Saturday, June 18, 2011

"PS. Na duhet një Messi."

Na shokuan “el clasico-t” këtë sezon. Fiks në ato ditët e para-ethshme të zgjedhjeve elektorale. Plot 4 herë. “Andata e ritorno” - sic thotë italiani. Dhe mes tyre një "plesht" sa një "plesht". Messi. Ai driblon. Shënon. Nuk nxehet. E rrëzojnë. E shtyjnë. Ai përsëri cohet. Shënon. Triumfon. Rezultate pozitive. Gola. Kupa.

Ethet priten sërish të fillojnë shumë shpejt, që dje në internet teksa po më pëlqente rivaliteti dhe urrjejtja mes tyre edhe tani që është sezon pushimi. "Kuajt" po grazhdohen. Ose më saktë "luanët" po mërzijnë në vapë. Stafet teknike po kërkojnë legjionarë ose bersaglierë për të mposhtur njëra-tjetrën. Skema teknike pa fund. Qëllimi një. Si të përleshen denjësisht si gladiatorët në Kamp Nou ose në Bernabeu. Si të mbrojnë dhe dhurojnë spektaklin. Dhe pa dyshim preokupimi merengues për të ndalur atë. Messi-n. mitin që nuk rrëzohet. Të pathyeshmin. Edhe pse «plesht».
Ah sikur të kishim një të tillë në PS. Le të ishte edhe sa një « plesht ». Të triblonte dhe të shënonte. Të na kthente lavdinë e dikurshme me kampionate zgjedhjesh të fituara në mënyrë plebishitare. Një Messi që nuk rrëzohet kollaj. Një Messi që ngrihet mbi cdo lloj stërkëmbëshi nga benda dhe jashtë llojit. Një Messi që  bashkë me shokë të ndërtonin një skuadër ëndrrash packa se merenguesat dhe bashke me ta Ed Manushi t’i akuzonin si hileqarë dhe stimulantë. Në të vërtetë kemi kohë që nuk shikojmë një Messin ë PS. Ndoshta ngaqë ishim mësuar me një ekip pak a shumë lojtarësh të mirë dhe mes tyre do gjendej patjetër një Messi. Pavarësisht se të gjithë më vonë dolën më me shumë feeling me autogolin se sa me golin. Ndoshta Nano ishte një triblues i mirë. Ndoshta pak më vonë Meta. Ndërsa Pandi një Pedro që vetëm ndonjë gol para porte s’do kishte të vështirë të humbiste. Pastaj me rradhë ekipi deri sa të arrijmë tek Puyol-i. të gjithë këta lojtarë të zotë por jo me shkëlqimin dhe produktivitetin në fushë të Messi-t.
Ndaj sot më shumë se kurrë na duhet një Messi për PS-në. Me sa duket skudara tjetër "merengue" duket se e ka. Ose "blaugrana". Orët po trokasin më shumë se kurrë në të kundërt të akrepave të sahatit në Sheshin "Austria". Do të jetë dikush që ta marrë për dore atë parti dhe të shënojë atë gol që presim të gjithë. Elektorati më i shumtë në numër. Por jo si koalicion. Megjithatë gjasat janë se ky Messi po lind. Afërsia me adresat e reja të Bashkisë me godinën blu vetëm pak metra më lart, janë një këmbanë e fortë. Më e fortë se ajo që nuk po i punon dot Sahatit të Tiranës.
Mendoni se "Messi" i ri që po mëson triblimet në PD, do të bashkëjetojë me scoop-in e xhirove me makinë në Rrugën e Kavajës, mes dy ish-kryeministrave më të suksesshëm të PS-së? A do të dalë nga dy sedilet e para të kësaj fuoristrade të zezë emri i ri që do të marrë të gjitha karakteristikat dhe tabiatet e Messi-t. Mendoj se po. Sepse vetem një Messi është menu-ja që i duhet sot godinës më me histori këto 20 vitet e fundit. Dhe kjo godinë e meriton vërtet një Messi. Të pathyeshëm. Nuk e ka dhe s’ka për ta patur nëse nuk hipën në atë makinë dhe të dëgjojë të paktën formulën e rradhës. Deri tani kanë dhënë shumë formula fituese. Ja vlen t’i kujtojmë ? PO ! 2005. 2007. 2009. 2011. E pra në të gjitha këto vite që ne socialistët u munduam të gjenim Messi-n kur ekipi kundërshtar nuk e ka. Pra PS, kujdes ! Të duhet një Messi për «manita-n» e rradhës.

Monday, June 6, 2011

"Të gjithë fajin e ka parajsa"

Ky është shkaku që ndoshta ne shqiptarët nuk ndihemi ata që u ndjemë sapo filloi të lulëzojë sistemi bankar. Nxituam të blejmë dy shtëpi, makina madje deri edhe pushime luksoze me kredi. Dikush nxitoi të hapë edhe biznes. Të tjerë shkuan më larg duke ngritur kompani. Por sot situata është ndryshe. Rreziku këst mujor është cdo ditë e më shumë i pranishëm. Filloi me krizën që goditi USA-n me falimentimin e disa bankave. Më pas me simptoma “stresi” që u ndjenë edhe në vendet e BE-së. Madje shumë afër. Në Greqi, vendi i cili zotëron pjesën më të madhe të aseteve të huaja në Shqipëri. Plot 4 banka dhe dy kompani telefonike.

E pra ishte kjo një këmbanë alarmante për ekonominë tonë, përqasje me realitetin grek. Për të mos vazhduar me krizën e gjatë politike, zgjedhjet, si një kalvar i gjatë me përfshirjen-varësi të shoqërisë sonë, dhe si rrjedhojë edhe të biznesit. Pse jo edhe nga mungesa e resurseve plotësuese të hendeqeve borxhe, që krijohen në raste të tilla. Shteti ndihet më i dobët dhe në këtë rast reagimi është në dorën e Zotit. Por edhe remitancat ose paratë e emigrantëve nuk duken fare në horizont. Madje edhe investimet në infrastrukturë kanë qenë të konsiderueshme, deri diku stratosferike.

Janë shumë prej këtyre elementëve të mëspërme që ndikojnë në tkurrjen e ekonomisë shqiptare. Një ekonomi e dominuar nga ajo private, kjo e brishtë dhe që ka startuar falë iniciativave pse jo edhe të guximshme. Bash si ai e Bukurijes në Vlorë, pronares së “hekurt” të një prej tekonologjive më të avancuara të prodhimit të birrës dhe lëngjeve të frutave, pse jo edhe në Europë.

Bukurija është sot një shembull mjaft i qartë i dorëzimit të pronës tek banka pa asnjë kusht. Kapitullim. Falimentim. Për shumë nga arsyet e mësipërme? Pse jo. Madje duke shtuar shumë të tjera, akoma më teknike. Mosplotësimi i kushteve të të bërit biznes. Konkurenca akoma më shumë e pranishme dhe zgjidhja e gjërave me një bakshish në zarf. Mungesa e një plan-biznesi, pa u konsultuar me ekspertët. Analizë kostosh, shpenzime, blerje, taksa, banka, kësti. Autogol ky i vetë investitorëve, vecanërisht në një vend i cili je vetë pronar, marketer, promoter, financier. Kjo jo për fajin e qeversisë por si pasojë e  mungesës së besimit nga ana e pronarëve për të deleguar kopetenca. Pse jo edhe burimesh njerëzore, menaxherë të aftë që të marrin për dore kompani me kapacitete të tilla, për t’i hedhur më pas në treg ato, suksesshëm.

Pra qëllimi i vetëm për të parandaluar drynin në kangjellat e investimit me plot halle. Shpenzime pa hesap dhe fryrje pompoze me salltanete dhe lux-e të kota. Të gjitha këto një parajsë e padukshme në princip por shumë e dhimbshme. E pamë vetëm pak ditë më parë. Më pas humbje e vendit të punës për shumë punëtorë.  
Kur tashmë kemi një armik të egër, euro-n në revansh ndaj lek-ut, e forcon si ide edhe portofoli i kreditimit, sidomoa ai i biznesit, masivisht drejt kësaj monedhe, pse jo edhe publiku i cili edhe ai ndihet jo më pak i rrezikuar. Me të ardhura në lek dhe me kredi në euro, mund ta imagjinoni se c’farë pasojash do të ketë nëse ky revansh vazhdon. E sigurt që një mosndërhyrje në kohë, mund të pasojë më të tjera “Bukurije”. Kujdes, edhe prej këmbimit! Dhe në këtë rast të gjithë do të nxitojnë të thonë se fajin e ka banka. Ka madje pyetje se përse nuk e lejon biznesin të zhvillohet? Sërish del në skenë parajsa. Mungesa e bërjes së llogarive apo ndryshe “hesapeve pa hanxhinë”. Pasojat e një kulture të pamjaftueshme financiare, se një lek i marrë borxh në bankë është përgjegjësi, mund të jetë një faktor i rëndësishëm suksesi apo falimenti.
E pra evitimi me të gjitha format i parajsës që na u duk në prag të derës, me paratë e bankës kjo, mund të ishte edhe më i natyrshëm. Të gjithë ne si shoqëri u dehëm nga një grusht para të disbursuara pas një kontrate noterie dhe nuk menduam që do të vinte një ditë të shikonim pamje të tilla. Me një vend pa një klasë politike që duhet ta mbajë larg biznesin nga aventura të rastit, nuk është se mund të shkohet shumë larg. Përfshirja e biznesit në aksionet poltike dhe derivantët pas saj, poltizimi i shoqërisë dhe varësia që ka krijuar cdo shtresë nga ky lloj formati sjellë pasoja shumë të rënda. Për pasojë një krizë politike që zgjat derisa bllokon kapilarët e furnizimit me gjak dhe optimizëm të shoqërisë. Ndoshta edhe nga dalja për zot i hallit me forcat e veta, kapacitete individuale në këtë rast, të cilat nuk të lënë shumë të kuptosh se kjo do të vinte të na trokiste tinëzisht një ditë. Pamëshirshëm pse jo.
Nuk dihet se sa e sa biznese ndihen sot mjaft të rrezikuara dhe luten për të negociuar edhe një herë nga fillimi me bankën. E gjitha kjo ndoshta edhe prej asaj parajsës që na u shfaq papritur dhe na dehu qëllimet dhe iniciativat tona. Sot kjo e gjitha e kthyer në një koktejl me shije të keqe, me shumë alkool sa koka nuk e di se sa i rëndon halli. Ndaj m’u kujtua filmi me të njëjtin titull si ky artikull: “Të gjithë fajin e ka parajsa”. Edhe këtu si për koincidencë aktori kryesor Francesco, kaloi në depresion. Do zoti nuk na e ndjell fati i tij por vetëm titulli i këtij filmi…        

Thursday, June 2, 2011

"Mirëmëngjes injorancë"


Injoranca po na pushton. Madje po na mban të mbërthyer përpara TV-së deri sa nis e zhduket. Është ulur këmbëkryq në vatrat tona. Na është bërë padashur pjesë e jetës. Për fatet tona. Pse jo edhe të fëmijëve tanë. Konsumojmë pa fund doza debilizmi dhe nuk po dimë si të ndahemi prej tyre. Po kjo shoqëri, e ardhur nga një dekadë ndarjesh mes blloqeve, perëndim-lindje, me pak fare esencë kulturë kineze. Dikur madje krijuam edhe mitin e njeriut të partisë. E përqasëm atë dhe e frymë si ilaci i duhur. Por në fakt ndërsa ai me bllok në dorë, bënte dallimin mes ngritjes së kurbës së injorancës në piedestal, një tjetër po na shfaqet pas viteve ’90.

Ai iku në emigracion. U kthye pasi nuk gjeti dot veten aty. Pasi i provoi të gjitha. Bleu një makinë dhe xhiroi gomat nga mëngjezi deri në drekë para gjimnazit, aty buzë rrugës në provincë. Brenda hipi edhe shoku i tij që vret mendjen se si hyn cok-u në gropë në një bilardo që kthehet në arenë boksi herë pas here. Ja jep truri bën edhe këngë hip-hop. Dhe përsëri aty. Tenton të marrë rrugën për në kryeqytet. Aty ku përzihet harbuti me njeriun që shikon punën e vet. Ngjishet në një karrige lokali dhe kërkon kafe. Birra. Pse jo edhe qofte. Bëhet tapë nga alkooli. Ecen rrugëve dhe u vërshellen femrave. Gjithë bota i duket e tij. Realitet imagjinar, magji. Tamam si një njeri përpara një gradacele të lartë. Ngre kokën. Shumë lart. Ndoshta arrin. Ku i dihet. C’farë nuk bën vaki.

E njëjta edhe femra. Del në dritare. Bori. makine. Aty në provincë. Dikur në oborr qëndiste pajën deri sa të vinte mustaqeziu ta merrte për grua. Pa të mbushnin oborrin plot me fëmijë. Sot ajo s’mbahet. Ka telefon dhe ka mësuar të bëjë zile. Pse jo të të kërkojë t’i hedhësh dhe kartë. Di c’do të thotë autostop. Madje t’i hipë edhe avionit e të ngërdheshet me koleget, atje tej në semaforin e fateve të cdo sqimatare për para. Kjo është “heriona” e ditëve tona. Më pas kthehet dhe të fut një të ulëritur në mes të rrugës. Hape rrugën o plehrë. Packa se ti mund të gjendesh “rastësisht” aty mes vijave të bardha. Shfryn! Pasi është tallur i larë e palarë me të, atje tej matanë në botë. Gjen forcë të të tregojë se është ajo prodhimi hibrid-eksperiment i një shoqërie të pagëzuar, demokraci. Pse jo e tredhur nga marifetlinjtë që na ofrojnë pamje rozë të sociales së pagabuar.

“Filozofët” ulen para PC-ve dhe paraqesin përpara donatorëve projekte të tipit: “zhvillimi i zonave rurale”. Shkojnë në qytete dhe nuk e prekin në plagë hallin-injorancë që po i pushton këto të fundit. Një drekë me kryebashkiakun. Një dhomë hoteli. Ca dieta dhe projekti iku morri udhë. Packa se Leka me Griseldën aty lujanë aktin e fundit të tangos së injorancës mes historive idiote që na mbajnë nën makth. Na mbajnë në tension. Na bëjnë kuriozë. Harrojmë misionin tonë dhe s’dimë t’i japim dum këtij halli që na ka rënë.

Në fund dy fjalë për politikën. Opiumi që na ka vënë në gjumë, pse jo duke parë ëndrra të frikshme me injorantë. Ata që na ofrojnë hartat me ngjyra. Blu apo rozë. Sepse na duan shumë dhe na veshin me to. Më shumë ruralët. Atyre ua dinë disi më mirë gjuhën. Injorantce. E njohin si Lekën ashtu edhe Griseldën. Edhe këta të dy sikur janë mësuar me këta. “Epo budallai-budallain e njeh më mirë” - do nxitonte dikush të thoshte. Kujdes se njëri prej tyre është shejtan-budalla. Pse jo të dy. Sërish të dy ja gjejnë gjuhën njëri-tjetrit. I flasin në emër. “Mirëmëngjes injorancë. Je ti pa jam unë. Do mundohem të bëjë dicka për ty injorancë. Ja sa të mbarojnë zgjedhjet dhe të shpallet rezultati. Rrofsh që ekziston injorancë. Ti s’ke nevojë të më lexosh programin. Prioritetet. Ti që s’më tradhëton kurrë. Vdes për një cik Tirana. Qejf o qejf. Na dhe një 10 mijë leksh dhe hip në autobuza. Kemi miting. Do këndoj x grup por pas fjalimit tim. Muzikë dhe qofte, koktjel mix, c’ke. Ndaj kur të vijë aty në provincë mos harro të më thuash: Faleminderit. Kaq është jeta. Kaq të mjafton.”

Mirmëngjes injorancë. Ty që s’ta doli askush. Ti që nuk iu binde cdo rregulli dhe ligji të shkruar. Ti që s’pyete për libra dhe leksione edukate. Ligjërata të cdo lloji. Të pacim. I pacim. Na rruac. Na rruacin. Të dy. Ty injorancë dhe dashnoren tënde politikën. T’i rroni njëri-tjetrit, pra.