Nuk janë shumë por as pak për një futboll që zë vetëm pak minuta kohë në axhendën tonë të përjavshme. Po them për ne që e ndjekim deri diku futbollin shqiptar. Imagjino shumë prej jush që ka vite që thoni: “Pse ka kampionat futbolli shqipëria? Si luajnë akoma 11-11 apo të gjithë drejt topit?”. Është mëse e vërtetë. Sport i ngatërruar dhe për më tepër tani që luhet edhe në skedina. Dhe në shkallët e stadiumeve, fara brejtësit konsumojnë për shtyrje kohe akoma më shumë fara luledielli. Në fushë janë dhuruesit e spektaklit për ata pak spektatorë. Ca me kontrata e ca pa kontrata. Ca të sjellë nga Afrika e ca nga Brazili. Ca që futen për të plotësuar qejfin e sponsorit dhe të deputetit, pse jo të kryetarit të Bashkisë apo Komunës. Packa se nuk di ti bie fare topit. Punë e madhe. Skedina luhet edhe me të rënë edhe pa të rënë. Pastaj ndizen gjakrat dhe fluturon ndonjë gur mbi kokë. Shahet arbitri me libër shtëpie kur ka dhe kur nuk ka motër. Policët me skafandra dhe me trupa mbrojnë kokën e arbitrave nga shishet plastike me ujë 500 gr. Pse jo edhe nga ndonjë gur apo këpucë presidenti. Edhe celular madje. Pse jo edhe deputeti. Ai ka imunitet. Godet dhe nuk shoqërohet jashtë stadiumit si non grata. Pastaj re gurësh mbi xhamat e autobuzit mik me 20 e kusur veta. Cdo gje për një ’90 minutësh. Pastaj një komision që shqyrton pamjet dhe me zemërbutësi thotë hajt se po ja falim edhe kësaj here. Pasion tifozësh.
Nuk mendoj se na vjen e keqja nga kjo. As nga trukimet. Lëniet e ndeshjeve si pa të keq. Mjafton një sms para ndeshjes dhe nga ana tjetër e aparatit mobile mbërrin sms report OK. Packa se trainieri nuk do. Madje është edhe i huaj. Jo pak të tillë në kampionatin tonë që shokohen nga bëmat e këtyre presidentëve-pasiondashës. Dhe nderet s’kanë të sosur. Ja bie fjala Dinamo. Dinamo pra. Ajo Dinamo që mua më pëlqen ta përsëris shpesh. Dinamo pa shtëpi. Vitin që shkoi fiton kampionatin që në javën e 10-të dhe këtë vit është duke rënë nga kategoria. Pse? Sepse e teproi me nderet. Me qokat më shkoqur. Ua bëri ndoshta më shumë qejfin kundështarëve. I bëri hesapet pa hanxhinë, ndryshe. Dhe askush nuk i tërhoqi veshin. As Federata që duhet të ishte xhelati i saj dhe i të gjithë tolerantëve. Ajo duket sikur nuk e shqetëson shumë kjo pjesë. “Treg, konkurencë, pazare” – thotë me vete. Edhe pse këto ekipe futbolli ende nuk janë të privatizuara dhe mbi to qëndron një drejtori sporti që merret me shumë me fushata për lënien e duhanit se sa për vetë sportin. Pse jo edhe me daljen në pension të figurave të sportit. Edhe pse futbolli cdo ditë po vdes falë këtyre bëmave të punësuarve me sport. Ose presidentëve thënë më qartë.
Dhe pas hekurave sërish ca tifozë spontanë me pirgje guri poshtë shkallëve, të gatshëm që nga nervat dhe tensioni i lojës të godasin këdo kundërshtar. Sërish arbitrat nën akuzë. Edhe pse moviola i dënon vetëm nga pamjet. Janë ata armata që vendos se në kë portë do bëhet goli. Edhe këtu mjafton një sms. Një nder. Një pako gazete me lekë cash dhe ndeshja përfundon sic ka dash vetë zoti, presidenti në këtë rast. Pac dorën e mbarë. Dhe ata aty në tribunë. Aty ku kohë më parë se kishin parë ndeshjen as në shkallët e stadiumit. Sot përkrah ministrit, deputetit, kryetarit të bashkisë, komunës, biznesmenëve të tjerë që do t’i pasojnë kur ta kenë vdekur fare futbollin. Ndonjë artist apo intelektual që përodret për dekor. Dhe në fushë skandali merr përmasa të jashtëzakonshme teatrale. Pse jo edhe tragjike. Përderisa grumbulli i gurëve është ende aty. Në shkallët e stadiumit. Goditet me shqelma në fushë. Rrezikohet edhe karriera. Po nëse nuk mjaftojnë shkelmat me shkeljen e syrit të Presidentit dhe me urdhërin bjeruni. Apo në pushimin e ndeshjes kur flet vetëm ai në vend që trainieri të diskutojë skemat. Në vend të gjithë kësaj tabloje qëndron në gatishmëri “bateria e gurëve”. Ata janë gati. Mjafton që presidenti të shkundë puron me inat. Apo të hedhë në fushë celularin nga zemërimi. Trainieri nuk di c’të bëjë. Kë duhet të fusë. Sërish sytë nga tribuna. Befas mbërrin një zile. Fut X-in. eh shyqyr minutat e ankthit mbaruan. Dhe më pas fillon reja e gurëve.
Kishim harruar për të. E lamë pak në harresë. Garniturën që shoqëron këtë gjellë të shpifur sa më s’ka. Këtë lojë corbë mes 22 burrave që inglezi vendosi ta quaj futboll. Dhe në fushë pastaj Vaterloja. Kush me kokë të fashuar dhe kush me barrelë. Kandahar-futboll. Kabul-fushë. Dhe “dëshmorët” dalin të sakatuar dhe më pas nxitojnë të rekuperohen. Për bukën e përditshme. Me dhimbje. Me shumë ankth dhe frikë. Zot na shpëto. Nuk duam të bëhemi dëshmorë për nnë top-këmbe. Dhe Federata nxiton të thotë se po festojmë 80 vjetorin e krijimit. Përvjetor në një vit të zi, packa se kampionatin e fiton ekipi që ka blerë ndeshje më shumë. Ekonomi tregu me ekipe ende shtetërore. Humor anglez me një federatë që e përdor futbollin për skedina dhe licenca. Për ca zyra dhe makina. Edhe për takime me Platinin. Projekte për stadiume nisur nga numri “i madh” i spektatorëve. Gjithcka për të na fyer edhe ne 5 tifozave që na bie rasti dhe shtyrja e kohës një herë në javë në stadium. Ej djali: një kaush fara të shtyjmë kohën dhe të shohim presidentët, federatën, ministrat, deputetët, bashkiakët, komunarët. Të paktën të na shikojnë ata që edhe këtë javë erdhëm në stadium. Dëshmorët janë poshtë. Napoleonët lart. Në tribunë.

