ndryshimit rrënjësor të Sheshit “Skënderbej” nga po ai.

Nëse për njërin prej tyre sot u bë publik kandidimi, për tjetrin ende nuk dihet gjë. Të dy janë sportistë dhe e dinë mirë cdo të thotë fshehje e formacionit që do ndeshet në parket. Kryebashkiaku aktual ende nuk e ka shpallur kandidimin. I pëlqejnë surprizat edhe pse e di që përballë tij qëndron një kundërshtar po në të njëjtën gjatësi, sa ai. I aftë për të parë më larg se sa gjithë ne të tjerët që jemi disi më të shkurtër. Ministri që ai po sulmon më shumë kohët e fundit, me shkakun se prej tij mendohet të jenë urdhëruar vrasësit e 4 personave në bulevard. Gjithsesi, "derbi blu dinamovit", sot luhet në Tiranë dhe për Tiranën. Janë shumë vite që kjo bashki është majtas. Bashkia më e madhe në vend, ku trendi i cmimeve për banesat i kalon 1000 euro/m2. Po kështu bashkia që ka një buxhet disa herë më të lartë se sa bashkitë e tjera. Projekte ambicioze dhe qendra e zhvillimit ekonomik, social-kulturor dhe e gjithë biznesit në këto 28 mijë km2, tokë Shqipërie. 

Pas një drejtimi me shumë probleme për mungesë numrash në Këshillin Bashkiak, falë martesës së dështuar më LSI-në. Me buxhete të miratuara apo të hedhura poshtë, përballë një armate këshilltarësh mjaft të përzgjedhur nga e djathta apo saktësisht Partia Demokratike, kryebashkiaku aktual do të përballet në pranverë me kundërshtarin e tij më të zotë që ka aktualisht pozita. Një ministër i cili e pat dërrmuar keq dy vjet më parë në Elbasan. Mjaft aktiv dhe punëtor në drejtime fushatash elektorale. Një i ri që erdhi nga jashtë për t’i dhënë më shumë "turbo" dhe "start" makinës dhe fitores politike të drejtuar nga lideri historik i saj Berisha. Natyrisht që është kundërshtari më i fortë që mund të kishte kjo parti. I pakrahësueshëm me të tre të mëparshmit. Dy të larguarit dhe i fundit që ende performon në qeverinë blu. Dhe ai sot ndihet më i fortë se kurrë. Sepse beteja është e tij dhe kundërshtari rozë po mat forcat nëse vërtet do të përballet apo jo me të në pranverë. Pse jo që e gjithë beteja politike tash e mbrapa është e tyre. Janë ata dy "luanët" e skuadrave respektive dinamovite, që do të ndeshen dhëmbë për dhëmbë tash e mbrapa.

Nëse Basha arrin të triumfojë përballë Ramës apo cdo lloj kundërshtari tjetër nga Partia Socialiste, atëherë fitorja do të marrë përmasa historike. Do të jetë ai ylli që do të udhëheqë këtë forcë më vonë, madje do të arrijë të zbehë deri në shuarje edhe kthimin e Topit në rast mos-rikandidimi të tij në fund të mandatit. Sot të gjitha rrugët të cojnë tek një profilizim i luftës së dy liderëve të rinj. Njëri që i hodhi peshqirin e "nokautit" liderit historik të së majtës Nano. Madje duke i mohuar edhe anëtarësimin në partinë që ai reformoi dhe ndryshoi me mundim. Dhe tjetri që falë triumfit të tij, do të arrijë të betonojë staturën e tij politike në Partinë Demokratike. Tashmë në kërkim të lindjes së një lideri të ri dhe daljes në pension me apo pa dëshirë të kryetarit dhe kryeministrit aktual.

Pra kjo betejë pranverore edhe sikur kryebashkiaku aktual Rama nuk merr pjesë në garë apo jo, do të zhvillohet në Tiranë dhe për Tiranën. E para sepse socialistët do të ndezin motorrat për të mposhtur me vota atë që ata cdo ditë i kërkojnë dorëheqjen poshtë dritares. E dyta sepse duke e mposhtur Bashën kanë fituar betejën për kryeqytetin teksa zgjedhjet lokale kanë përmasa mjaft strategjike. E treta për të zgjidhur një herë e përgjithmonë opinionin e lëkundur dhe të sulmuar nga ana e demokratëve se në këtë hapësirë mjaft të madhe gjeografike dhe strategjike ka 20% lejeve për ndërtim pallatesh. Pse jo madje fund i shumë problemeve të ndryshme si Unaza e Madhe, trafiku, taksat apo mbikalimet, minibashkitë, lejet e pallateve, etj.. E gjitha në tërësinë e saj e përkthyer si bezdisje e një lufte të egër decentralizimi pushtetesh. Dhe e fundit, përforcimi i opinionit ndërkombëtar se socialistët votohen në shumicë nga elektorati, ashtu sic edhe pretendohet në të kaluarën e afërt si ajo e zgjedhjeve të vitit 2009.

Por sot më shumë se kurrë edhe në rast humbje të bashkisë nga ana e socialistëve, po përforcohet mendimi se skakiera politike shqiptare ka nevojë për njerëz të rinj, fytyra të reja dhe liderë të rinj. Nëse Partia Socialiste me ardhjen e Ramës iu nënshtrua një ndryshimi radikal edhe pse me qejfmbetje nga ana shumë të larguarve, të merituar apo të pamerituar, sot rradha i ka ardhur Partisë Demokratike. Mund të jetë kjo formula që nën-sekretari amerikan mund të ketë sjellë nga Shtëpia e Bardhë vetëm pak ditë më parë. Bindja e Ramës për të hyrë në zgjedhje, kjo me një pakt në heshtje, mban firmën e tij. Të gjitha shanset janë që të jetë ai përballë dinamovitit tjetër pas dy viteve, në po të njëjtat pozita si ai sot me qeverinë aktuale, në cdo lloj përballje dhe përplasje nervash dhe pushtetesh. Por kjo mund të ketë edhe një kosto që shumë prej socialistëve nuk do të bien dakort. Humbja e Bashkisë së Tiranës në rast fitoreje të Bashës nuk do të përtypet lehtë, edhe pse pozitat e Ramës brenda partisë janë mjaft të forta. Por afati i skadencës për demokratët është në prag. Një qeveri e lëkundur dhe e sulmuar pak muaj më parë, qëndron në këmbë me shumë pak vota. Dhe gjasat janë që Basha të marrë po të njëjtën tagër politik në rast fitoreje si kryebashkiak i Tiranës. Për koincidencë edhe rezidenca e tij e re, vetëm pak hapa larg nga selia historike me vetëm një "kopje celësi". 

Nëse të gjitha këto opinione të mësipërme nga ana ime nuk dalin, atëherë të dy ata mbeten djem shumë të talentuar që patën veshur po të njëjtën bluzë, atë të Dinamos së lavdishme ,sot me qera në shtëpinë e vetë, me shkresë të firmosur nga po ish-volejbollisti i vet, sot ministër. Si dy ish-"blue boys" të mirë dhe të mbarë. Djem Tirane, për Tiranën.