Do të duhen vec pak ditë që të shuhet kurioziteti se kush do të jetë kryetari i ardhshëm i Bashkisë së Tiranës. Po themi vetëm për Tiranën, pasi për bashkitë e tjera do të jetë më tepër një cështje ngjyrosje e hartës së Shqipëriaë me ngjyrë blu apo rozë. Me një krizë totale për kapacitete potenciale dhe me një proces të bastarduar decentralizimi, askujt prej nuk është se i bëhet shumë vonë se prej kujt force politike qeverisen “qytezat” apo komunat, larg prej metropolit. Po i quaj “qyteza” për vetë gërhamën dhe katrahurën ku aktualisht gjenden, packa preferojnë t’i quajnë bashki. Hiq këtu Durrësin, Vlorën apo deri diku edhe Sarandën, dhe kushdo prej nesh e sigurt që thotë me vete: nuk ju ka rënë flaka.
E pra Tirana është epiqendra e interesit dhe opinionit mbarë shoqëror për rezultatin e 8 majit. A do të arrijë kryebashkiaku aktual Rama, të hedhë nokaut kandidatin e rradhës që nxjerr për ta sfiduar dr. Berisha? E dyta sfidë si kryetar i opozitës dhe kandidat potencial për kryeministër i ardhëshm, nëse fiton pas dy vitesh. Nëse hument të gjithë ne më vonë do të flasim vetëm një ditë për humbjen e tij, dhe si cdo risi apo ngjarje tjetër edhe kjo do të mbulohet nga pluhuri. Ndoshta më e rëndë për Bashën. Yllin e ri që po shkëlqen në rradhët e bluve, (të PD-së dhe jo të ish-Dinamos së tij, tashmë pa shtëpi). Kandidati më bindës në mendjen e “doktorit” për të sfiduar mitin e pamposhtjes së Ramës në krye të Bashkisë së Tiranës. Të asaj Bashkie që i prish dekorin e ndërtesave të ministrive në bulevard apo Sheshin Skënderbej, sa herë që i bie rruga të kalojë andej. Do t’ja kishte vëertet qejfi që kësaj Bashkie të harruar se si qeveriset djathtas që nga koha e ish-kryetarit Brojka, t’ja kishte edhe njëherë celësat. Dhe kandidatin jo më kot e ka zgjedhur goxha të lartë dhe të përgatitur për t’u përballur me Ramën. Të dy të gjatë dhe objektiva të lehtë për kameramanët dhe sytë e publikut, në të gjitha ditët që po dalin për të takuar njerëzit nëpër kryeqytet.
Dhe Basha vjen me statusin e firores së parë politike po në Tiranë, në një zonë elektorale nga më të mëdhatë e kryeqytetit. Po kështu edhe 4 vite më vonë, teksa dërrmoi totalisht PS-në në bastionin e vetë në Qarkun e Elbasanit. E pra një kandidat me mentalitet fituesi më shumë së Basha, zor se gjen sot në rradhët e bluve. E sigurt që doktori përpara se ta merrte këtë vendim i ka hedhur një vështrim të gjithë armatës së tij, dhe ky djalë i shkolluar në vendin e tulipanëve e ka bindur plotësisht. “Po, ti do të jesh sfidanti i Ramës” - duket se i ka thënë pa më të voglën mëdyshje. Dhe kjo ndoshta ka sjellë edhe një lloj optimizmi tek strukturat e PD-së. I palodhur në cdo takim dhe me një staf që mban shënime, Basha po përpiqet t’i lejë të kuptojë publikut se Bashkia e Tiranës ka shumë probleme. Zgjidhja e tyre kërkon vëmendje, pse jo madje edhe me shënime. Por nga ana tjetër, si ish-Ministër i Transporteve shumë prej tyre e sigurt që janë ende në ish-tavolinën e tij të punës. Në atë tavolinë që ja pat dorëzuar një prej humbësve pararendës përballë Ramës. Për të bërë madje edhe rrokadën me Ministrinë e Brendshme.
Dhe sërish përballë Ramës, një ministër i brendshëm i dorëhequr. Këtë rradhë me një mega-ministri duke përfshirë edhe atë të pasaportave dhe kartave të identitetit. Këtu mendoj se është thelbi i problemit. Nëse ministri i sapo dorëhequr humbet, dhe akuzon kundërshtarin për manipulime atëherë as më shumë e as më pak i bie të akuzojë vetveten. Dhe për të mposhtur Ramën vërtet nuk është e lehtë. Aq më tepër për një të ri të ardhur vetëm para pak vitesh nga shkolla jashtë shtetit dhe me librezë pune të një vendi të BE-së. Këtë e di mirë edhe vetë ai. Përpara tavolinës ka një tabelë paksa jo të favorshme, atë të një diference të theksuar votash nga mandati i mëprashëm fitues i Ramës. E pra është ky ekuacioni i parë me shumë të panjohura për zgjidhur problemin se si merret Tirana.
“E para Tirana” është slogani i Bashës. Detyrimisht e para. Bashkia më e madhe në vend me kandidat rival kryetarin e opozitës. Sërish një ekuacion i vështirë. Dhe për më tepër me mungesën e konsumit të rrjedhjes së votave. Dhe argumentat deri diku jo bindëse, për të thënë se Rama s’ka punuar, dhe ka shumë probleme të pazgjidhura pasi ai nuk ka qenë në detyrë. Aq sa e sigurt që nuk arrijnë të perceptohen si duhet tek publku. Tek ai publik që ende nuk e di se kush janë realisht kopetencat e një kryetari bashkie. Dhe për më tepër përballë një aramate kryetarësh apo punonjësish minibashkie më së shumti nga opozita, të cilët qëndrojnë prapa hekurave të sporteleve për të dhënë një certifikatë apo vërtetim banor lagjeje. Ndoshta argument i njëjtë si ai që përdorën paraardhësit. Plot tre. Madje njëri prej tyre humbës, sot në koalicion me Ramën. Avokati dhe bicikleta si alternativë sfiduese. Ndërsa humbësi i fundit hodhi idenë e “kthimit të qytetit”. Sërish me humbje.
Por Basha me sa duket ka kuptuar që celësi mund të jenë grupet e interesit. Ato grupe të cilat ndoshta përbëjnë “dinamon e ndricimit”, për t’i hedhur dritë fitores së tij në Tiranë. Janë ato grupe të cilat Rama vite më parë i “sajdisi” duke u mbushur mendjen se vizioni i tij është fituesi dhe ai i duhuri për të zgjidhur hallet e Tiranës. Mes zgjidhjeve të patjetërsueshme. Tirana me një plan rregullues. Zgjodhi atë francez. Tirana pa trafik. Zgjodhi një mbikalim për të cilin më shumë shpjegime sepse u prish mund t’i japë kundërshtari aktual. Tirana me projektin e unazës së madhe. Sot një ide e “konfiskuar” nga kundërshtari. Tirana me qendër pedonale. Një projekt në realizim e sipër. Edhe ky i kontestuar. Tirana me kinema. Sot ka shumë të tilla. Tirana me parkun e liqenit të rehabilituar. Sot e kemi një të tillë. Etj.
E pra lufta e argumentave është ndezur dhe duket se diskutimet me grupet e interesit po e dominojnë retorikën e ditës për të fituar Bashkinë e Tiranës. Përpos luftës virtuale në rrjetin social FB apo sondazhet e pranishme sa herë ka zgjedhje. Akuzat e Ramës sot për kundërshtarin e tij janë të shumta. Unë do të përmendja vetëm dy prej tyre, ato politike nisur nga statusi i Ramës si kryetar bashkie. 1. Njehësimi me figurën e kryeministrit që e pagëzoi kandidat për këtë garë. 2. Akuza e vrasjes së katër protestuesve në bulevard, në dt. 21 janar. Akuza të cilat nga perceptimi im nuk është se mund të jenë shumë trendy i shijeve të tiranasve. Për faktin e parë se Berishën aty e kanë prej vitesh ose si no. 1 e qeverisë apo si ish-president. Për faktin e dytë se protestuesit ishin të katër nga rrethet dhe interesi në Tiranë ka rënë për protesta nga të dyja kampet. Kjo teksa i sheh të vijnë me autobuza nga rrethet qoftë edhe për një ndeshje ndërkombëtare futbolli.
Por akuzat për punët e pambaruara dhebashkë me to argumentat se si mund të qeveriset një kryeqytet, për mendimin tim duhet të vijnë nga shpirti qytetar i këtij komuniteti. A janë bërë mirë punët e Bashkisë dhe ku calojnë ato? Kush është ngërci që nuk zgjidhen? A do të kenë kopetenca minibashkitë dhe do të jenë faktorë të gjithë aktorët që do të zgjidhen? Për të shtruar një rrugë. Një kopësht me pemë përpara shtëpisë. Trafiku dhe muzika e lartë të mos jenë gangrenë dhe problem i ditës. Plehrat të mos të fluturojnë nga ballkoni. Grupet e ndryshme që kërkojnë kundes, pensionistët, invalidët apo ata në nevojë a do të ketë politika për t’i përkrahur? Rinia duhet patjetër të ketë daljen nga blloku si element edukimi? Kopshtet dhe cerdhet, shkollat. A janë ato të përshtatshme për t’ju besuar fëmijët tanë? A kanë ngrohje, kujdes, bukë? Stacioni i Trenit, parku i autobuzëve, vendqëndrimet e tyre.
Deri tani gjithcka në letër dhe në formë premtimi për të dyja palët dhe asnjë prej tyre nuk preferon t’i prek dhe t’u japë zgjidhje. Unë kam vetëm tre argumente për të hedhur në diskutim përpara se të arrijë tek konkluzioni në fund të këtij shkrimi. Nëse e pyet sot kandidatin Basha se si do të zgjidhë problemin bie fjala të hyrjes së një zjarrëfikëse në mes të pallateve. Mendoni si mund të ishte përgjigja. Rama aktualisht nuk ka c’farë thotë. Nëse pallati ynë nuk ka garazh për parking. Nuk ka një kpësht me lule dhe stola përpara. Kënd lojërsha për fëmijë. Kush do ishte zgjidhja e të dy kandidatëve. E sigurt që për të dyja pyetjet si zgjidhje do ishte duhet prishur pallati. Sot Tirana ndotet pa fund nga smogu i makinave dhe cilësohet si një nga kryeqytetet më të ndotur të botës. C’farë zgjidhje do të japin dy kandidatët? Do ngrihen lart në ajër dhe do rrinë non stop për të na parandaluar ajrin e ndotur që do thithim? Apo do ndalojnë djegien e gomave disa km lag Tiranës në një tjetër bashki. Krujë! Koptencë jo e tyre.
Dhe gjithë debati është spostuar tek projekti i tramvaj-it. Dhe do të jetë ky tramvaj me sa duket komerdarja e shpëtimit për të treguar se ka një projekt për Tiranën. E thashë unë apo e the ti i pari. Si të gjitha lojërat me politikanë që po na bëhen të mërzitshme cdo ditë. Por votuesi përvec kapjes nga krahu apo rrahja e shpatullave përpara kamerave kërkon zgjidhje vetëm për disa nga ato argumenta që përmenda më sipër. Dhe kjo zgjidhje nuk është, e përsëris edhe një herë tramvaji apo autobuzi, pasi s’na ngelet të themi gjë tjetër vecse deri tani paskemi qënë të gjithë në autobuz, dhe tani hajde të zhvendosemi në tramvaj.

No comments:
Post a Comment