“Jorgo Goro dhe Himara Europiane”
Ky është slogani që po përpiqet të përcojë Jorgo Goro në Himarë. Tani shumë shpejt. Pas rreth një muaji. Këtë kërkon të bëjë realitet nëse himarjotët do t’i besojnë Bashkinë e Himarës. Kjo është ajo c’ka ai premton. Një Himarë Europiane. Sa bukur do të ishte! Të gjithë do ta shijonim këtë ëndërr. Do të shkonim atje dhe do t’i zbrisnim Llogarasë në cdo kohë, për të shijuar jo vetëm bukuritë që ka falur natyra. Por më shumë zemërgjerësinë e himarjotëve. Në ato oborret e tyre, nën hijen e pjergullës me një gotë raki rrushi në dorë. Gëzuar jeto! Me madhështinë e kësaj bukurie të rrallë, mes një rruge që gjarpëron mes kodrave plot ullinj e agrume. Freski dhe ëmbëlsi bregdetare. Perla e Mesdheut. Aty ku venecianët zbarkuan dhe thirrën: Tokë. Tokë e bukur dhe me shpirt të madh, ama. Ku vaji dhe ullinjtë derdhen lumë, si shpirti i gjerë sa një det i himarjotëve. Këtyre kapedanëve që sa e sa këngë e vargje u janë thurur. Këtyre detarëve trima që kapërcyen detëart të parët, atje tej në Europë.
Andej prej nga ku morrën doke dhe zakone pa i bërë dëm askujt. Këtë kërkon të bëjë edhe Jorgo Goro Asnjë dëm me shpirtin dhe fjalët e tij. Boll e ngarkuar është sot Himara. Boll re të paqarta i kanë hedhur nga maja e Vetëtimës, thikë në breg dhe në shpirtrat e himarjotëve, për t’i trazuar sa më keq ato. T’i shtyjnë sa të urrejnë njëri-tjetrin dhe të mos merren me punët e shtëpisë. Bahcen, sokakun, traun dhe kulmin e shtëpisë. Qenin dhe macen. Murin, avllinë. Politikë dhe hasmëri. Përdorje dhe harresë për atë që do t’i bënte ata të lumtur dhe të qetë. Pronën e harruar nga politika. Europën e premtuar. Atë Europën tej që nuk do donin kurrë t’i shikonin bojën. Europa aty, tek pragu i shtëpisë. Det agrumesh dhe ullinjsh. Kodra të bukura të veshura me lule. Kjo është toka e premtuar. Këtë u kërkon Jorgo me programin e tij himarjotëve. Është e panevojshme të trokasim në dyert e Europës. Europë është shtëpia jonë, Himara jonë.
Si një ekonomist i zoti, bankier i cili administron asetet e himarjotëve, cdo ditë ka kuptuar se dicka nuk funksionon. Himarjotët e kanë shpirtin të pasur por të pamjaftueshëm për të qenë të pasur. Dhe ne të gjithë bashkë me ta. Deri tani nuk kanë patur të ndricohen dhe të shohin se rruga e tyre nuk është shumë e gjatë dhe e mundimshme. Europa është më pranë tyre se kurrë. Më pranë tyre dhe më pak larg se sa prej nesh. Ne që jemi aq larg këtij realiteti që himrajotët shohin dhe prekin cdo ditë. Në këtë mbretëri të bukur që zoti e ka krijuar dhe të tjerë janë kujdesur duke i vënë emrin Himarë.
Jorgo Goro, këtë kërkon të thotë me forcë. Jemi më europianë se vetë europianët. Ata europianë që do të cuditeshin se në këtë vend, në 9 muaj të vitit ka vetëm pleq e plaka dhe shumë dryna për të mbyllur portat e shtëpive. Për të sjellë heshtjen dhe gjithë këtë horvajtje që të krijon përshtypjen se në këtë vend nuk pipëtin asgjë. Gjallëria mungon edhe pse djem si Jorgua përpiqen cdo moment t’i japin asaj jetë, duke mos e braktisur. Sepse shpresa e tyre është e gjallë. Ajo jeton dhe nuk vdes kurrë për të shijuar këtë tokë kaq të bukur. Reale dhe aspak të premtuar. Kjo është Himara që Jorgua do të sjellë në sytë tanë pas 8 majit. Dhe besimi për një Himarë europiane është vetëm pak ditë larg.
No comments:
Post a Comment