Pak orë kanë kaluar nga lajmi që pushtoi gjithë ekranet. Goro fiton Himarën. E pabesueshme për të gjithë, edhe pse isha i sigurt. Madje kisha kohë që e mendoja Himarën të zbukuruar me këtë deli djalë. Ndoqa nga pas rrugën dhe bashkë me të edhe sfidën e tij. I vetëm dhe i ulur në një prej ballkoneve-kafe në qendër të Himarës më tha: Kam vendosur të sfidojë Bollanon dhe do të fitojë. Në fillim mendova se ishte e pamundur dhe nga dashuria familjare që kam me të, i thashë menjëherë PO. Do të të ndjekë. Më telefonon të nesërmen. Drejtori i madh nga Tirana më thotë jep dorëheqjen. Si thua? E mendoj një moment. Është shumë e vështirë sot të sakrifikosh postin e një drejtuesi banke dhe t’i bashkangjitesh sërish politikës. Atëherë kur ai e kishte braktisur part-time atë. Pas një dite me presione të jashtëzakonshme e jep dorëheqjen dhe nuk figuron më në boredoronë e pagave. Zyrtarisht i papunë dhe në kandidim. Fëmijët e tij nuk do të kishin më një rrogë të rriteshin të fortë dhe të kalitur aty, pesë hapa nga deti i Spilesë.
Fillon fushata. Duhen para. Postera. Mjete komunikimi. Lëvizëse. Tavolina që duhej paguar kafeja. Sic bëjnë rëndom të gjithë kanidatët. Nuk është as i pari dhe as i fundit. nis rrugën. Takime në Qeparo. Kudhës. Dhërmi. Vuno. Himarë. Pilur. Palasë. Kudo. Shtëpitë për djalin e Sokratit, agronomit të parë të bregut hapen si me magji. Mirëserdhe jeto! I dashur dhe i ëmbël si familja e tij, gojëmjaltë me zemër të madhe. Nënat e duan djalin e Seminesë që vinte dhe u thoshte si jeni në cdo orë dhe ditë. Ashtu dhe djali Goro i Himarës. Që nga koha kur ishte i vogël që bashkë me nënën e tij shkonin në cdo shtëpi të bregasve për të përcuar kulturë, informacion dhe përparim. Ishte ajo gruaja e hekurt e Himarës. Halla Semo sic më pëlqente t’i flisja. Bija e Mallakastrës që lidhi zemrën me babaxhanin Sokrat Goro në Himarë. Dhe Gjergji brumoset me ëmbëlsi dhe dashuri për Himarën, për Shqipërinë. Ja këto panë të gjitha nënat bregase dhe i hapën derën. I porositën fëmijët e tyre të votojnë për të. Ta dëgjojnë atë. Më pas niset për në Greqi. Kudo ku ka himrajotë. I mblidhen rreth e rrotull në tavolina dhe salla. I premtojnë votën dhe himarjotët dinë ta mbajnë fjalën. Është vend kapedanësh kjo Himarë. Limani i bukur në cep të Spilesë që sic thotë Niko Neranxi na ka bërë më të fortë. Na ka lidhur me Himarën për kici dhe direku. Ashtu si mua sot me Himarën dhe tani më shumë me fenomenin Goro. Me këtë fitore të paraprirë. Me këtë këmbanë që ra fort sot në Himarë. Me këtë sfidë që Goro sot nis rrugëtimin e tij për ta kthyer në europiane.
Ai është sot padyshim njeriu i ditës. Ai që do përfaqësojë denjësisht interesat e himarjotëve. I heshtur dhe i qartë. Një politikan i lindur që padyshim stacioni i fundit nuk është ky në krye të punëve të Himarës. Ai i dha sot leksion politikës se di të fitojë në bazë të vlerave. Të asaj c’ka përfaqëson. Të familjes së tij intelektuale nga prej u brumos me edukatë dhe respekt për himarjotët. Sot Goro na tregoi që di të fitojë. Ajo që ka humbur rrugës së konsolidimit të demokracisë në Shqipëri. Edhe mbi partinë. E rrallë kjo me kaq shumicë sidomos në një zonë me votues të pakët. Vota e Himarës duhet të lexohet qartë. Ajo padyshim duhet të bëhet orë leksioni për praktikanët e politikës sot. Ndaj vlerat nuk duhet të humbasin dhe të trazohen me antivlerat. Libri i zgjedhjeve në këtë fillim maji padyshim duhet të fillojë më të. Kapitulli i parë. Fitorja e Goros në Himarë. Përballë tre kandidatëve të prodhuar nga dy koalicione. Pa komisionerë. Pa premtime boshe. Pa fjalë dhe parrulla të paqena. Pa tension. Pa sherre. Shshshttt. Fitimtari po fle gjumë. Po qetësohet të fillojë të punojë i shlodhur punët e Himarës. Janë shumë. Prona. Bregdeti. Ujësjellësi. Turisët. Deti. Porti. Janë shumë. Vërtet janë shumë. Për një djalë që e do vendin ku lindi dhe po rritet cdo ditë. Po presim...

No comments:
Post a Comment