Thursday, June 2, 2011

"Mirëmëngjes injorancë"


Injoranca po na pushton. Madje po na mban të mbërthyer përpara TV-së deri sa nis e zhduket. Është ulur këmbëkryq në vatrat tona. Na është bërë padashur pjesë e jetës. Për fatet tona. Pse jo edhe të fëmijëve tanë. Konsumojmë pa fund doza debilizmi dhe nuk po dimë si të ndahemi prej tyre. Po kjo shoqëri, e ardhur nga një dekadë ndarjesh mes blloqeve, perëndim-lindje, me pak fare esencë kulturë kineze. Dikur madje krijuam edhe mitin e njeriut të partisë. E përqasëm atë dhe e frymë si ilaci i duhur. Por në fakt ndërsa ai me bllok në dorë, bënte dallimin mes ngritjes së kurbës së injorancës në piedestal, një tjetër po na shfaqet pas viteve ’90.

Ai iku në emigracion. U kthye pasi nuk gjeti dot veten aty. Pasi i provoi të gjitha. Bleu një makinë dhe xhiroi gomat nga mëngjezi deri në drekë para gjimnazit, aty buzë rrugës në provincë. Brenda hipi edhe shoku i tij që vret mendjen se si hyn cok-u në gropë në një bilardo që kthehet në arenë boksi herë pas here. Ja jep truri bën edhe këngë hip-hop. Dhe përsëri aty. Tenton të marrë rrugën për në kryeqytet. Aty ku përzihet harbuti me njeriun që shikon punën e vet. Ngjishet në një karrige lokali dhe kërkon kafe. Birra. Pse jo edhe qofte. Bëhet tapë nga alkooli. Ecen rrugëve dhe u vërshellen femrave. Gjithë bota i duket e tij. Realitet imagjinar, magji. Tamam si një njeri përpara një gradacele të lartë. Ngre kokën. Shumë lart. Ndoshta arrin. Ku i dihet. C’farë nuk bën vaki.

E njëjta edhe femra. Del në dritare. Bori. makine. Aty në provincë. Dikur në oborr qëndiste pajën deri sa të vinte mustaqeziu ta merrte për grua. Pa të mbushnin oborrin plot me fëmijë. Sot ajo s’mbahet. Ka telefon dhe ka mësuar të bëjë zile. Pse jo të të kërkojë t’i hedhësh dhe kartë. Di c’do të thotë autostop. Madje t’i hipë edhe avionit e të ngërdheshet me koleget, atje tej në semaforin e fateve të cdo sqimatare për para. Kjo është “heriona” e ditëve tona. Më pas kthehet dhe të fut një të ulëritur në mes të rrugës. Hape rrugën o plehrë. Packa se ti mund të gjendesh “rastësisht” aty mes vijave të bardha. Shfryn! Pasi është tallur i larë e palarë me të, atje tej matanë në botë. Gjen forcë të të tregojë se është ajo prodhimi hibrid-eksperiment i një shoqërie të pagëzuar, demokraci. Pse jo e tredhur nga marifetlinjtë që na ofrojnë pamje rozë të sociales së pagabuar.

“Filozofët” ulen para PC-ve dhe paraqesin përpara donatorëve projekte të tipit: “zhvillimi i zonave rurale”. Shkojnë në qytete dhe nuk e prekin në plagë hallin-injorancë që po i pushton këto të fundit. Një drekë me kryebashkiakun. Një dhomë hoteli. Ca dieta dhe projekti iku morri udhë. Packa se Leka me Griseldën aty lujanë aktin e fundit të tangos së injorancës mes historive idiote që na mbajnë nën makth. Na mbajnë në tension. Na bëjnë kuriozë. Harrojmë misionin tonë dhe s’dimë t’i japim dum këtij halli që na ka rënë.

Në fund dy fjalë për politikën. Opiumi që na ka vënë në gjumë, pse jo duke parë ëndrra të frikshme me injorantë. Ata që na ofrojnë hartat me ngjyra. Blu apo rozë. Sepse na duan shumë dhe na veshin me to. Më shumë ruralët. Atyre ua dinë disi më mirë gjuhën. Injorantce. E njohin si Lekën ashtu edhe Griseldën. Edhe këta të dy sikur janë mësuar me këta. “Epo budallai-budallain e njeh më mirë” - do nxitonte dikush të thoshte. Kujdes se njëri prej tyre është shejtan-budalla. Pse jo të dy. Sërish të dy ja gjejnë gjuhën njëri-tjetrit. I flasin në emër. “Mirëmëngjes injorancë. Je ti pa jam unë. Do mundohem të bëjë dicka për ty injorancë. Ja sa të mbarojnë zgjedhjet dhe të shpallet rezultati. Rrofsh që ekziston injorancë. Ti s’ke nevojë të më lexosh programin. Prioritetet. Ti që s’më tradhëton kurrë. Vdes për një cik Tirana. Qejf o qejf. Na dhe një 10 mijë leksh dhe hip në autobuza. Kemi miting. Do këndoj x grup por pas fjalimit tim. Muzikë dhe qofte, koktjel mix, c’ke. Ndaj kur të vijë aty në provincë mos harro të më thuash: Faleminderit. Kaq është jeta. Kaq të mjafton.”

Mirmëngjes injorancë. Ty që s’ta doli askush. Ti që nuk iu binde cdo rregulli dhe ligji të shkruar. Ti që s’pyete për libra dhe leksione edukate. Ligjërata të cdo lloji. Të pacim. I pacim. Na rruac. Na rruacin. Të dy. Ty injorancë dhe dashnoren tënde politikën. T’i rroni njëri-tjetrit, pra. 

No comments:

Post a Comment